‘Luftë dhe Paqe’ në mes të Rusisë dhe Perëndimit (I) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 30.01.2022 14:55 30.01.2022 14:55 Negociata përmes kërcënimit me luftë Për Putin-in, Ukraina nuk bën kurrë të bëhet shtet anëtar i Paktit NATO dhe as i BE-së. Në të kundërtën, Ukraina do të zhbëhet. Në kohën e ekzistimit të Bashkimi Sovjetik dhe të Kampit Komunist, në përpjekje për të studiuar, analizuar, shpjeguar dhe kuptuar Komunizmin Sovjetik, apo synimet/ kahjet kryesore të kësaj politike dhe të vetë Bashkimit Sovjetik, në Administratat Amerikane aplikohej Kremlinologjia. Kremlinologjia, dhe kremlinologët të cilët angazhoheshin në një Administratë Amerikane, duhej të ofronin një konkludim të qëndrueshëm për një veprim madhor të Udhëheqësisë së Bashkimit Sovjetik dhe të Paktit ushtarak të Varshavës (që ishte bashkimi ushtarak i të gjitha shteteve komuniste të Evropës, me përjashtim të Jugosllavisë dhe Shqipërisë). Në bazë të këtyre përfundimeve, një President i Amerikës ka artikuluar politikën e vet kryesore të jashtme, që kishte të bënte me një konfrontim global në mes të dy Superfuqive, siç janë klasifikuar, gjatë ‘Luftës së Ftohtë’, ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik (SSSR, në origjinal, në rusisht). Kremlinologët nuk kanë mundur dot t’i bëjnë analizat e veta të bazuara në shumë fakte dhe të dhëna, sepse ato kanë munguar, për shkak të mbylljes së njohur të Kampit Komunist, veçmas të Kremlinit/ lidershipit sovjetik. Në mungesë të tyre, këta njohës të Regjimit të Moskës, është dashtë t’i bëjnë profilet e liderëve sovjetik dhe të ambicieve/ qëllimeve të tyre, edhe në bazë të hamendësimeve të cilat, ta zëmë, kanë pasë rol vendimtar për tejkalimin e Krizës së madhe të Kubës, atë trembëdhjetë ditshin e tetorit të vitit 1962, kur bota ishte një hap larg luftës bërthamore. Presidenti i Amerikës, John F. Kennedy, përkrahu bindjen e kremlinogëve që lideri sovjetik, Nikita Khrushchev, nuk dëshiron luftë me ShBA-në, dhe që do të tërheqë kokat bërthamore nga Kuba, me një marrëveshje me Uashingtonin zyrtar. Kështu edhe ndodhi. Duket se Kremlinologjia si qasje është kthyer javëve dhe muajve të fundit në Shtëpinë e Bardhë të President Biden, teksa ShBA-ja dhe Perëndimi në përgjithësi, po ballafaqohen me krizën më të madhe në marrëdhëniet me Federatën e Rusisë, që prej rënies së Komunizmit, në vitet 1989-1991, dhe që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (në dhjetorin e vitit 1991). Fjala është, natyrisht, për zhvillimet në kufirin në mes të Ukrainës dhe Rusisë, ku Vladimir Putin, lideri i Rusisë që nga viti 2000, (dhe udhëheqësi më jetëgjatë në Moskë që nga Stalini), ka grumbulluar mbi njëqindmijë trupa ushtarake. Pyetjet në të cilat tash e sa kohë po mundohen të përgjigjen kremlinologët e ri në Uashington janë këto: A do ta invadojë Putini Ukrainën? A do të rrezikojë ai një përplasje shumë të madhe me Perëndimin? Cili është minimumi politik dhe diplomatik i cili do t’i mjaftonte Putinit që ta tërheqë ushtrinë nga kjo zonë e rrezikshme kufitare? Përditë ka ngjarje dhe zhvillime të cilat i dhënë argumente njërës apo tjetrës përgjigje, (në këto pyetje), të cilat për më shumë, janë diametralisht të kundërta. ShBA-ja dhe Perëndimi në përgjithësi, tashmë kanë bërë me dije që nuk do të luftojnë në Ukrainë dhe për Ukrainën, nëse ajo do të sulmohet nga Rusia. Ukraina nuk është shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike, prandaj, për të nuk vlen Neni 5 i Traktatit të NATO-s, sipas të cilit, sulmi ndaj njërit shtet anëtar është sulm ndaj gjithë Aleancës. ShBA-ja dhe Perëndimi, megjithatë, kanë paralajmëruar një kundërpërgjigje apo kundërgoditje të paparë ndonjëherë politike, ekonomike, tregtare dhe financiare ndaj Rusisë, në rast të invadimit të Ukrainës. Pra, duket që gjasat që të ketë një luftë konvencionale në mes të ShBA-së, Aleancës Veri-Atlantike dhe Rusisë, janë baras me zero. Në anën tjetër, bazuar edhe në deklaratat publike të Presidentit të Rusisë Vadimir Putin, dhe të Sergey Lavrovit, Ministrit të Jashtëm të Rusisë, nuk mund të nxirret lehtë konkludimi që trupat ruse e kanë ndërmend ta kalojnë kufirin dhe të pushtojnë Ukrainën. Në çdo variant, është kjo një ‘Luftë nervash’, që po merr gjithë vëmendjen ndërkombëtare, që kushton shumë para, që ndikon në të gjitha mënyrat e mundshme në sigurinë evropiane në përgjithësi, duke përfshirë këtu edhe sigurinë energjetike (të furnizimit me naftë dhe gaz). Negociatat për qëllime sipërore politike, zhvillohen në disa mënyra. Natyrisht, ai perceptimi më klasik (nëse mund të thuhet ashtu), i negociatave, krijon atë tablon e diplomatëve dhe politikanëve që janë të ulur në dy anë të një tavoline, duke u përpjekur për t’u marrë vesh për një çështje të rëndësishme. Megjithatë, siç po bën Putin tash e sa kohë në brezin kufitar në mes të Rusisë dhe Ukrainës, negociatat mund të bëhen edhe në këtë mënyrë, duke pasur jo dhjetëra diplomatë në një sallë bisedimesh, por duke grumbulluar dhjetëra a qindra mijëra ushtarë në një territor të caktuar. Rusia e Putinit ka artikuluar qartë pozicionin e vet në këto negociata me ShBA-në dhe me Perëndimin. Aleanca Veri-Atlantike duhet të zotohet formalisht që Pakti NATO nuk do të zgjerohet në drejtim të Ukrainës dhe të Gjeorgjisë. Trupat e kësaj Aleance duhet të tërhiqen nga shtetet anëtare të NATO-s që janë në kufi me Rusinë. Do të ishte tej çdo imagjinate politike të supozohet që Putin nuk e di që të dy këto kërkesa janë të papranueshme për presidentin Biden, për Aleancën Veri-Atlantike dhe për Perëndimin në përgjithësi, sepse përmbushja e tyre, jo vetëm që do të ishte domethënie e një shlyerjeje/zhbërjeje të gjithë politikës amerikane që nga përfundimi i ‘Luftës së Ftohtë‘ e këndej, por po ashtu, do të kishte kuptimin e pranimit të përbuzjes dhe poshtërimit të Perëndimit nga Rusia. Ndërsa këtu duhet kujtuar faktin që kriza politike në Ukrainë, në dimrin e vitit 2014, shpërtheu jo për shkak të situatës rreth anëtarësimit eventual të Ukrainës në Paktin NATO, por në vijim të vendimit të Presidentit të atëhershëm të Ukrainës, Viktor Yanukovych, për të hequr dorë nga synimi strategjik i Ukrainës për t’u bërë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian. BE-ja, e jo NATO, u bë sebep i demonstratave masive në sheshin Maidan të Kievit, dhe të gjitha rrjedhave të tjera të atij viti (2014), të cilat pos tjerash sollën edhe aneksimin e Krimesë nga Rusia e Putinit dhe rebelimin në territoret lindore të Ukrainës, të banuara me shumicën ruse. Për Putinin, Ukraina nuk bën kurrë të bëhet shtet anëtar i Paktit NATO dhe as i BE-së. Ukraina, sipas Putinit, duhet të mbetet, tok me të gjitha shtetet tjera kufitare të Rusisë (me përjashtim të atyre shteteve që tashmë janë pjesë e BE-së dhe e NATO-s), Zonë e ndikimit të drejtpërdrejtë të Rusisë, e cila mund të definohet, në atë terminologjinë diplomatike, edhe si ‘Kordon sanitar’ i Rusisë. Ky është krye synimi i Putinit në ‘Lojërat e luftës’ që po ndodhin tash e sa javë në kufirin në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Nesër: Cila është Bota e vitit 2022? A po kthehemi në histori, në atë epokën para Luftës së Parë Botërore? *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.