Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Lufta e dështuar e Rusisë ka krijuar një hapje në Ballkan

123
string(14) "Ivana Stradner" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/01/stradner-ivana.png"
nga Ivana Stradner 04.02.2023 21:24

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vendi i të cilit është një nga aleatët më të ngushtë të Rusisë në Evropë, së fundmi bëri një deklaratë çuditërisht të fortë në mbështetje të Ukrainës. “Ne thamë që në fillim se nuk mund ta mbështesim pushtimin e Rusisë në Ukrainë”, tha ai, duke shtuar se “për ne, Krimeja është Ukrainë, Donbasi është Ukrainë dhe kështu do të mbetet”. Shumë ekspertë në Perëndim arritën shpejt në përfundimin se Serbia e kishte parë shenjat e qarta dhe po ndërpriste lidhjet me Rusinë në mes të luftës së dështuar të kësaj të fundit në Ukrainë. Askush se do humbësin.

Sidoqoftë, kjo shpresë perëndimore nuk mund të ishte më e gabuar. Deklarata e Vuçiqit është thjesht një vazhdim i strategjisë balancuese të Beogradit midis Rusisë dhe Perëndimit. Për të ndjekur marrëdhëniet me secilin, ai i rregullon marrëdhëniet për t’iu përshtatur interesave të veta. Në këtë rast, strumbullari i dukshëm i Vuçiqit kishte të bënte me të drejtën e Kosovës për pavarësi, të cilën Beogradi e refuzon me vendosmëri. Në të njëjtën kohë, megjithatë, mbetet fakti se një Rusi e izoluar dhe e dobësuar që humbet në Ukrainë do të jetë një aleat i keq për Serbinë. Perëndimi do të bënte mirë t’u kujtonte serbëve këtë ndryshim themelor gjeopolitik.

Logjika pas deklaratës së Vuçiqit është e thjeshtë: Sipas pikëpamjes së Serbisë, integriteti i saj territorial është shkelur ilegalisht nga shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila njihet nga afërsisht gjysma e vendeve të botës. Sipas kësaj logjike, mbrojtja e së drejtës së Ukrainës për të kontrolluar të gjithë territorin e saj është një mënyrë tjetër për të thënë se Serbia duhet të bëjë të njëjtën gjë. Për Vuçiqin, Krimeja, Donbasi dhe Kosova janë raste paralele të copëtimit.

Vuçiqi ka bërë deklarata të ngjashme edhe në të kaluarën. Në vitin 2019, ai shpjegoi se “Beogradi ende nuk mund ta njohë zyrtarisht Krimenë si territor i Rusisë, pasi kjo do të rrezikonte zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës”. Serbia gjithashtu refuzoi të njohë rezultatet e pseudo-referendumeve të Rusisë në pjesët e okupuara të Ukrainës në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Në refuzimin e rezultateve të referendumit në shtator të vitit 2022, Vuçiqi citoi Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe vuri në dukje se Serbia “mbështet integritetin territorial të të gjitha shteteve anëtare të OKB-së, duke përfshirë edhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Kosova përcakton kufirin e mbështetjes serbe për Rusinë. Në të vërtetë, Serbia votoi marsin e kaluar në favor të rezolutës së OKB-së për të dënuar agresionin e Rusisë, me Përfaqësuesin e Përhershëm serb në OKB, Nemanja Stevanoviq, duke theksuar se vendi i tij ishte “i përkushtuar për të respektuar parimet e integritetit territorial dhe pavarësinë politike të shteteve”. Votimi i Serbisë në OKB ishte pjesë e aktit balancues pragmatik të Vuçiqit. Meqenëse rezoluta nuk përmendte sanksionet dhe si e tillë ishte vetëm simbolike, vota e Serbisë përfaqësonte një mundësi të ulët për t’i dhënë asaj një nxitje të lehtë në sytë e liderëve perëndimorë pa rrezikuar marrëdhëniet e Beogradit me Moskën në ndonjë mënyrë thelbësore.

Serbia gjithashtu e sheh rezolutën e OKB-së si një mekanizëm për të dënuar ndërhyrjen e NATO-s të vitit 1999 në atë që atëherë mbeti nga ish-Jugosllavia. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Stevanoviq foli për atë që ai e shihte si një standard të dyfishtë që zbatohet për Ukrainën dhe Serbinë.

“Kjo nuk është lufta e parë dhe konflikti i parë dhe sulmi i parë në territorin e Evropës moderne”, duke pretenduar se “ashtu si Rusia shkeli integritetin territorial të Ukrainës, ashtu edhe fuqitë perëndimore sulmuan Serbinë, e cila nuk sulmoi askënd, shkelën integritetin e saj territorial dhe më pas… e njohën Kosovën”.

Për Vuçiqin, implikimet e luftës në Ukrainë për çështjen e Kosovës janë më të rëndësishme sesa rreziku i humbjes së një pjese të besimit të presidentit rus Vladimir Putin.

Kremlini, nga ana tjetër, e sheh pavarësinë e Kosovës si një precedent për aneksimin – dhe një mënyrë për ta quajtur Perëndimin hipokrit. Në shtator të vitit 2022, Përfaqësuesi i Përhershëm rus i OKB-së, Vasily Nebenzya, iu referua Kosovës për të justifikuar aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia, të cilat ai i cilësoi si një “të drejtë për vetëvendosje”. Rusia gabon nëse e konsideron Kosovën një precedent për shumë arsye, dhe jo vetëm sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konsideron Kosovën një rast sui generis, që do të thotë se ajo ka rrethanat e veta unike dhe nuk mund të jetë model për raste të tjera.

Të mos ushqejë dikush ndonjë shpresë për një ndarje të afërt Beograd-Moskë: megjithëse Serbia kundërshton pushtimin e Rusisë të territorit ukrainas, ajo mbetet një aleate e palëkundur ruse. Stacionet televizive ruse RT dhe Sputnik shpërndajnë propagandë përmes filialeve të tyre serbe, dhe Vuçiqi e lejon që makineria e tij e propagandës vendase të përsërisë pjesën më të madhe të qëndrimit të Kremlinit ndaj Ukrainës. Mediat serbe pasqyrojnë një gamë të gjerë mesazhesh pro-Kremlinit, që variojnë nga portretizimi i ukrainasve si nazistë deri tek pretendimet e rreme se Ukraina sulmoi Rusinë e para.

Në muajt e fundit, tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë rritur, pasi legjislacioni i Kosovës kërkon që serbët në Kosovë të regjistrohen për targa dhe dokumente kosovare. Në fund të dhjetorit të vitit 2022, Serbia vendosi trupat e saj në gatishmëri të lartë dhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i përshkroi të dy vendet si “në prag të konfliktit të armatosur”. Gjatë gjithë kësaj ngecjeje, Beogradi në mënyrë të përsëritur falënderoi Rusinë për “mbështetjen e saj për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë” si dhe theksoi se kjo është arsyeja pse Serbia refuzon të mbështesë sanksionet ekonomike kundër Rusisë.

Mësimi më interesant është se partneriteti i Beogradit dhe Moskës nuk është për shkak të ndonjë lidhjeje të thellë historike apo vëllazërie sllave, siç pretendojnë disa njerëz, por përkundrazi është strategjik dhe transaksional. Ata mbështesin njëri-tjetrin vetëm në masën që u shërben agjendave të tyre të veçanta.

Pozicioni i Serbisë është i komplikuar nga fakti se ajo ende mbështetet shumë tek Rusia për pajisje dhe trajnime ushtarake, ndërkohë që Rusia ka ndikim të fortë rajonal që rrjedh nga lidhjet me Kishën Ortodokse Serbe dhe operacionet e gjera të informacionit rus. Vuçiqi rrezikon të ketë pasoja të mëdha nëse do ta zemëronte vërtet Rusinë.

Në të vërtetë, deklaratat e fundit të Vuçiqit kundër veprimeve të Rusisë në Ukrainë kanë nxitur një reagim kundër tij. Ushtruesi i detyrës së kreut të Republikës Popullore të Donetskut, Denis Pushilin, shkroi në Telegram se ai është “i sigurt se Vuçiqi është nën presion” për t’u rreshtuar me Perëndimin. Në një mënyrë të ngjashme, një deputet i Dumës ruse nga Krimeja, Mikhail Sheremet, pretendoi se Vuçiqi po përballet me “presion kolosal nga vendet perëndimore”. Një senatore ruse nga Krimeja, Ekaterina Altabaeva, kritikoi ashpër Vuçiqin, duke u ankuar se si “është shumë e hidhur kur realitetet e sotme e detyrojnë një person të braktisë traditat historike”. Ajo tha se “lidhjet historike midis Serbisë dhe Rusisë do të mbizotërojnë mbi të gjitha konsideratat politike, oportuniste”.

Por, kjo mbetet për t’u parë. Ndërkohë, Ukraina dhe Perëndimi nuk duhet të mashtrohen nga retorika e Vuçiqit. Ai është një aktor racional, qëllimi kryesor i të cilit është të mbetet në pushtet. Por duke pasur parasysh tensionin në rritje midis Vuçiqit dhe Kremlinit, Perëndimi ka një mundësi për të shfrytëzuar dallimet e tyre dhe të dobësojë ndikimin rajonal të të dy vendeve.

Së pari, Perëndimi duhet të nisë një ofensivë informacioni kundër Putinit në platformat sociale dhe media të tjera në Ballkan, duke theksuar kryesisht mosbesueshmërinë e Rusisë si aleate.

Në operacionet e informacionit, Perëndimi mund të përdorë hapjen aktuale të Vuçiqit ndaj Perëndimit dhe ta përfshijë atë në përpjekjet për të dobësuar ndikimin rajonal të Rusisë. Në një telefonatë këtë javë midis Vuçiqit dhe Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, të dy riafirmuan gatishmërinë e Serbisë për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian dhe theksuan përkushtimin e Vuçiqit ndaj stabilitetit dhe paqes rajonale. Meqenëse Vuçiqi kontrollon plotësisht mediat e vendit të tij, ai mund t’i “spin”-ojë lehtësisht informacionet si të dojë. Kjo do të thotë se Vuçiqi ka fuqinë të ndryshojë tonin e bisedës publike të Serbisë për të mbështetur normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën pa asnjë frikë se grupet nacionaliste serbe do të hakmerren. Në këtë rast, fuqia e konsoliduar e Vuçiqit mund të jetë në fakt një aset në misionin për të minuar dhe penguar Rusinë në Ballkan.

Operacionet perëndimore të informacionit duhet të kenë cak edhe nacionalistët serbë të ekstremit të djathtë. Mbështetja e tyre për Putinin buron nga pohimi i tij për besimin e tyre se Kosova është zemra e atdheut serb. Perëndimi mund të përdorë mesazhe strategjike për t’u treguar këtyre njerëzve se marrëdhënia midis Serbisë dhe Rusisë është thjesht transaksionale dhe vëllazëria ruse nuk është gjë tjetër veçse një mit.

E vërteta është se Rusia po e përdor Kosovën për qëllimet e veta strategjike. Operacionet e informacionit mund t’u kujtojnë nacionalistëve se mbështetja e Rusisë për Serbinë ka qenë e dobët. Rusia mbështeti sanksionet perëndimore kundër Serbisë në vitet e ’90-ta dhe nuk e ndihmoi Serbinë ushtarakisht gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Edhe pse Rusia fillimisht iu bashkua misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Rusia e braktisi atë në vitin 2003, duke i lënë në baltë vëllezërit e saj të supozuar sllavë.

Ndoshta më e rëndësishmja, Perëndimi duhet të theksojë vazhdimisht izolimin ndërkombëtar të Rusisë, dështimet ushtarake në Ukrainë dhe fuqinë shumë të zvogëluar si aleat. Rusia po e humb me shpejtësi ndikimin në periferinë e saj – qoftë në Azinë Qendrore, Kaukaz apo Ballkan – dhe nuk është në gjendje të ndihmojë Serbinë, qoftë ushtarakisht apo ekonomikisht. Prova A është Armenia, një aleat nominal rus i lënë i pafuqishëm nga vëllai i tij i madh pasi Azerbajxhani i mbështetur nga Turqia pushtoi pjesë të territorit të saj vitin e kaluar. Sigurohuni që të gjithë serbët ta dinë se nuk duhet ta lidhin karrocën e tyre me një yll në rënie dhe jo të besueshëm.

Ivana Stradner është studiuese në Qendrën Barish për Integritetin e Medias në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Shkrimi është publikuar origjinal në “Foreign Policy”, dhe është përkthyer nga Klankosova.tv.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme