Momenti i duhur është tani – një shans evropian për Serbinë dhe Kosovën - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Momenti i duhur është tani – një shans evropian për Serbinë dhe Kosovën

123
string(44) "Emmanuel Bonne, Jens Plotner, Francesco Talo" string(98) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/03/Emmanuel-Bonne-Jens-Plotner-Francesco-Talo111.jpg"
15.03.2023 23:11
Emmanuel Bonne, Jens Plotner, Francesco Talo

Udhëheqësit tanë – presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni – na kanë ngarkuar me detyrën t’i ofrojmë mbështetjen tonë përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, në arritjen e një hapi të madh përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Pse është e rëndësishme kjo për vendet tona? Pse duhet tani ne të përfshihemi më shumë në një dialog, në të cilin të dyja palët kanë ngecur prej vitesh?

Arsyeja është se e ardhmja, si e Serbisë ashtu edhe e Kosovës, sikundër edhe e tërë Ballkanit Perëndimor, është në Bashkimin Evropian dhe ne duam të jemi përkrahësit tuaj më të mëdhenj në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në Union.

Evropa gjendet në një pikë kthese. Me sulmin brutal ndaj shtetit fqinj Ukrainës, Rusia e ka rikthyer një luftë të shkallës së plotë në kontinentin tonë. Pjesë e përgjigjes sonë kundrejt këtij cenimi të papranueshëm të sigurisë evropiane është angazhimi i shtuar për ta bërë shtëpinë tonë evropiane më të fortë dhe më përfshirëse. Për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që janë nisur në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, ne duhet të bëjmë një përpjekje shtesë për t’i hequr pengesat e së kaluarës, të cilat e kanë bllokuar këtë rrugë.

Pengesa më e dukshme është marrëdhënia e pazgjidhur në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila njëkohësisht është edhe çështje e sigurisë evropiane. Ngjarjet që i pamë në fund të vitit të kaluar na kanë brengosur tej mase. Bllokadat, dhuna, kërcënimet dhe retorika nacionaliste komplikojnë shumë jetën e përditshme të qytetarëve në veri të Kosovës.

Ky jostabilitet i të qenit në mënyrë konstante vetëm një hap larg përshkallëzimit të dhunshëm duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund, sepse qytetarët evropianë me të drejtë po pyesin se si vallë Serbia dhe Kosova do të ulen si mike dhe partnere në të njëjtën tavolinë në Bruksel si anëtarë të Bashkimit Evropian? Si mund ne t’i sigurojmë qytetarët tanë që mbështetja jonë për Serbinë dhe Kosovën është ide e mirë?

Kjo situatë duhet të marrë fund, sepse investitorët nga shtetet tona i lexojnë lajmet dhe pyeten nëse ia vlen të investojnë në këtë rajon. Çfarë t’u themi atyre nëse veçse kanoset rreziku për një konflikt të ri?

Por, mbi të gjitha, kjo situatë duhet të marrë fund, sepse qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë meritojnë një të ardhme më të mirë. Një e ardhme në të cilën do të kapërcehen përfundimisht mosmarrëveshjet që po e pengojnë përparimin e të dyja vendeve. Kjo e ardhme hap rrugën drejt ndërtimit të raporteve miqësore, bashkëpunimit rajonal dhe një tregu të përbashkët. Dhe ajo e ardhme, në fund të fundit, hap rrugën për realizimin e premtimit të dhënë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian si partnerë të barabartë, sapo të plotësojnë kriteret. Mundësia për ta nisur këtë të ardhme është tani.

Kjo është arsyeja pse ne propozuam një propozim të ri dhe të qëndrueshëm për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili u miratua nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe që mbështetet në mënyrë aktive nga liderët tanë dhe partnerët tanë amerikanë.

E mirëpresim sinjalin e fortë dhe të inkurajues që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e dërguan nga Brukseli më 27 shkurt, kur e pranuan tekstin e këtij propozimi. Tani kjo marrëveshje duhet të jetësohet sa më parë të jetë e mundur nëpërmjet një udhërrëfyesi të qartë për rrugën e zbatimit të tij.

Qëllimi i negociatave kyçe të ardhshme nuk është të komplikojë atë që tashmë është rënë dakord, por më tepër të inkurajojë hapa konkretë drejt realizimit të saj. Ajo që të dyja palët duhet të shmangin është të riinterpretojnë fjalën e dhënë, sepse duke vepruar kështu do të shpërdoronin këtë mundësi unike dhe do të rrezikonin një bllokim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Kosova duhet t’i përmbushë detyrimet e saj për mbrojtje të komunitetit serb, përfshirë këtu ndërmarrjen e hapave për të krijuar një asociacion/bashkësi të komunave me shumicë serbe dhe të garantojë një mbrojtje të nivelit të lartë të objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Serbia duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një vend fqinj që ka perspektivën e vet evropiane dhe vendin e vet në bashkësinë ndërkombëtare.

Koha nuk është në favorin tonë. Dhe çka është më e rëndësishme, ajo nuk është as në anën e Kosovës e as të Serbisë. Duhet të jemi në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë, të vetëdijshëm për këtë momentum. Dështimi do të kishte pasoja.

Është e vërtetë se kjo kërkon mençuri dhe cilësi lidershipi nga të dyja palët, si dhe një qasje të përgjegjshme të të gjithë aktorëve politikë në Serbi dhe Kosovë, por është e realizueshme. Tani është koha e duhur! Si miq të Kosovës dhe si miq të Serbisë, ju premtojmë se do t’ju mbështesim në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian.

Shkrimi është botuar në gazetën serbe “Blic” dhe është përkthyer nga Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

lajme të ngjashme