Loja me gota e Presidentit të Serbisë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 04.06.2022 12:33 04.06.2022 12:33 Aleksandar Vuçiq pak ditë më parë, më 31 maj, nisi mandatin e tij të dytë presidencial, duke dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit të Serbisë. Betimi i Presidentit të Serbisë është përcaktuar me Kushtetutën e vitit 2006, e cila u pati miratuar në vjeshtën e atij viti, kur ishte bërë e ditur që Presidenti Ahtisaari, Emisari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, e kishte ndarë mendjen për kryefjalën e Propozimit të tij: Kosova do të bëhej shtet i pavarur, me një mbikëqyrje fillestare ndërkombëtare. Lidershipi i atëhershëm i Serbisë, me Boris Tadiqin si President dhe Vojislav Koshtunicën si Kryeministër, në këtë mënyrë, me një ’kundërgoditje kushtetuese’ (të njëanshme gjithsesi), definoi përfundimisht qëndrimin e vet karshi ndërmarrjes ndërkombëtare të zbardhjes së statusit të Kosovës. Për këtë shkak, edhe Presidenti i Serbisë, cilidoqoftë ai, tash e tutje (prej vitit 2006, pra), në betimin e tij do të theksonte që si detyrim parësor e ka ruatjen e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën si pjesë përbërëse të saj. Një betim i tillë ka qenë në shpërputhje të plotë me realitetin që nga dita kur është miratuar Kushtetuta e Serbisë. Ai ka qenë dhe ka mbetur vetëm një deklaratë e kotë politike, në njërën anë, dhe konfirmim (i sërishëm) i çështjeve të hapura në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, në anën tjetër. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, poqëse do ta respektonte njëmend mandatin e tij kushtetues, do të ishte një figurë pak a shumë ceremoniale, sepse pushteti i mirëfilltë i takon Kryeministrit dhe Qeverisë. Por ai pa kurfarë dyshimi, ka monopol të plotë mbi pushtetin në Serbi, në të gjitha aspektet e mundshme. Ai ka fuqi, ka ndikim, ka mundësi, nëse do vullnet të mirëfilltë politik, që përfundimisht ta orientojë Serbinë kah Evropa dhe Perëndimi, në rrethanat dramatike të cilat në Evropë u krijuan në njëqind ditët e kaluara, pas fillimit të luftës në Ukrainë, me invadimin e forcave ushtarake ruse. Megjithatë, Presidenti i Serbisë, duke marrë parasyshë edhe deklaratat e tij publike të dy muajve të fundit, që prej se fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë (me 3 prill), duket që ende heziton për të marrë një vendim të prerë, i cili do të dyzonte përqafimin e sanksioneve evropiane ndaj Rusisë, me një qëndrim të prerë dhe kategorik për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ky dëshiron tutje të vazhdojë politikën e tij e cila u artikulua në ditët e para të Luftës në Ukrainë, dhe e cila përbëhet nga tri elemente. Së pari, ky i është bashkuar dënimeve ndërkombëtare të invazionit të Rusisë në një shtet sovran (duke u munduar vazhdimisht që ta tërheq paralelen në mes të Fushatës së Aleancës Veri-Atlantike të pranverës së vitit 1999 në Kosovë dhe Serbi dhe këtij invazioni të Rusisë); Së dyti, ky nuk ka aplikuar sanksionet ndaj Rusisë, të përgatitura nga SHBA dhe Evropa, sepse këtu kemi të bëjmë me raportet specile që Serbia ka me Rusinë, dhe me interesin e Serbisë për furnizim me gaz dhe naftë nga Rusia; Së treti, ky ka pohuar që pushteti i tij, nuk ka kurfarë dileme se kah duhet të ecën Serbia si shtet, apo, që ajo duhet të bëhet pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, sipas politikanëve dhe diplomatëve perëndimorë që e njohin mirë, ka një aftësi të jashtëzakonshme të adaptimit në rrethanat e reja, duke synuar të ruajë, në çdo situatë, apo në rrethanat krejtësisht të reja, interesat e tij si lider i Serbisë. Ky po e demonstron pikërisht këtë edhe në këtë ambientin krejtësisht të ri politik ndërkombëtar, i cili është pasojë e Luftës në Ukrainë. Ai po përpiqet të jetë kooperativ me të gjithë: Me Rusinë, duke mos i aplikuar sanksionet, duke komunikuar me Presidentit Putin dhe duke pritur në Beograd (këtë të martë, me 7 qershor), Sergey Lavrovin, Ministrin e Jashtëm të Rusisë; Me Perëndimin, duke votuar sa herë duhet, në forumet kryesore ndërkombëtare, për dënimin e Rusisë dhe veprimeve të saja në Ukrainë, dhe duke pritur në Beograd (me 10 qershor), Kryeministrin e Gjermanisë Olaf Scholzin. Një gjysmë veprimi në njërën anë (me Rusinë), dhe një gjysmë veprimi në anën tjetër (me Evropën dhe Perëndimin), kur bashkohen, bëjnë një plotëni të sigurimit të interesave të Presidentit Vučić dhe të Serbisë. Apo, me atë teorinë e njohur qëmoti të gotës gjysmë të zbrazur apo gjysmë të mbushur, ai ju thotë njërës dhe tjetrës palë që gota në raportet me ta është gjysmë e plotë, teksa për veten e tij, ai e ka gotën e mbushur. Dikush mund të shtojë këtu me të drejtë që kjo gotë mund edhe t’i thehet në dorë Presidentit të Serbisë, nëse Perëndimi në njërën anë dhe Rusia në anën tjetër, do të insistojnë tek ai që të merr anë dhe të mos jetë më ’edhe me Evropën, edhe me Rusinë’. Por, duket që ky moment ende nuk ka ardhë për Presidentin e Serbisë. Për këtë shkak, ai do të vazhdojë tutje me lojën e tij politike. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.