Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mos (përsëritja) e gabimeve nga e kaluara 

123
string(14) "Bekim Çollaku" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/03/collakuuuuuuu.png"
nga Bekim Çollaku 17.05.2021 15:51

Ditë më parë u publikua programi qeveritar i hartuar nga Qeveria aktuale. I njëjti u debatua gjerë e gjatë nga partitë e pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës. Besoj se tashmë të gjithë ata që kanë pasur interes për këtë program, e kanë kuptuar në një shkallë të caktuar përmbajtjen e tij. Në këtë shkrim të shkurtër, do të paraqes vetëm disa opinione që ndërlidhen me programin qeveritar  

në fushën e politikës së jashtme dhe procesin e integrimeve euroatlantike. 

Në programin e miratuar nga qeveria thuhet se “prioriteti kryesor i Qeverisë është forcimi i  subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, përmes integrimit e anëtarësimit në  organizata ndërkombëtare”. Kjo qasje nuk paraqet asgjë të re në politikën e jashtme, sepse ky ka  qenë qëllimi kryesor i të gjitha qeverive, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Për më tepër, në  rastin konkret, nuk sqarohet fare se në cilat organizata ndërkombëtare pritet të anëtarësohet Kosova  dhe nëpërmjet cilave veprime. 

Një çështje tjetër, e cila tingëllon tepër ambicioze dhe atraktive ndërlidhet me dëshirën e shprehur  me fjalë në këtë program se “Qeveria do të paraqes kërkesën për anëtarësim të Kosovës në BE dhe  NATO, si dhe do të anëtarësohemi në Kartën e Adriatikut”. Për mendimin tim, kjo është një qasje  aspak serioze në relacion me procesin kompleks dhe maratonik të anëtarësimit në BE dhe NATO.  Unë shpresoj se nuk ka as edhe një anëtar të vetëm të kabinetit qeveritar, i cili mendon se Kosova  ka ngecur prapa në procesin e integrimit në BE dhe NATO, në mungesë të kërkesave formale për  anëtarësim. Një qasje e tillë, në rastin më të mirë tregon mungesën e njohurive elementare për këto  procese tepër komplekse. Sido që të jetë, Qeveria e Republikës së Kosovës përpara se të mendojë të bëjë çfarëdo kërkese formale për anëtarësim, qoftë në BE apo NATO, së pari duhet të punojë 

për përmbushjen e kritereve të përcaktuara dhe së dyti, heqjen e pengesës kryesore në këtë proces  që ndërlidhet me mungesën e njohjes së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së (Spanja, Greqia,  Sllovakia, Rumania dhe Qipro). Derisa nuk ndodhë një gjë e tillë, Kosova mbetet e bllokuar në  progresin e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Në ndërkohë, shpresoj se kjo Qeveri do të 

punojë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me BE-në, përkundër faktit  që në vitin 2015, partia aktuale në pushtet kishte refuzuar që të votonte për ratifikimin e saj në  Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, është interesante se në programin e publikuar  thuhet se “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të bëjë gabimet e së kaluarës duke dhënë data  të gabuara”. Për mendimin tim, shumë më korrekte do të ishte sikur të thuhej se Qeveria Kurti nuk  do të bëjë gabimet e kaluara të bëra nga LVV, sepse ishin pikërisht veprimet e dhunshme kundër  institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pamundësimi i ratifikimit të marrëveshjes për  demarkacion me Malin e Zi, të cilat pamundësuan liberalizimin e vizave në vitin 2016. Fundja, 

mundësia reale që liberalizimi i vizave të ndodhte në vitin 2016 nuk ka qenë një datë e dhënë nga  Qeveria e atëhershme, por ka qenë një datë e dhënë nga Komisioni Evropian pas dhënies së  rekomandimit formal për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mjerisht, momentumi i humbur nga  paaftësia e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion dhe aftësia e partive opozitare për ta rrënuar  për tokë imazhin e Kosovës nëpërmjet protestave të dhunshme, është përdorur si pretekst nga BE 

ja dhe në veçanti nga disa shtete anëtare të saj për ta mbajtur Kosovën të izoluar padrejtësisht. Në  fakt, BE-ja ende është duke vazhduar diskriminimin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa Qeveria e  tanishme nuk mund të bëjë asgjë lidhur me këtë proces, sepse kriteret për liberalizim janë plotësuar  në vitin 2016. Tani vendimi varet vetëm nga shtetet anëtare të BE-së. 

Lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në  programin e publikuar ndër të tjera thuhet se “Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme  ta njohë ndërkombëtarisht Republikën e Serbisë nëse kjo e fundit e njeh Republikën e Kosovës”. Bazuar në përvojën time modeste dhe memorien institucionale, mund të rikonfirmoj se që nga  shpallja e pavarësisë në vitin 2008 e deri sot, Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk i ka munguar  asnjëherë gatishmëria për njohje reciproke me Serbinë. Sigurisht që kjo qasje nuk prezanton aspak  thelbin e problemit ndërmjet dy shteteve. Të gjithë e dimë se rruga e dialogut deri tek njohja  reciproke është shumë e gjatë dhe e vështirë. Fatkeqësisht, në programin e prezantuar qeveritar 

nuk vërehet asnjë lloj gatishmërie për të pasur një proces serioz të dialogut, mirëpo vetëm një  dëshirë për ta ruajtur status quo-n aktuale. Ndërsa, status quo-ja aktuale më së paku i përshtatet Kosovës, sepse pothuajse i gjithë procesi i synimeve tona për integrime euroatlantike dhe  anëtarësim eventual në OKB ndërlidhet në masë të konsiderueshme me marrëveshjen eventuale  përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila patjetër duhet të përfundojë me njohje  reciproke. Njohja e Kosovës nga Serbia konsiderohet si çelësi kryesor për sigurimin e njohjes nga  pesë shtetet anëtare të BE-së. Kjo pastaj do të mundësonte që Kosova të fillojë rrugën normale për  anëtarësim në BE dhe NATO. Për më tepër, njohja e Kosovës nga Serbia do të mund të siguronte  edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, nën supozimin se Rusia dhe Kina nuk do ta bllokonin  anëtarësimin e Kosovës duke u përmbajtur nga e drejta e vetos gjatë votimit në Këshillin e  Sigurimit të OKB-së.  

Qeveria aktuale duhet të tregohet shumë më serioze në qasjen e saj në raport me adresimin e  problemeve dhe sfidave të shumta. Fatkeqësisht, fillimi nuk duket aspak premtues, përkundër faktit  se tani rolet kanë ndryshuar në mënyrë radikale, mirëpo retorika dhe populizmi kanë mbetur të  njëjta.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme