Mllefi kosovar me BE-në 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 27.06.2022 08:32 27.06.2022 08:32 Ta merr mendja që prej liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës varet fati i Evropës, siguria dhe stabiliteti i Bashkimit Evropian. Ta merr mendja që prej avancimit të rendit dhe të sundimit të ligjit në Kosovë, varet i gjithë konstrukti i drejtësisë evropiane. Ta merr mendja që vetëm nëse Kosova do të bëhet Zvicër, në të gjitha aspektet e mundshme, qytetarët e saj do të mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë, në atë hapësirën e Schengenit, dhe më pas Kosova do të mund të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Natyrisht, te këto tri fjali janë krejtësisht paradoksale. Nuk kanë gjë racionale në vete. Janë të mbushura ironi, sarkazëm, mbi të gjitha dëshpërim dhe mllef. Kjo gjendje emocionale është ‘status kolektiv’ i qytetarëve të Kosovës, të cilët qëmoti kanë mbetur pa asnjë shpjegim të qëndrueshëm politik, madje edhe qytetërues, për sjelljen e BEsë ndaj tyre, dhe ndaj shtetit të tyre. Nuk kemi ne çka të këqyremi në pasqyrë (identitare), për të gjetur farë të mete e cila na bën të papranueshëm për BE-në, apo për dikë në BE. Këtë këqyrje në pasqyrë duhet ta bëjë vetë BE-ja dhe shtetet kryesore të saja në te. Ne, këta që jemi, me të gjitha gabimet e dështimet, por edhe arritjet dhe sukseset që i kemi shënuar prej atyre ditëve të para të çlirimit e deri më sot, gjithsesi edhe falë përkrahjes politike, ekonomike dhe financiare të SHBA-së dhe të BE-së, e dimë shumë mirë çka duam, çka synojmë, çka dëshirojmë. Ne duam ta shohim flamurin e Republikës së Kosovës si pjesë të Aleancës Veri-Atlantike, të BE-së, gjithsesi, edhe të OKB-së. Kush këtu nuk ka dyshim për këtë. Por çka dëshiron në të vërtetë BE-ja në Kosovë, dhe jo vetëm këtu, por në gjithë Ballkanin Perëndimor, këtë, mbase, nuk e di kush në Bruksel. Ai yryshi ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën, në fund të muajit shkurt të këtij viti, dukej që do ta këndellë Evropën, apo, do të ndikojë që në BE të ringjallet ai sensi gjeo-politik, për të cilin zatën u fol shumë në qershorin e vitit të kaluar (2021), pas mëkëmbjes së partneritetit trans-atlantik, me vizitën e parë të Presidentit Amerikan Biden në Bruksel, në kryeqytetin e Paktit NATO dhe të BE-së. Reagimet e para të BE-së pas invadimit të Ukrainës nga Rusia, dukeshin të tilla. Por, me të kaluar koha që matej me ditët dhe javët e ‘Frontit të Ukrainës’, kur u kuptua që Armata ruse nuk do ta fitojë luftën për pak ditë dhe javë, BE-ja iu kthye atij emëruesi të përbashkët që krijohet mbi fjalët dhe dukuritë: matje, pritje, proces, dyshim, zvarritje. Kështu ishte edhe në këtë Samitin e fundit të Këshillit Evropian që mbledhë krerët e 27 shteteve anëtare të BE-së. Ukraina dhe Moldavia, falë Rusisë (çfarë absurdi në vete është ky fakt), fituan statusin e shtetit kandidat për inkuadrim në BE, teksa shtetet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, nuk morën gjë prej gjëje nga Bashkimi Evropian. Asnjë arsye, asnjë justifikim, asnjë shpjegim për këtë sjellje të Brukselit zyrtar karshi Ballkanit Perëndimor nuk mund të gjindet dot. Por na takon neve, si kosovarë, të jemi shembulli më i keq dhe më brutal i mundshëm i kësaj politike të Bashkimit Evropian. Javëve të fundit pati një mobilizim gjithandej në Evropë, i cili prihej nga Qeveria e Gjermanisë e Kancelarit Scholz, që në fund të qershorit të mirrej vendimi në BE në favor të liberalizimit të vizave për kosovarët. Nuk ka pasur në të kaluarën një mësymje e këtillë e përbashkët në Evropë, kur bëhet fjalë për këtë të drejtë, të cilën sipas kritereve të BE-së, kosovarët e kanë merituar që nga muaji mars i vitit 2018. Madje, edhe Parlamenti i Holandës, me një votë bindëse u shpreh në favor të liberalizimit të vizave. Megjithatë, e tëra ishte e kotë. Dihet pse. Kosova e vogël po shfrytëzohet po dofarë fushëbetejash të çuditshme politike, të cilat nuk i kupton kush në Bruksel. Por ne jemi viktimë e tyre. Kolektivisht. Ne si Kosovë, dhe në masë të madhe, i tëri Ballkani Perëndimor. Sjellja e këtillë e BE-së ndaj nesh, çuditërisht, shfaqet edhe në trajtë të shfajësimit të thuaja të gjitha gabimeve politike me ‘origjinë vendore’, të cilat kishin hise të madhe në atë humbjen e momentumit për liberalizimin e vizave në pranverën e vitit 2016. Është vështirë t’i besohet këtij Bashkimi Evropian. Teksa ne, si Kosovë, nuk kemi zgjidhje tjetër. Dhe kjo situatë, si e tillë, nuk ka si të mos bëhet burim i frustrimeve të mëdha tek secili prej nesh. Përditë e më shumë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.