Malli për jetë të zakonshme 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 31.10.2022 19:07 31.10.2022 19:07 Janë një mori shkaqesh, dikujt i pëlqejnë teprimet, mund të thotë që janë madje një mijë (shkaqe) të tilla, pse jeta e shqiptarëve në Kosovë është kaq e ndërlikuar. Rreshtimi i këtyre arsyeve, pse jeta jonë ka sot fare pak lidhje me atë ekzistencën pak a shumë të arsyeshme, të thjeshtë, të kuptueshme dhe të parashikueshme, në tërësinë e tyre do ta bënte gjithë një histori tonën, në gjithë shekullin e kaluar dhe më pas, kur më në fund u krijuan rrethanat vendore dhe ndërkombëtare që ne të jemi të lirë, dhe të bëhemi zot të vetëvetes. Çka nuk përjetuam të gjithë ne, si kolektivitet, si shqiptarë të Kosovës, prej atij vitit të largët 1912 (kur u okupuam si popull shqiptar nga Serbia), kur u shndërruam, realisht, në robër në tokën tonë, dhe kur vazhdimisht, deri në vitin 1999, klasifikoheshim si të huaj në Atdheun tonë. Si të tillë, ishim të ‘kualifikuar’ për burgje, për varre, për sakrifikim, për largim nga Kosova. Asgjë të natyrshme dhe normale nuk kishte në këtë statusin tonë të imponuar me dhunë politike dhe me zullum të gjithfarshëm policor dhe ushtarak të Serbisë, herë të quajtur Mbretëri SKS (Serbo-kroate-sllovene), herë Republikë komuniste (RSFJ), më në fund, si Republikë e Serbisë dhe e Malit të Zi (RFJ). Nuk kishte këndejpari gjë private, gjë individuale, gjë familjare, madje. Pas çlirimit (në vitin 1999), jo vetëm në vijim të synimeve tona si popull, për ta bërë Kosovën demokraci, por edhe sepse të tillë e dashtën edhe SHBA-ja dhe Perëndimi, ne nisëm një transformim të madh si politikë, si shoqëri, si familje, si individ. Çka nuk ndodhi këndjepari në ato vitet e Administratës Ndërkombëtare (UNMIK-ut). Fillimisht ne, por edhe miqtë tonë më të mëdhenj perëndimor, menduam që askush nuk mund të na ndalë të bëhemi Zvicër e Ballkanit. Harruam që ende kishim barrën e historisë së rëndë mbi supe, që çdo hap e bënim me një peshë prej dhjetëra kilogramë mbi shpinë, që më në fund, ne, që ishte e vërtetë, kishim dalë nga një epokë e tmerrit, apo që kishim shpëtuar nga një robëri e egër, por që çlirimi i mirëfilltë nënkuptonte një ndryshim susbtancial të secilit prej nesh. Na duhej, tek e mbrama, adresa e sakt se çka jemi si popull politik, çka është Kosova si atdhe i joni. Kjo u arrit në vitin 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavaësinë, kur ne të gjithë u bëmë nënshtetas të tij, kur mori formën e prerë identiteti i jonë politik. Por telashet nuk morën fund këtu. Këtu, në gjithë këtë tekst, ne i flasim njeri-tjetrit. Secili prej nesh, me do fjalë ndryshe, (por me një përfundim të njejtë), do ta mund ta bënim këtë shkrim. Hesapet me Serbinë nuk kanë përfunduar ende. Kemi fituar në luftë, kemi fituar në politikë, kemi fituar edhe në gjyq madje (në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në ICJ, në muajin korrik të vitit 2010), në të gjitha bisedimet e mundshme me përfaqësuesit e Serbisë (që nga viti 1998 e deri më sot, në 24 vjet të plota, pra). Megjithatë, ende nuk kemi një Marrëveshje me Serbinë. Jo sepse ne nuk duam, por sepse në Beograd tutje nuk ka marrë formë të prerë mendimi politik që Kosova është humbur, apo, se kurrë nuk është dashtë të ‘fitohet’, në atë vitin 1912, në një tokë të huaj dhe me një popull të huaj që nuk ka gjë të përbashkët me Serbinë dhe me serbët. Që nga viti i largët 1990, kur u krijua Lëvizja politike për pavarësinë, në krye me Dr.Ibrahim Rugovën, ne kemi ditur çka duam, edhe pse pos vullnetit dhe kësaj dije, së paku në fillimet e saj, nuk kemi pasur gjë në duartë tona. Kjo dije është ende këndejpari. Nuk ka ndryshuar gjë. Shteti i Kosovës dëshiron dhe synon të jetë pjesë politike, ushtarake dhe ekonomike e Perëndimit, si anëtar të Aleancës Veri-Atlantike, si pjesë e BE-së, si shtet të cilit do t’i ngritet flamuri edhe në East River, në selinë e OKB-së në New York. Nuk jemi edhe aq larg këtyre arritjeve. Kur e rikëqyrim këtë ecjen tonë si popull, prej vitit 1990 e deri më sot, në 32 vitet e kaluara, mund të jemi, me plot të drejtë, krenar për ku kemi mbërri sot. Megjithatë, në ndërkohë, nuk jemi më të njejtë si individ dhe si popull. Jemi mërzitur me varëshmërinë nga dialogu i Brukselit, jemi frustruar me sjellen e BE-së ndaj nesh, veçmas kur bëhet fjalë për të drejtën që të udhëtojmë pa viza në Evropë, jemi të lodhur me mungesën e arritjeve të pritura dhe të supozuara të shtetit të Kosovës. Kemi pritur më shumë prej tij. Dhe shteti ka pritur më shumë prej nesh. Varëshmëria reciproke është e madhe. Në mes nesh, si qytetarë, dhe shtetit të Kosovës. Kështu ka qenë edhe kur shteti i Kosovës ka qenë vetëm një projeksion politik. Kështu është sot. Kështu do të jetë gjithmonë. Këtë e dimë mirë të gjithë. Sa herë që atë zhurmën e madhe të një dite të zakonshme e lëmë anash për pak mendim në vete, e kuptojmë që nuk kemi si të ndalemi. Duhet ta kryejmë ashtu si duhet, ashtu si e meritojmë, këtë rrëfimin për fatin tonë, dhe për fatin e shtetit të Kosovës. Atëherë do ta jetojmë një jetë më të thjeshtë, më normale, më të zakonshme. ©klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.