Mesianizmi zgjedhor i 14 shkurtit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 26.01.2021 16:36 26.01.2021 16:36 Politikë, jetë dhe probleme do të ketë sa të duash në Kosovë edhe pas 14 shkurtit. Kushdo që do ta bëjë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, do të duhet të merret me adresimin dhe zgjidhjen e problemeve kryesore që ka ky shtet dhe qytetarët e tij. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, sipas të gjitha gjasave, siç po kuptohet për çdo ditë e më shumë, do të jenë garë votuese dhe përplasje e madhe politike në mes të Popullizmit dhe Demokracisë në Kosovë, me gjasa të mëdha të ngadhnjimit të Popullizmit. Demokracia si model qeverisjeje dhe si ofertë zgjedhore është gjithmonë e ndërlikuar. Secila parti që synon të marrë pushtetin në zgjedhjet e pesta të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, duke respektuar në plotëni demokracinë si model të udhëheqjes me një shtet, nuk ka si t’i shmanget përpjekjes për t’i adresuar problemet kryesore politike, ekonomike, sociale, shoqërore në këtë shtet. Tej adresimit, vijnë pastaj edhe propozimet se si do të mund të zgjidheshin këto probleme. Natyrisht, kudo në demokracitë e Perëndimit, nuk ka rëndësi vetëm çka ofrohet dhe çka propozohet në këtë Pakon parazgjedhore, por edhe kush dhe si e bën prezentimin e saj. Prania apo qenia në pushtet për vite të tëra, gjithsesi shfaqet në trajtë të dukurisë të shterjes politike, e cila është një deficit i madh për këdo që garon në zgjedhje me këtë tipar. Pastaj, mos-përmbushja e premtimeve të kaluara parazgjedhore, nuk ka si të mos reflektohet në shkallën e besimit të qytetarëve të Kosovës në një lider dhe në një parti. Ta zëmë, në rastin e Kosovës, kryepolitikanët e vendit, në harkun kohor 2010-2019 (deri në zgjedhjet e kaluara parlamentare), kanë premtuar në vazhdimësi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, teksa tani, për shkak të rrethanave të njohura (në Bashkimin Evropian), pakkush ka guximin në këtë skenën politike të vendit, ta bëjë një zotim të kësisojt kategorik për fitimin e kësaj të drejte, të merituar përndryshe, tash e gati tre vjet (pas përmbushjes së kriterit të fundit, të 95-tit, për Liberalizimin e vizave). Në anën tjetër, është shumë vështirë të pajisen me ‘Certifikatën e kredibilitetit’ (nëse mund të shprehemi në këtë mënyrë), të gjitha ato premtimet para-elektorale për rritjen e pagave, për ndryshimin substancial të statusit ekonomik të gjithë Kosovës dhe statusit social të secilit prej nesh. Miliarda euro dalin prej ‘Bankave parazgjedhore’ partiake pa kurfarë mëdyshjeje, dhe pa asnjë mbështetje, teksa me përjashtim të përkrahësve këmbëngulës partiakë, është vështirë të gjindet kush në Kosovë, veçmas tek ata që rëndom nuk votojnë fare, i cili do ta ndryshojë mendjen dhe do të votojë me 14 shkurt, pikërisht duke marrë parasysh këtë ofertë të madhe ekonomike dhe sociale. Për shkaqe të shumta pra, nuk është lehtë fare që me një qasje të rëndomtë parazgjedhore, të mobilizohet vota tradicionale në Kosovë, e lëre më të ‘zgjohet’ ai ‘votuesi i fjetur’, i cili nuk preferon të jetë pjesë përbërëse e procesit të votimit. Për këtë arsye, ‘Raskapitja e politikës tradicionale’ në Kosovë (një dukuri për të cilën gjithsesi vlen të flitet, të shkruhet dhe të debatohet, gjë që nuk ka ndodhur tek ne), sipas të gjitha vlerësimeve, do t’i japë frymë dhe mbështetje të madhe diskursit Popullist në politikën kosovare. Për Popullizmin kudo në Botë, gjithsesi edhe tek ne, kur bëhet fjalë për garën zgjedhore, vlen një thjeshtëzim i madh i dukurive politike, i cili pastaj përcjellet edhe me reduktimin e krejt një politike në liderizmin konkret, apo, në emrat dhe mbiemrat e prijësve të cilët ndërlidhin gjithë ofertën apo propozimin politik me identitetin e vet politik si të tillë. Në këtë kontekst, Popullizmi ofron formula shumë të thjeshta politike për qytetarin, të cilat do të mundësojnë që qytetarët/ votuesit, të rreshtohen (në rreshtat sa më të gjatë të mundshëm), prapa një lideri dhe një formule të këtillë gjithpërfshirëse dhe krejtpërmbledhëse. Në rastin e Kosovës, para votimeve të 14 shkurtit, në këtë frymë edhe insistimi i një partie politike që këto zgjedhje t’i paraqesë si një Referendum të mirëfilltë. Dihet se kur dhe si në një shtet (me përjashtim të Zvicrës, ku Referendumet mbahen shpesh, për temat lokale, shtetërore dhe shoqërore), organizohet Referendumi. Referendumi mbahet rrallë në një shtet, dhe ai thuaja gjithmonë ka të bëjë me fatin dhe statusin nacional dhe shtetëror, apo me vendimet madhore të cilat nuk mund dot të mirren prej një Udhëheqësie e cila ndryshe, ka legjitimitetin e plotë për të gjitha çështjet. Kështu ka qenë me Kosovën kur në vitin 1991 u mbajt Referendumi për pavarësinë e Kosovës, në rrethanat e një okupimi të egër nga Serbia. Kështu ishte edhe me insistimin e Delegacionit të Kosovës, në Konferencën Paqësore të Rambouilletit (1999), që pranimin e Marrëveshjes së Rambouilletit ta kushtëzojë dhe ta ndërlidhë me të drejtën që populli në Kosovë tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, me Referendum të vendosë për statusin e Kosovës. Referendumi gjithmonë është i thjeshtë, dhe me një ‘po’ dhe një ‘jo’, e drejton një shtet, një komb, një shoqëri. Pastaj, në Referendum, fituesi i merr të gjitha, apo, në bazë të kritereve të cilat zakonisht përcaktohen për ta bërë legalisht valid një votim të kësisojt, shumica prej 50%+1 vote të rëndom 50% të votuesve të regjistruar (ky është minimumi i votuesve të cilët duhet të marrin pjesë në një Referendum), vendosë për të gjithë, apo, ata që kanë votuar ndryshe, e që mbeten në pakicë, obligohet ta respektojnë vullnetin e shumicës që është përcaktuar për një çështje të rëndësisë sipërore. Në rastin e zgjedhjeve në Kosovë, Referendumi si koncept nuk përdoret si një metaforë politike (qysh mund të duket në shikim të parë), por është thelbi i kësaj politike të përfaqësuar prej një partie politike. Qëllimi është fare i qartë. Duhet të krijohet përshtypja që në zgjedhjet e 14 shkurtit, janë vetëm dy opsione, dy mundësi, dy rreshta politik, edhe pse si rëndom, në këto votimet kosovare (njëlloj si kudo tjetër në Botë ku ka zgjedhje të lira dhe demokratike), ka sa të duash oferta dhe lista për t’u votuar. Pra, me modelin e Referendumit, nëse ai aplikohet në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka vetëm votë ‘për’, dhe votë ‘kundër’, teksa dihet se kush e përfaqëson këtë votën ‘për’, si figurë politike, si subjekt, si ofertë, dhe kush bën krejt pjesë në atë ‘kampin’ e votës ‘kundër’. Në këtë mënyrë synohet të bëhet një mobilizim i jashtëzakonshëm politik në vend dhe në Diasporë, duke i dhënë një karakter mesianik votimeve të 14 shkurtit, kur gjithçka mund të merr fund për të keq një herë e përgjithmonë (nëse vazhdohet me të vjetrën), ose çdo gjë mund të ndryshojë një herë e mirë. Politikë, jetë dhe probleme do të ketë sa të duash në Kosovë edhe pas 14 shkurtit. Kushdo që do ta bëjë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, do të merret me politikë, do të duhet të merret me adresimin dhe zgjidhjen e problemeve kryesore që ka ky shtet dhe qytetarët e tij. Ky është zatën thelbi i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.