Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mendja e shëndoshë dhe vdekja klinike

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 30.04.2024 08:51
Blerim Shala
Blerim Shala

A do ta mbijetojnë Marrëveshja themelore e Brukselit  (shkurt, 2023) dhe Aneksi i Ohrit  (mars, 2023) anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës, në votimin e Komitetit të ministrave që pritet të ndodhë me 17 maj?

Kjo pyetje është tashmë e tepërt për analistët me prirje cinike  (apo, madje, me prirje realiste). Ata do të thonë që në të vërtetë, Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit nuk mbijetuan dotë as disa javë  (apo, edhe vetëm disa ditë), pasi ndodhi dakordimi verbal në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Shkurt, këto Marrëveshje patën ‘defekte në lindje’, apo, u krijuan me probleme të cilat është dashtë të adresoheshin në ato ditët gjatë negociimit të tyre, duke nisur këtu prej faktit bazik se ato do të duhej të nënshkruheshin nga autoritetet më të larta të Kosovës dhe të Serbisë.

Deklaratat e shumta të instancave më të larta evropiane, si dhe të diplomatëve të njohur evropianë dhe amerikanë që këtu kemi të bëjmë me Marrëveshje ligjërisht obligative, dhe që te dy palët detyrohen t’i përmbushin ato pikë për pikë, u vunë në tallje shumë herë nga lideri serb Vuçiq, i cili deklaroi që për te autoriteti më i lartë është Kushtetuta e Serbisë, dhe që ai do t’i zbatojë vetëm ato Nene të Marrëveshjeve të cilat nuk bien në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit të vet. Për më tepër, ai do të përsëritë pa ja nda që Kosova nuk mund të hyjë në OKB, dhe që ai dhe pushteti serb nuk e respektojnë integritetin territorial të Kosovës.

Në këtë mënyrë, Vuçiq, atë tavolinën e bisedimeve dhe të dakordimeve në Bruksel dhe në Ohër, e ktheu në një ’Tavolinë suedeze’, ku ky mund të merr vetëm atë çka i konvenon atij, apo, për të cilën gjë ky ka ’shije’.

Nga ky pikëshikim pra, dyluftimi i ashpër Kosovë – Serbi që po ndodhë javëve të mbrama në temën e kërkesës së Kosovës për të hyrë në organizatën më të vjetër evroiane  (e cila sivjet shënon 75 vjetorin e ekzistencës), apo, në Këshillin e Evropës, realisht nuk sjell kurfarë risie, apo, mund të thuhet që nuk paraqet kurfarë befasie.

Çfarëdo leximi që mund t’i bëhet Marrëveshjes themelore  (e cila është rezultat i nismës franko-gjermane për t’i dhënë shtytje ndërmarrjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë), nuk i shmanget dot konkludimit që ajo i sheh Kosovën dhe Serbinë si dy shtete të pavarura, të cilat nuk mund ta përfaqësojnë njëra-tjetrën në Bashkësinë Ndërkombëtare. Për më shumë, Serbia obligohet, në bazë të Nenit 4 të kësaj Marrëveshjeje, që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare  (pra, edhe në OKB).

Asnjë ditë të vetme pushteti serb i përfaqësuar në mënyrë absolute prej Presidentit Vuçiq, nuk e ka respektuar këtë fakt.

Për këtë shkak, zatën, ka organizuar një fushatë më të egër të mundshme kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse madje, kjo organizatë nuk ka përbërë më parë atë ’Vijen e kuqe’ të Vuçiqit  (më para ky thoshte që kjo përkon me hyrjen eventuale të Kosovës në OKB).

Në të vërtetë, gjithçka në Kosovë dhe rreth Kosovës paraqet ’Vijën e kuqe’ për liderin serb.

Pra, cilidoqoftë epilogu i mësymjes së Kosovës për të qenë pjesë përbërëse e Këshillit të Evropës, kjo nuk do të ketë efekt të menjëhershëm dhe të papritur në rrjedhën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse ky dialog realisht tash e sa kohë është në gjendje të një ’vdekjeje klinike’.

Kjo zatën u konfirmua në mënyrën më brutale të mundshme me diskutimet e përfaqësuesve të Serbisë në PACE  (Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës), të cilat ishin në kundërshtim të madh me politikën e sotme evropiane, me bashkëpunimin rajonal, me mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, më në fund, edhe me mendjen e shëndoshë.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme