Luftërat e fabrikuara dhe paqja artificiale 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 10.08.2022 16:03 10.08.2022 16:03 Ne kemi qenë viktima në luftë, por unë do të gjunjëzohem dhe do t’i lus për paqe. Neve na është bërë një padrejtësi e madhe prej tyre, por unë nuk kam rrugë tjetër pos që vendi im të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Këto ishin pak a shumë dy porositë kryesore të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në shënimin e përvjetorit të aksionit ushtarak dhe policor ‘Oluja’ (‘Stuhia’), të shtetit të Kroacisë në muajin gusht të vitit 1995. Në këtë mënyrë dhe me këtë qasje, Vuçiq dhe pushteti i tij tash e tetë vjet të plota merren me këtë kapitullin e historisë së re të kësaj ane të Evropës, i cili iu qep, me pak javë dallim, gjenocidit të Ushtrisë së Republika Srpska-s në Srebrenicë, ku mbi tetë mijë burra dhe fëmijë u vranë. Në fjalimin e tij të mbajtur në Novi Sad para pak ditësh, presidenti i Serbisë me asnjë fjalë të vetme nuk u mor me viktimat e popujve të tjerë në luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë (që nisën me Slloveni dhe Kroaci, në vitin 1991, e përfunduan në Kosovë, në vitin 1999), të cilat, prej të parës dhe deri në të fundit (bëhet fjalë për katër luftëra), janë shkaktuar prej Serbisë së Slobodan Millosheviqit. Kjo histori, e njohur për të gjithë, pa të cilën nuk do të krijoheshin shtetet e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi (më në fund, edhe vet Serbisë), kjo histori e krimeve dhe tragjedive, e cila është sanksionuar edhe me Aktgjykimet e Tribunalit të Hagës për krime lufte në ish-RSFJ, nuk ka kurrfarë vlere dhe asfarë peshe për pushtetin e tashëm të Serbisë, i cili njeh si autoritet të vetin thuaja absolut, Aleksandar Vuçiqin. Kjo u kuptua edhe një herë në këtë Ceremoninë e përkujtimit të ‘Olujës’. Natyrisht, këto fjalë dhe këto porosi kanë një konotacion krejt tjetër në gushtin e vitit 2022, krahasuar me atë gushtin e vitit të kaluar, dhe të të gjitha viteve pararendëse. Një Rend i tërë ndërkombëtar është fundosur në një humnerë të madhe të cilën e ka çelur Rusia e Vladimir Putinit me nisjen e Luftës në Ukrainë. Serbia e Aleksandar Vuçiqit ka mbetur tutje e papërcaktuar me kë është në të vërtetë. Teksa në ato javët e parë pas invazionit ushtarak të Rusisë, në muajin mars, dukej që hap pas hapi, Aleksandar Vuçiq dhe Serbia do të lëvizin kah Evropa dhe Perëndimi, në muajtë e fundit, po ndodhë e kundërta: hap pas hapi, presidenti i Serbisë dhe Serbia, po i bëjnë lëvizjet prapa, kah pozicioni i mbajtur më para. Nuk duket, së paku tash për tash, që pushteti në Serbi do të paguajë ndonjë çmim politik dhe ekonomik për asnjanësinë e tij politike dhe strategjike. Nuk ka dayshim që Serbia ka ngecur në procesin e integrimit të saj në BE, por edhe ashtu, BE-ja është ndalur krejtësisht kur bëhet fjalë për zgjerimin e vet kah shtetet e Ballkanit Perëndimor, prandaj, ky vendnumërim nuk duket që do të ketë pasoja të mëdha për Serbinë e sotme. Sidoqoftë, dy porositë kryesore të presidentit të Serbisë në Novi Sad, pos që janë fabrikim i kulluar politik dhe historik, janë tej mase shqetësuese për të ardhmen e rajonit i cili ka kaluar nëpër tragjedi të njëpasnjëshme, të prodhuara në Beograd nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Këto nuk janë mesazhe paqeje. Përkundrazi. As nuk janë mesazhe që dëshmojnë orientimin pro-evropian të Aleksandar Vuçiqit. Përkundrazi. Nëse shtetet dhe popujt fqi të Serbisë, janë përgjegjëse për luftërat e viteve të nëntëdhjeta, siç pohon lideri serb, atëherë, e tëra kjo çfarë të gjithë ne po e jetojmë tani, është vetëm një armëpushim i përkohshëm, deri në fillim të një lufte të re. Nëse Perëndimi, në radhë të parë SHBA-ja dhe shtetet e BE-së (në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike), kanë ushtruar padrejtësi historike mbi Serbinë, nuk mund kjo padrejtësi të tejkalohet lehtë, duke thënë, siç po pohon tash e sa kohë, presidenti i Serbisë, që Serbia nuk ka tjetër fat dhe tjetër solucion, pos hyrjes në Bashkimin Evropian. Te dyja këto porosi janë kundërthënëse, konfuze, frustruese dhe problematike. Aleksandar Vuçiq dhe politikanët serbë në Beograd, nëse njëmend duan që Serbia të rreshtohet krahas shteteve të tjera anëtare të BE-së, e kanë detyrim politik, historik dhe moral, ta pranojnë historinë e re të këtyre anëve të Evropës, dhe përgjegjësinë e Beogradit zyrtar për këtë histori. Nëse nuk do të jenë në paqe me këtë histori, nuk mund të jenë kurrë në paqe me shtetet dhe popujt e tjerë të këtyre hapësirave. E pa qenë në paqe me këto shtete dhe këta popuj, Serbia nuk do të mund kurrë të bëhet pjesë e BE-së. ©Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.