Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

‘Luftë dhe Paqe’ në mes të Rusisë dhe Perëndimit (II)

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 31.01.2022 10:04

Rendi i Rrëmujave ndërkombëtare

 Cila është Bota e vitit 2022? A po kthehemi në histori, në atë epokën para Luftës së Parë Botërore?

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tashmë ka arritur disa suksese evidente në këtë përplasjen ushtarake-diplomatike me Perëndimin, të cilat mund të klasifikohen si fitoret e tij taktike.

SHBA-ja dhe i gjithë Perëndimi pohuan disa herë që nuk do të luftojnë në Ukrainë, në mbrojtje të këtij shteti, nëse do të ndodhë pushtimi i saj nga Rusia.

Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë po kuptohet që nuk ka unitet në mes të SHBA-së dhe Perëndimit  (Bashkimit Evropian), në reagimet apo përgjigjet jo-luftarake në rast të shpërthimit të luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Tutje, Putin po negocion me SHBA-në e jo me shtetet e BE-së  (siç ka qenë më parë, me angazhimin e Gjermanisë dhe të Francës), një Marrëveshje eventuale për tejkalimin e kësaj krize, duke pohuar, në këtë mënyrë, që BE-ja nuk ka potencial të mirëfilltë politik për tu marrë me këto tema.

Ai, në këtë mënyrë, njëkohësisht synon të poshtërojë BE-në, dhe mundësisht, të krijojë sa më shumë çarje në partneritetin trans-atlantik në mes të SHBA-së dhe Evropës, pa të cilin nuk ka Aleancë Veri-Atlantike dhe nuk ka Perëndim politik.

Më në fund, Putin, kështu, me krijimin e qëllimshëm të krizës rreth Ukrainës, dërgon mesazhin që ai dhe Rusia, e jo Kina, janë sfidues kryesor të SHBA-së dhe Perëndimit, duke i ‘replikuar’, në këtë mënyrë vlerësimeve të Administratës së Presidentit Biden që Kina është kërcënimi kryesor për SHBA-në dhe Perëndimin.

Kështu Rusia, GDP-ja  (bruto prodhimi i brendshëm), e së cilës është e njejtë me atë të Spanjës, përmes politikës së Putin-it po mundohet të luajë një rol ndërkombëtarë, të bazuar mbi fuqinë e potezit të parë, të kërcënimit të sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare, të mungesës së guximit të Perëndimit për tu bërë pjesë e ndonjë lufte të re, të periudhës së një depresioni politik në Amerikë të shkaktuar nga katastrofa e tërheqjes ushtarake nga Afganistani, etj.

Më në fund, në rastin e Rusisë, e gjithë vendimmarrja është e përqëndruar në një njeri të vetëm: Në Putin-in.

Në Perëndim, vendimmarrja është tej mase e ndërlikuar, dhe ajo njeh negociata dhe bisedime të rënda të brendshme, për të arritur  (eventualisht), tek një qëndrim i unifikuar, para se të negociohet me palën kundërshtare.

Kështu, Rusia e Putin-it, vjen e prezentohet si një fuqi  (edhe pse realisht është një pafuqi ekonomike, politike, dhe një fuqi e kufizuar ushtarake e cila ka buxhetin vjetor ushtarak për dhjetë herë më të vogës se buxheti anual ushtarak i SHBA-së), teksa Perëndimi na shfaqet si një pafuqi  (teksa realisht është një fuqi shumë e madhe, në të gjitha aspektet e mundshme).

Putin, edhe me këtë krizën e tashme në zonën kufitare të Rusisë dhe Ukrainës, po përpiqet t’i jep krah përpjekjeve të tij të parreshtura që disa ta mëkëmbë Rusinë si një fuqi perandorake, çfarë padyshim ka qenë kur kishte super-identitetin politik, ekonomik dhe ushtarak si Bashkim Sovjetik.

Zatën, zhbërjen e BS-së, Putin e ka vlerësuar si katastrofën më të madhe gjeo-politike të Shekullit XX, prandaj, nuk është për t’u habitur që ai, me Federatën e Rusisë, por edhe me neo-sovjetizmin gjeo-politik tek thuaja të gjitha shtetet fqinje që dikur kanë qenë pjesë e ‘Perandorisë së Kuqe’, më në fund, edhe me një simulim të Paktit të Varshavës me disa shtete, ish-republika sovjetike, po dëshmohet si një trashëgimtar i denjë i pretendimeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të Rusisë cariste, por pa e pasur këtë fuqi.

Sidoqoftë, Putin ka intervenuar ushtarakisht në Gjeorgji  (në vitin 2008), dhe de fakto ka anksuar dy regjione të këtij shteti, ka ndërhyrë ushtarakisht dhe ka aneksuar edhe formalisht Krimenë e Ukrainës  (në vitin 2014), teksa sivjet, me ftesën e Presidentit të Kazakhstanit, ka dërguar trupa të veta për ta ri-vendosur ‘qetësinë dhe rendin publik’ në këtë shtet.

Megjithatë, në këtë aspekt vlerë të jashtëzakonshme për Punin-in ka Ukraina, për shkak të afërsisë, madhësisë, lidhjeve historike, dhe faktit që Ukraina ka trashëguar edhe një pjesë të armatimit bërthamor të ish-Bashkimit Sovjetik.

Zbigniew Brzezinski, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Carter, dhe njëri prej kremlinologëve më të shquar amerikan, pati theksuar me të drejtë që marrja e kontrollit mbi Ukrainë për Rusinë ka rëndësi jetike për të qenë një Perandori, qoftë edhe me kapacitete të limituara.

Për këtë shkak, Ukraina, sipas Putin-it, nuk bën të bëhet assesi as anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, por as anëtare e BE-së.

Por anëtarësimi i Ukrainës në Paktin NATO dhe në BE, nuk është në duartë e Putin-it dhe ai nuk ka të drejtë të veto-s së mirëfilltë. Putin, megjithatë, i kërcënohet Perëndimit që poqëse do të ecet tutje në këto dy ndërmarrje me Ukrainën, atëherë, ai ka në duartë e tij mundësitë që Ukraina të prishet si shtet nga brenda, përmes pjesëve të banuara me shumicën ruse, të cilat do të ndahen edhe formalisht nga ky shtet.

Në librin e tij të jashtëzkonshëm, të titullar ‘The Back Channel’, William Burns, një diplomat i shkëlqyeshëm amerikan, që pos tjerash ka shërbyer edhe në Moskë si Ambasador  (madje, në periudhën e Procesit të Vienës të Presidentit Ahtisaari të adresimit të statusit të Kosovës, dhe kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë), dhe që tash e një vit shërben si Shef i CIA-s në Administratën e Presidentit Biden, thekson që realisht, është e pamundur që Ukraina dhe Gjeorgjia të përfshihen në anëtarësinë e Paktit NATO.

Burns këtë e kishte konstatuar zatën edhe në raportet/ telegramet konfendsiale që ia kishte dërguar Sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice-t. Burns pohon që lidhjet e Rusisë me Ukrainën dhe Gjeorgjinë janë aq të ngushta, saqë pa marrë parasyshë kush është lider i saj  (edhe një demokrat i mirëfilltë), ai vet nuk paramendon dot që këto dy shtete do të mund të hyjnë në Paktin NATO.

Administrata e Biden-it, pa dyshim, e di këtë fare mirë. Zatën, Burns ka një pozitë aq të rëndësishme në këtë Administratë, saqë mund të merret lehtë me mend se cili është pozicioni i tij për këtë çështje.

Sidoqoftë, asnjë Presidenti i SHBA-së nuk mund dot të bie pre e kushtëzimeve të Rusisë, madje të natyrës publike, siç është rasti kohëve të fundit me Qëndrimet e Vladimir Putin-it.

Presidenti Biden dhe i gjithë establishmenti amerikan e di që së paku, sa është në pushtet Presidenti Putin, Pakti NATO nuk do të mund të zgjerohet kah Lindja, pas një kampanje të suksesshme në këtë aspekt në Ballkanin Perëndimor  (me anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut). Megjithatë, diçka e tillë nuk mund të thuhet publikisht, e lëre më të pranohet si Politikë e Aleancës Veri-Atlantike.

Sidoqoftë, sjellja e Rusisë me Ukrainën, pati edhe efekte fare të reja, në trajtë të shenjave të para që Finlanda dhe Suedia, dy shtete nordike të cilat deri tash nuk e kanë shprehur këtë dëshirë, do të mund ta ndërrojnë mendimin dhe të aplikojnë për të hyrë në Paktin NATO.

Kriza rreth Ukrainës, në instancë të fundit, është një tjetër zhvillim politik që dëshmon ekzistimin, tash e katërmbëdhjetë vjet, a më shumë, të një Rendi të ri ndërkombëtarë, me disa qendra të fuqisë dominuese, ku SHBA-ja është ende kryesorja, por nuk është më e vetmja, siç ka qenë në atë ‘Momentin unipolar’, që ka zgjatur prej vitit 1991 deri në vitin 2008.

Ky Rend, punimet e vrazhda në të cilin rrodhën gjatë decenies së dytë të këtij shekulli, siç po thuhet gjithnjë e më shumë, është një prapakthim në histori, në ato vitet dhe deceniet para Luftës së Parë Botërore, me një shumësi qendrash të vendimmarrjes, dhe pa mekanizma të mirëfilltë ndërkombëtarë të cilat do të mund ta ndalin më të keqen.

OKB-në tash nuk e pyet kush, BE-ja nuk e pyet as veten, Kina është në fuqizimin e sipër, Rusia ka aq potencial, me Putin-in, për t’i nxjerr shumë telashe Perëndimit, teksa Administrata e Presidentit Biden ka trashëguar aq shumë probleme nga Administrata e Presidentit Trump, saqë i gjithë mandati do të harxhohet në arritjen e një stabiliteti politik dhe ekonomik, dhe në mëkëmbjen e Partneritetit trans-atlantik, i cili siç po shihet edhe javëve të fundit, në përballjen Ukrainase me Rusinë, është jetik për Perëndimin.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme