Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ndryshimet thelbësore në Shëndetësi  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 31.08.2021 08:25
Blerim-Shala

Nuk ka më qytetar të Kosovës i cili nuk e di se cila është urgjenca mjekësore, shëndetësore,  jetësore (në fakt), dhe e sigurisë, në këto ditët tragjike për të gjithë ne, kur çdo ditë po  humbim jetëra njerëzisht me statistika dyshifrore, teksa ato të infektimeve maten me mijëra  vetë. 

Nuk ka tjetër zgjidhje (prandaj edhe është më e mira), pos vaksinimit të dhjetëra mijëra  qytetarëve për çdo ditë. Natyrisht, duhet t’i përmbahemi edhe masave të tjera, të cilat na  janë të njohura që nga gjysma e marsit të vitit të kaluar, kur u shënua rastet e para me  Covid-19. 

Që prej atëherë, kemi pasur rënie dhe ngritje të zhvillimit të Pandemisë, për të mbërri  kështu te Vala e katërt, e cila po del si më e rrezikshmja, sepse ka sjell ndër ne variacionin  Delta të këtij virusi. 

Por pos kësaj urgjence shëndetësore, e cila me gjasë e bën muajin shtator si periudhën  vendimtare për zbrapsjen e kësaj Vale të katërt të Covid-19, krejt ky rrëfimi i rëndë, i  mundimshëm, tragjik për Pandeminë, e cila po i mbush 18 muaj në Kosovë, ka  sipërfaqësuar, në mënyrën më brutale dhe më të qartë të mundshme, të gjitha të metat të  cilat i kemi si shtet dhe si shoqëri në fushën e shëndetësisë publike.  

Pastaj, ka dëshmuar, sërish në atë trajtën më evidente, se çfarë rëndësie ka cilësia e duhur  në shëndetësinë publike, e cila bazohet në infrastrukturën adekuate, në kapacitete spitalore  (shtretërit), në buxhetin për këtë shëndetësi, në numrin e mjekëve dhe stafit teknik, etj.etj. Në të gjitha këto elemente të rëndësishme, të cilat poqëse veç e veç ofrojnë një kualitet të  duhur, e së bashku e bëjnë atë cilësinë e përgjithshme, ne kemi kuptuar (të gjithë kësaj  radhe, sepse mbase nuk ka mbetë familje në Kosovë që në një mënyrë apo tjetrën nuk është  prekur nga Covid-19), që jemi prapa, që kemi defekte, që duhet bërë shumë më tepër për  ta ngritur në nivelin e duhur në shëndetësinë publike. 

Pas atij prioritetit urgjent për të cilin po flasim të gjithë ne ditëve të fundit, nuk ka kurfarë  dyshimi që brenda një periudhe të shkurtër disamujore, pasi të kalon apo të dobësohet ky  ‘Vërshim’ me Delta, do të duhej nisur përgatitjen e Planifikimit gjithpërfshirës të zhvillimit  të mjekësisë në periudhën e ardhshme 5-10 vjeçare. 

Pandemitë e këtij lloji mund të kthehen (kështu janë zatën parashikimet e ekspertëve  shëndetësorë në Perëndim), pastaj, numrat e të sëmurëve të tjerë sa vijnë dhe shtohen,  prandaj, para se të gjithash, duhet parë se sa dhe si mund të rritet Buxheti për shëndetësinë  publike. Nuk ka dilemë që ky Buxhet aktualisht nuk i plotëson nevojat e shërbimeve  mjekësore në gjithë Kosovën, dhe që shumë herë, pacientët detyrohen të sigurojnë vetë  barërat teksa shtrihen në spitale. Dhe jo vetëm barërat. 

Natyrisht, një pjesë solide e të hyrave për këtë Buxhet, duhet (më në fund), të sigurohet  përmes Sigurimit shëndetësor. Për te flitet, shkruhet, debatohet dhe diskutohet kudo, prej kafeneve deri në Kuvendin e Kosovës, por tutje nuk kemi rezultate konkrete.  Duhet caktuar një afat kohor kur do të nisim ta paguajmë Sigurimin shëndetësor, teksa në  ndërkohë duhet të nisin të gjitha përgatitjet e duhura. 

Ta zëmë, jo më vonë se me 1 janar të vitit 2023, do të mund të hynte në fuqi Sigurimi  shëndetësor.  

Ai është i domosdoshëm për secilin për ne, për Sistemin shëndetësor, për Qeverinë e  Kosovës. 

Buxheti më i lartë i Ministrisë së shëndetësisë, do të duhej të krijonte rrethana më të  volitshme për ndërtimet e reja në shërbimin mjekësor, për shtimin e numrit të shtretërve  nëpër qendrat spitalore, për sigurimin e pajisjeve më të reja mjekësore, të cilat do të  mundësojnë edhe funksionimin e plotë të laboratorëve. 

Së bashku me investimet e këtij lloji, të cilat gjithsesi kërkojnë kohë për tu kryer (teksa  duhet provuar edhe sigurimin e donacioneve nga shtetet perëndimore, dhe jo vetëm prej  tyre), duhet patjetër, sa më parë që është e mundur, të ngriten në mënyrë susbtanciale pagat  për mjekët dhe stafin teknik në shëndetësinë publike. 

Janë së paku dy arsye pse duhet të ketë një ndryshim sinjifikativ, për të mirë, i këtyre  pagave. 

Para se të gjithash, është e ditur për të gjithë pakënaqësia e të gjithë atyre që janë të  angazhuar në Sektorin e shëndetësisë publike, për shkak të pagesës që nuk korespondon  me punën dhe përgjegjësinë që kanë mjekët dhe stafi teknik. Secili prej nesh që ka qenë i  shtrirë në Klinikën infektive në Prishtinë, e di mirë se çfarë pune bëhet aty nga mjekët dhe  ndihmësit e tyre, dhe cila është paga e tyre. 

Por tash e disa vjet, e kjo dukuri veç çka do të rritet në vitet e ardhshme, ne kemi nisur t’i  kuptojmë qartë pasojat e ‘migrimit legal’ kah Perëndimi të mjekëve dhe teknikëve  medicinal. Rrogat shumë më të mira në Evropë, kushtet jetësore të cilat dallojnë shumë  prej këtyre në Kosovë, një ambient më cilësor për tu shkolluar tutje, të gjitha këto po  ndikojnë që ky rrezik real, në një të ardhme të afërt, do ta zvogëloj ndjeshëm, si në sasi,  ashtu edhe cilësi, ofertën e mjekëve dhe të stafit teknik. 

Rrogat më të mira, kushtet më të mira në punë, këtu në Kosovë, nuk do ta ndalin tërësisht  këtë fenomen.  

Kjo dihet. Megjithatë, poqëse ndodhë ky ndryshimi i duhur në raportin e shtetit me  shëndetësinë publike, do të ketë një motivacion shtesë për shumëkë që të mbetet në  Kosovë, teksa poashtu, edhe të rinjtë do të jenë më të gatshëm që të studiojnë dhe të  angazhohen më mjekësi. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme