Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mungesa totale e çfarëdo komoditeti  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 08.04.2021 13:06

Vaksinimi i një njeriu bëhet për ta shpëtuar shëndetin e tij nga një sëmundje. Kemi të bëjmë pra me një raport në mes të një njeriu, shëndetit të tij dhe sëmundjes. Rëndësia e një vaksine sa vjen e shtohet kur një vend, një shoqëri, një shtet, ballafaqohet  me një Pandemi, çfarë është rasti me Kosovën dhe me gjithë Botën, që nga fillimi i vitit  2020. 

Aktualisht, nuk ka ilaç të sigurtë për shërimin nga Covid-19. Ende kemi të bëjmë me  hamendësime, përpjekje, ndërmarrje eksperimentale. 

Shpëtimi i vetëm i qëndrueshëm këtu, në këtë rast, është marrja e vaksinës.  Për dallim prej virusit, i cili si i tillë, krejtësisht spontan, masiv, i paorganizuar, që bartej  me të shpejtë, në të katër anën e Botës, prej njeriut tek njeriu, ishte, nëse mund të thuhet  ashtu, i drejtë, sepse nuk bënte kurfarë dallimi në shtete dhe në shoqëri, në kombe dhe  organizime politike, bërja dhe shpërndarja e vaksinës, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë,  ka në vete tipare të cilat dëshmojnë se në çfarë Bote jetojmë sot. 

Në pranverën dhe verën e vitit të kaluar, kur u dhanë lajmet e para për zhvillimin e  vaksinave, teksa të gjithë ne e vuanim atë ‘Valën e parë të virusit’ (tash jemi në në tretën,  me gjasë, më të madhen, më të rëndën, më të keqen), dhe kur kishim shumë më tepër  mirëkuptim në mes vetes, sepse ishim të tmerruar prej këtij ‘armiku të përbashkët’, ishin  të shumtë zyrtarë të shteteve më të mëdha të Rruzullit tokësor, dhe të institucioneve  kryesore ndërkombëtare, të cilët paralajmëruan një tjetër Botë, më të mirë, më solidare, më  të organizuar në luftimin e këtyre të këqijave që na godasin të gjithëve.  

Bota e pranverës së vitit 2021, realisht, po del që është (aktualisht, së paku), më e keqe, më  pak solidare, më e paorganizuar se sa ajo Bota para-virusiane. 

Virusi si i tillë, ishte një pyetje e vetme, një sprovë e vetme, një kërcënim i vetëm për të  gjithë njerëzimin. 

Ky u përhap në të katër anët e njerëzimit, teksa tani, ky njerëzim është bërë pikë dhe pesë  në kërkimin e përgjegjeve të veçanta për shpëtimin nga ky virus, edhe pse të gjithë e dinë  që është një përgjegje e vetme ndaj tij, vaksina, e cila duhet të jetë në dispozicion të të  gjithëve. Zatën, kostoja e prodhimit të saj, edhe çmimi i shitjes eventuale, do të mundësonte  që të gjithë ta marrin dhe t’i ikin virusit. 

Megjithatë, për shkak të rrethanave të njohura për të gjithë ne, shpejtësia e përhapjes së  sërishme të virusit, është disafish më e madhe se sa shpejtësia e dhënies së vaksinës, gjë që  e bënë Covid-19 ende fitues në këtë dyluftimin me të gjithë ne. 

Për më shumë, çështja e sigurimit të vaksinës në atë masën/ sasinë e kërkuar, bëri që të  mëkëmben ato përplasjet klasike gjeo-politike (në mes të Perëndimit dhe Lindjes), teksa  edhe një herë, kësaj radhe në një temë humane, u mor vesh që Bashkimi Evropian ka  probleme të mëdha në funksionimin e vet, sepse dinamika e zbatimit të Planeve të BE-së  për vaksinimin e popullatës së 26 shteteve anëtare, nuk është as përafërisht ajo që është  pritur. Britania e Madhe ka bërë punë shumë më të mirë. Mbase, nuk ka pasur argument 

 

më të fortë në favor të Brexit-it për Boris Johnsonin, Kryeministrin e Britanisë së Madhe,  se sa çfarë ndodhi muajve të fundit me vaksinimin brenda BE-së dhe në Britani.  Në këto rrethana të cilat vazhdojnë të jenë, siç do të thonin diplomatët, ‘komplekse dhe të  paparashikueshme’, në këtë kontinentin e Evropës (ende nuk ka mëdyshje që Kosova  gjeografikisht i takon Evropës), askush si Kosova nuk është paracaktuar të ketë telashe të  mëdha, lehtë të parashikueshme. Për shkaqe të shumta. Ndërsa gjendja në vend, në këtë  segmentin e veçantë të Pandemisë, është përditë më e keqe, më e rënduar, më e lodhshme,  në të gjitha aspektet e mundshme. Para dhjetë ditësh, ne e morëm atë kontingjentin e parë  prej 24 mijë vaksinave, në kuadër të Programit COVAX (të Organizatës Botërore të  Shëndetësisë). Para këtij kontingjenti, falë Qeverisë së Shqipërisë së Kryeministrit Edi  Rama, disa qindra punëtorë shëndetësorë patën nisur të vaksinohen në Kukës. Megjithatë,  numri i të vaksinuarve për çdo ditë në Kosovë, është shumë më i ulët se sa i atyre që  infektohen nga ky virus. Do të duhej të sigurohej një raport i anasjelltë, ashtuqë Kosova të  hyjë në një cikël të ri, në fund të të cilit do të mund të kthehej një farë normaliteti në vend.  Qeveria e Kosovës e Kryeministrit Albin Kurtit, ditë më parë ktheu mbrapsht ofertën e re  të Qeverisë së Shqipërisë, për vazhdimin e përkrahjes së Shqipërisë për Kosovën, në trajtë  të vaksinës Sinovac, e cila është prodhim i Kinës.  

Në justifikimin e këtij vendimi, Kryeministri Kurti, konstatoi, pos tjerash, që ‘(Kosova)  nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej, siç po e bëjnë disa shtete të tjera’. Kryeministri poashtu përsëriti që orientimi i Kosovës është ‘evropian dhe euroatlantike me  shtete, të cilat na kanë njohur dhe prandaj kemi rezervën tonë dhe skepticizmin tonë, por  njëkohësisht qëndrimin tonë të qartë karshi ofertave të ndryshme, të cilat mund të na vijnë  nga shtete mos-njohëse jashtë Evropës. Situata në këtë aspekt është më delikate për  Kosovën sesa me vendet e tjera të rajonit’, konkludoi ai. 

Ky vendim i Kryeministrit Kurti dhe i Qeverisë së tij shkaktoi reagime të shumta, të cilat  spikatnin faktit që tregu i Kosovës, në përgjithësi, të thuash është i ‘vërshuar’ nga mallërat  kineze. Këtu mund të shtohet një e dhënë pak a shumë e ditur për të gjithë ne, që edhe  maska higjenike, si mjeti i parë në luftimin e virusit (nëse vaksina është e fundit), në  Kosovë, si në gjithë Botën, në shkallë prej gati 90% na vie nga Kina. A do të thotë kjo që  ne është dashtë ta refizojmë maskën, pasi vjen nga një shtet mos-njohës, çfarë është Kina?  Në mbrojtjen dhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës, përdorimi i politikës  vështirë që të ndihmon, edhe nëse kemi të bëjmë me ato raportet edhe ashtu të çrregulluara  në skenën politike vendore, edhe nëse në shfaqen relacionet e Kosovës me shtetet e tjera  në Botë, me ato që na kanë njohur dhe me të tjerat që nuk na kanë njohur.  

Kosova nuk ka kurfarë komoditeti për të bërë politikë parimore (dhe politikë me parime),  dhe për të kundërshtuar apo për ta refuzuar, një ndihmë të këtillë të ofruar nga Qeveria e  Shqipërisë.  

Ruajtja e jetës së njeriut, siç na ka mësuar qëmoti Thomas Hobbes, është në themelet e  krijimit të shtetit. 

Ruajtja e jetës së qytetarëve të një shteti, përmirësimi i saj, gjithsesi, është thelbi i  Kushtetutave të shteteve demokratike. 

Ky parim duhet të jetë kyç për Qeverinë e Kosovës, derisa për çdo ditë marrim lajme për  vdekjet dyshiforore të qytetarëve të Kosovës. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme