Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Modeli serb i sovranitetit të dyfishtë mbi Kosovën

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 05.12.2023 14:02
Blerim Shala
Blerim Shala

Normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është synimi i dialogut të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit që zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, qysh nga pranvera e vitit 2011-të.

Kosova do të duhej të përfitonte, nga ky normalizim, në shumë dimensione, në shumë aspekte, ky dy më kryesoret kishin të bënin me sigurimin e një qëndrueshmërie afatgjatë të brendshme  (largimi i Serbisë, i strukturave të saja nga gjithë Kosova, veçmas nga Veriu), dhe arritjen e qëndrueshmërisë largëvajtëse të jashtme, përmes njohjes universale ndërkombëtare, apo, anëtarësimit të Kosovës në OKB, më pas, edhe në Alancën Veri-Atlantike dhe në BE.

Këtu, një hap madhor do të ishte njohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që deri tash kanë refuzuar ta bëjnë këtë gjë.

Serbia do të merrte në këmbim të një Marrëveshje ligjësisht obligative  (që ishte titulli ligjor i këtij normalizimi), anëtarësimin në BE, në një periudhë afatmesme, jo më larg se në vitin 2020.

Në anën tjetër, largimi i Serbisë nga Kosova, i strukturave të saja të sigurisë, të administratës, të financave, të pushtetit lokal, do të bëhej në atë mënyrë që të drejtat tashmë të kodifikuara për komunitetin serb në Propozimit Gjithpërfshirës të Presidentit Martti Ahtisaari  (CSP, mars, 2007), të ofrohen në atë mënyrë, në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, që të mos cenohet Kushtetuta e Kosovës dhe të mos dëmtohet funksionaliteti i pushtetit të Kosovës, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Prandaj, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili doli si model për arritjen e këtij qëllimi, nuk duhej të kishte kompetenca ekzekutive dhe as nuk mund të ishte nivel i tretë i pushtetit.

Kanë kaluar 12 vite e më shumë nga kjo gjetje fillestare politike në dialogun e Brukselit, dhe në ndërkohë, kanë ndodhur disa ndryshime, ku ajo më kryesorja përkon me synimin evident politik të Serbisë së udhëhequr nga Presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, i cili mbetet pa kurfarë dyshimi problemi kryesor për Kosovën, edhe në fazën e tanishme të bisedimeve, e cila ishte supozuar t’i dedikohej zbatimit të Marrëveshes Themelore dhe të Aneksit të Ohrit, te dyja këto të arritura gjatë këtij viti. 

Presidenti i Serbisë, siç është parë sidomos viteve të fundit, i sheh të ndërlidhura adresimin e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, me të drejtat dhe praninë e mëtejme të Serbisë në Kosovë.

Pra, Serbia do të duhet të jetë pjesë përbërëse e funksionimit të pushtetit në Kosovë, përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kështu pra, del që Vuçiq ka braktisur atë modelin fillestar të bisedimeve të Brukselit, apo, ka rishfaqur, me vitin 2018-të e tutje, një tjetër model të bashkëqeverisjes së autoriteteve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit me Kosovën, i cili siç e pati shpjeguar ai vet, nënkupton një sovranitet të dyfishtë mbi Kosovën.

Në territorin e Asociacionit, aty ku shumica absolute e popullatës përbëhet nga komuniteti serb, do të aplikohej sovraniteti i Serbisë.

Në pjesët e tjera të territorit të Kosovës, do të vlente sovraniteti i Kosovës.

Vuçiq edhe sot e kësaj dite nuk e ka ndryshuar këtë qëndrim të tij se si do të mund të rregullohej pushteti në Kosovë, në bazë të përbërjes etnike të pjesëve të ndryshme të Kosovës.

Çfarë normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte ky  (brenda territorit të Kosovës), apo, çka do të ndodhte me këto marrëdhënie, është lehtë të parashikohet.

Në të vërtetë, diçka e tillë do t’ia kalonte, për të keq, edhe mënyrës se si funksionon pushteti në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Do të harrohej Bosnja.

Akomodimi i komunitetit seb brenda shtetit të Kosovës ka qenë dhe mbetet interes jetik i instancave më të larta të pushtetit. Ky komunitet asnjëherë nuk ka qenë kërcënim për funksionimin e shtetit të Kosovës. Kjo është e qartë për të gjithë ne.

Por ky akomodim i komunitetit serb në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk duhet të nënkuptojë edhe akomodimin e shtetit dhe të pushtetit të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Serbia ka të drejtë të ndihmojë dhe të përkrah financiarisht dhe në shumë mënyrë të tjera këtë komunitet, gjë që është paraparë edhe me Propozimin e Presidentit Ahtisaari.

Por Serbia nuk ka çka të kërkojë në mënyrën se si do të organizohet vet-menaxhimi i komunitetit serb në Kosovë. 

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme