‘Luftë dhe Paqe’ në mes të Rusisë dhe Perëndimit (III) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 01.02.2022 15:10 01.02.2022 15:10 Blerim Shala Kosova dhe kriza më e re ndërkombëtare Katër ngjarje shumë të rëndësishme në të kaluarën, kanë përcaktuar, në mënyrë të pakthyeshme, pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, kur bëhet fjalë për kundërshtimet në mes të Federatës së Rusisë dhe Perëndimit, të cilat kanë marrë një hov të ri shumë problematik dhe tensionues në javët e fundit, me grumbullimin e forcave ushtarake ruse në brezin kufitar me Ukrainën. E para ka të bëjë me qëndrimin e Rusisë së Presidentit Yeltsin në përpjekjet e përbashkëta, në kuadër të Grupit të Kontaktit (së bashku me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë), për të gjetur, në harkun kohor mas 1998, mars 1999, një solucion paqësor për Kosovën. Për më shumë, pa përkrahjen e Moskës zyrtare për Nismën e G-7-tës dhe Rusisë (në muajin maj, qershor të vitit 1999), dhe pa rolin që ish-Kryeministri rus Viktor Chernomyrdin, së bashku me Presidentin e Finlandës, Martti Ahtisaarin, e pati në bisedimet me Presidentin e RFJ-së, Slobodan Milošević, Fushata a Aleancës Veri-Atlantike dhe lufta në Kosovë nuk do të përfundonin në muajin qershor të vitit 1999. Mund të paramendohet, qoftë edhe për pak çaste, si do të rrjedhte Konferenca e Rambouilletit (apo, a do të mbahej fare), sikur një tjetër Rusi, me një tjetër lider (çfarë është Vladimir Putin), do të ishte në fuqi në vitet e luftës në Kosovë. Ngjarja e dytë sërish lidhet me vitin e madh të Kosovës, atë 1999-të. Me 12 mars të këtij viti, pak para se në Paris të mbahej Kapitulli i Dytë i Konferencës së Rambouilletit, Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke do të anëtarësohen në Paktin NATO. Ato do të marrin pjesë në Samitin e njohur të Washingtonit, të mbajtur në muajin prill, kur u shënua 50 vjetori i Aleancës Veri-Atlantike, dhe kur edhe një herë u ri-konfirmua zotimi që në Fushatën e NATO-s për ndaljen e luftës në Kosovë do të shkohet deri në fund. Aleanca më e fortë ushtarake në historinë e njerëzimit, kurrë nuk ka qenë më e fuqishme se në pranverën e vitit 1999. Kjo do të dëshmohet në vijim të një tjetër zhvillimi që ka mundur të ketë pasoja të mëdha, mbase edhe të pandreqeshme për Kosovën e pasluftës. Pasiqë disa qindra forca ruse, të cilat në Kosovë mbërritën me 11 qershor në mbrëmje (duke e braktisur Misionin e SFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë), morën nën kontroll Aeroportin e Prishtinës, Qeveria e Rusisë (në një kthesë të papritur asokohe për Perëndimin), kishte planifikuar që në këtë Aeroport të dërgojë, përmes një desanti ajror, mijëra trupa të tjera, për të krijuar një situatë shumë të vështirë për Misionin e KFOR-it i cili nisi të vendosej në Kosovë nga orët e hershme të 12 qershorit. Mund të supozohet se çka do të ndodhte në atë rast në Kosovë, veçmas në vijim të Planeve të pushtetit të Milošević-it në Beograd, që një pjesë e mirë e Kosovës të ndahet dhe t’i bashkohet Serbisë. Ky desant ajror dështoi, sepse të gjitha shtetet në hapësirat ajrore të të cilave duhej të kalonin forcat ruse, refuzuan (për shkak të ndikimit të SHBA-së, apo edhe sepse tashmë këto shtete ishin bërë anëtare të Paktit NATO), t’i dhënë leje për kalim këtyre forcave. Ngjarja e katërt është paska më e re, dhe ajo mbanë datën e 2 korrikut të vitit 2003. Atë ditë, në Prishtinë u mbajt një Ceremoni në Shtabin Qendror të KFOR-it, në shenjë të falënderimit të rolit që forcat ruse patën në kuadër të KFOR-it, sepse pikërisht me 2 korrik, edhe ushtarët dhe oficerët e fundit rus u larguan nga Kosova. Sikur këto trupa të ishin ende të pranishme në Kosovë, gjithsesi për Kosovën, SHBA-në dhe Aleancës Veri-Atlantike, do të kishte pasoja të mëdha në gjithë rrugëtimin e Kosovës, i cili njeh si datë kulmore 17 shkurtit e vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur. Megjithatë, një tjetër Rusi, ajo e Vladimir Putin-it, në pranverën e vitit 2007-të, (dhe më pas, në dimrin e po atij viti), pati një rol kryesor që Propozimi i Presidentit Ahtisaari nuk u mbështet me një Rezolutë përkrahëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me ç’gjë, Kosova brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mund të anëtarësohej në OKB. Rusia kësaj here shfrytëzoi rastin e Kosovës në përplasjen e re, të sapofilluar me Perëndimin, duke pasur si justifikim faktin që Lidershipi i atëhershëm i Serbisë nuk ishte pajtuar me Propozimin Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës, si ’Pavarësi, fillimisht e mbikëqyur ndërkombëtarisht’. Një kthesë e këtillë në politikën e Rusisë u bë e qartë në fjalimin e njohur të Putin-it, në muajin shkurt të vitit 2007, në Konferencës e Sigurisë në Mynhen. Për më shumë, kjo politikë mori trajtat e pranisë më të theksuar në Rusisë në Serbi (më së shumti), në Bosnjë dhe Hercegovinë (në Republika Srpska-n), pastaj, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Por, kjo prani dhe gjitha ndërmarrjet e Moskës zyrtare, nuk arritën dot ta ndalin zgjerimin e Aleancës Veri-Atlantike në këtë pjesë të Evropës, me anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Viti i kaluar në këtë kontekst, ka një peshë të madhe, në vijim të një përkushtimi të ri të SHBA-së dhe BE-së, përmes mëkëmbjes së partneritetit transatlantik, që të shkohet deri në fund në integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Zonën politike, ekonomike dhe të sigurisë të Perëndimit. Vlera e këtij zotimi, sipas të gjitha gjasave, vetëm sa është rritur këtyre javëve të fundit, të cilat karakterizohen me përplasjen e madhe (politike dhe diplomatike në rrethanat e tanishme), të Rusisë dhe Perëndimit rreth Ukrainës dhe fatit të saj gjeo-politik. Kosova, por edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, do të duhej ta shfrytëzonin maksimalisht këtë momentum politik, diplomatik dhe të sigurisë, ashtuqë një herë e mirë të sigurohet stautusi ndërkombëtar i tyre si shtete të cilat janë pjesë e Perëndimit, në të gjitha aspektet e mundshme. ©klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.