NATO dhe EURO në Kosovë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

NATO dhe EURO në Kosovë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
06.01.2023 10:13

Kroacia pati festë të veçantë në ditën e parë të vitit të ri 2023.

Realisht, kjo duhej të ishte një lloj kremte edhe për Brukselin zyrtar (Bashkimin Evropian), por andejpari, për shumë shkaqe (mbi të gjitha në vijim të luftës në Ukrainë), nuk ka disponim për festë.

Kroacia pra me 1 janar të këtij viti hyri në Eurozonë (shtetet ku Euro është bankënote zyrtare), dhe në Schengen (shtetet me liri të plotë të qarkullimit, pa kufi).

Kroacia tash e sa vjet (prej vitit 2013-të), është anëtare e Bashkimit Evropian, teksa në Aleancën Veri-Atlantike ka hyrë qysh në vitin 2009, së bashku me Shqipërinë.

Në BE janë 27 shtete anëtare, në Paktin NATO marrin pjesë 30 shtete, në Eurozone janë 20 shtete, e në Schengen 27 shtete.

Por janë vetëm 15 shtete që njëkohësisht janë në NATO, në BE, në Eurozone dhe në Schengen.

Në mesin e tyre është edhe Kroacia, prej fillimit të këtij viti, gjë që gjithsesi është arritje evidente për këtë shtet.

Të qenit në të katër këto struktura/ organizata njëkohësisht, është një tipar i veçantë për këto shtete.

Lajmi për suksesin e Kroacisë e gjen Kosovën në rrethana kur ende nuk ka fituar Liberalizimin e vizave, (1 nëntori i këtij viti, ose 1 janari i vitit të ardhshëm do të duhej të ishte dita kur ne do të udhëtojmë vetëm me pasaportë biometrike në Zonën e Schengenit), e lëre më diçka tjetër, në këtë procesin e gjatë dhe të lodhshëm të integrimit në strukturat euro-atlantike.

Megjithatë, Kosova, për shkak të rrethanave të njohura, është de facto pjesë e Eurozonës (ku Euro është bankënotë zyrtare), madje, që prej ditëve të para të krijimit të saj, në vitin 2002.

Kjo ka ndodhur sepse prej vitit 1999 e këndej, marka gjermane (e cila me këto anë të Ballkanit Perëndimor ka ‘sunduar’ financiarisht dhe ekonomikisht që nga vitet e shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar), aplikohej si valutë për pagesë në Kosovë, pas një Vendimi të Bernard Kouchnerit, Shefit të UNMIK-ut. Ishte fare e logjikshme që kur marka gjermane u zëvendësua me euro në Gjermani, e njëjta gjë të ndodhë edhe në Kosovë. Madje, Eurot e para kanë ardhur në Kosovë nga Gjermania dhe Austria.

Edhe pse Kosova u bë shtet i pavarur në vitin 2008, nuk i ka shkuar kujt mendja ndër ne që të krijojmë dhe të aplikojmë një bankënotë kosovare. Megjithatë, Euro ka ofruar siguri dhe stabilitet financiar për të gjithë ne.

Njëkohësisht, prej verës së vitit 1999 e tutje, Pakti NATO, përmes Misionit të KFOR-it është stacionuar në Kosovë (duke pasur si bazë legale Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së), në përmbushje të detyrës së mbajtjes së paqes dhe krijimit të ambientit të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Mund të supozohet që KFOR do të mbetet në Kosovë edhe shumë vite të tëra, ndërsa dihet që Kosova synon të përfshihet sa më parë që është e mundur në Programin e ‘Partneritetit për Paqe’ të Aleancës Veri-Atlantike, që është një paradhomë për të hyrë në Paktin NATO.

Prania e NATO-s dhe EURO-s në Kosovë ka rëndësi jetike për sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.

A do të mund, tek e fundit, të paramendonim Kosovën pa KFOR-in (NATO-n), dhe pa EURO-n?

Secili prej nesh e di mirë përgjigjen në këtë pyetje, veçmas në rrethanat krejtësisht të reja në Evropë, prej 24 shkurtit të vitit të kaluar, kur Rusia nisi agresionin e saj ushtarak ndaj Ukrainës.

Prania e KFOR-it dhe EURO-s në Kosovë ofron vlera politike, ushtarake dhe ekonomike të cilat janë të pazëvendësueshme për Kosovën. Siç është, natyrisht, i pashoq dhe i pazëvendësueshëm partneriteti që ka Kosova me SHBA-në.

Zatën, pa SHBA-në, NATO-n, Bashkimin Evropian, Kosova nuk do të çlirohej dhe nuk do të bëhej shtet, megjithë sakrificat e jashtëzakonshme të popullit shqiptar dhe të drejtës për të vendosur për fatin e vet në Kosovë.

Bëjmë mirë kur njeri-tjetrit ia rikujtojmë këtë fakt kohë pas kohe. Nuk është aspak teprim kjo punë.

Sikurse që bëjmë mirë kur Brukselit, Washingtonit dhe kryeqendrave të tjera kryesore perëndimore, ia shprehim sërish aspiratën tonë që sa më parë që është e mundur të bëhemi shtet anëtar i Paktit NATO dhe i Bashkimit Evropian.

Ky është një vullnet autentik i qytetarëve të Kosovës.

lajme të ngjashme