‘Lufta e Ftohtë’ 2.0 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 12.02.2022 14:54 12.02.2022 14:54 Një herë ishte një Perde (e hekurt), që përshkruante, pas Luftës së Dytë Botërore, ndarjen territoriale në Evropë në mes të Rusisë (në trajtën e Bashkimit Sovjetik), dhe të SHBA-së (si kryepërfaqësuesin e Perëndimit), e cila më pas u definua si raport i ‘Luftës së ftohtë’. Pastaj, u bë një Mur (i Berlinit), i cili duhej një e herë e përgjithmonë të dëshmonte papajtueshmërinë e dy anëve të Evropës, të Perëndimit dhe Lindjes, dhe të dy sistemeve të mëdha politike dhe shoqërore, apo, të Demokracisë dhe Komunizmit. Tutje, ky Mur (i Berlinit), u bë hi, pluhur dhe artefakt historik, teksa rrënimi i tij tërhoqi me vete edhe Komunizmin dhe Bashkimin Sovjetik. Nisi periudha e një bashkëjetese në mes të Perëndimit dhe Federatës së Rusisë. Shumëkush në Perëndim u ngut në ato vite t’i përshkruante këto marrëdhënie të Perëndimit dhe Rusisë si në ato përfundimet e përrallave, për një ‘jetë të gjatë dhe të lumtur’, apo edhe për ‘Fundin e Historisë’. Por siç e dimë të gjithë, tash e më shumë se njëzet vjet (pas 11 shtatorit të vitit 2001), historia nuk është përrallë që përfundon lumtur, apo, ajo, në fakt, nuk merr fund kurrë. Përplasja e Perëndimit dhe Lindjes, e cila në të vërtetë është një kontrontim identitar (kështu ka qenë që nga mësymjet e Persisë kah Greqia e vjetër), është mëkëmbur tash e pesëmbëdhjetë me kryeprotagonist Rusinë dhe Amerikën, një herë në trajtë të një ‘Paqe të ftohtë’, e prej vitit 2014 e këndej (zhvillimet në Ukrainë me Krimenë dhe me pjesët lindore të saj), në formë të një ‘Lufte të ftohtë 2.0’. Raportet në mes të SHBA-së dhe Rusisë, nuk kanë qenë më të tensionuara dhe më të këqija që nga Kriza e Kubës (e vitit 1962), teksa paralajmërimet e ditëve të fundit të Administratës së Presidentit Biden, flasin për një shpërthim të luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës i cili do të ndodhë breenda pak ditësh. Javorja prestigjoze gjermane, ‘Der Spiegel’, madje përmendi ditën e mërkurë (16 shkurtit), kur forcat ushtarake qindmijëshe ruse, do të hynë në Ukrainë. Shumëkush këtu mund të ri-kujtojë intervenimin ushtarak sovjetik dhe të Paktit të Vasrshavës në vitin 1956 në Hugari, dhe në vitin 1968 në Çeko-Sllovaki. Por thuaja nuk ka gjë të përbashkët në mes të Ukrainës së ditëve të sotme, Hungarisë dhe Çeko-Sllovakisë të atyre viteve. Pos që edhe atëherë, e edhe sot jemi dëshmitarë të ‘Luftës së ftohtë’. Poashtu, edhe atëherë, e edhe tash, Amerika dhe Evropa e Perëndimit, nuk e kanë ndërmend të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftën eventuale në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Hungaria dhe Çeko-Sllovakia, formalisht dhe realisht ishin në Zonën e Komunizmit Sovjetik. Ukraina e tashme, formalisht jo se jo, por as realisht (përjashto Krimenë dhe ato territoret lindore të saj), nuk është në Zonën e mbikëqyrjes së Rusisë. Dikush mund të shtojë këtu që po të ishte kështu, apo, sikur Ukraina të ishte një gjysmë-satelit i Moskës (siç ta zëmë është Belorusia), atëherë, Rusia nuk do të grumbullonte fare ushtarë në kufirin e saj me Rusinë dhe nuk do ta krijonte këtë krizë të madhe politike dhe të sigurisë. Edhe pse alarmet e Washingtonit për një ‘kërcënim imediat’ të invazionit ushtarak bazohen me siguri në raporte të besueshme të inteligjencës, në rastin e Moskës zyrtare gjithçka, sa i përket vendimmarrjes, është në duart e Putin-it. Teksa ky është mjeshtër i lojërave dhe provokimeve të ndryshme, edhe përmes ‘lajmeve të rreme’ në komunitetin e vet të inteligjencës, të cilat pastaj merren apo ‘huazohen’ nga Perëndimi. Njohësit amerikan të politikës së Presidentit Putin, thonë që nëse ai do ta bëjë një gjë të tillë, apo, nëse do ta urdhërojë njëmend invazionin e Ukrainës, pa një shkak të mirëfilltë të luftës (gjë që do të ishte një precedent i madh në raportet në mes të Perëndimit dhe Lindjes ruse), dhe pa ndonjë provokim të dëshiruar ushtarak të Kijevit zyrtar në territoret e Ukrainës të kontrolluara nga forcat pro-ruse, atëherë, ky do ta befasonte shumë SHBA-në dhe Evropën, sepse do të dilte jashtë ‘Rregullave të lojës’ të cilat i ka caktuar vet, përmes politikës së shantazhimit të Perëndimit. Por Putin, kësaj here, me grumbullimin e madh të forcave të veta ushtarake në kufirin me Ukrainën dhe në Bellorusi, nuk fitoi të thuash gjë në negociatat me Perëndimin, sepse kërkesat e tij kanë qenë krejtësisht joreale (zotimi që Ukraina, Gjorgjia dhe Moldavia kurrë nuk do të bëhen anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, tërheqja e trupave të NATO-s nga shtetet kufitare me Rusinë që tashmë janë pjesë e kësaj Aleance). Amerika ka shprehur vullnet për të nisur një dialog substancial për sigurinë në Evropë me Rusinë, ku do të mund të adresoheshin edhe shqetësimet e Moskës zyrtare. Por, duket që kjo ofertë është larg ‘apetiteve’ të shtuara të Presidentit Putin, i cili dëshiron në çdo mënyrë që ta gjunjëzojë Perëndimin në rastin e Ukrainës. Sidoqoftë, nëse ai njëmend do të jep urdhërin për invazion apo për hyrjen e forcave ushtarake ruse në Ukrainë, pasojat e këtij veprimi të tij do të jenë tepër të mëdha dhe të rënda, jo vetëm për Ukrainën dhe për Rusinë, jo vetëm për Evropën dhe Perëndimin, por realisht, për gjithë Rendin ndërkombëtar. Amerika dhe Perëndimi e dinë mirë se çka do të ndodhë atëherë. Këtë, me siguri e di edhe Putin. Përfituesi më i madh në këtë rast do të ishte Kina.