14:38, 13 Nëntor 2019 Autor: Blerim Latifi

Në këtë muaj bota përkujton tridhjetë vjetorin e fillimit të fundit të komunizmit.

Tridhjetë vjet më parë turmat e demonstruesve të zemëruar e sulmuan Murin e Berlinit, simbolin më të famshëm të ndarjes së botës në dy kampet armiqësore të Luftës së Ftohtë.

Gjatë këtij sulmi nuk pati të shtëna, e as viktima. Rojtarët e murit nuk ishin më aty. Pushteti që u jepte urdhëra për të vrarë njerëz, kishte marrë fund, e bashkë me të edhe ideologjia, e cila e justifikonte këtë pushtet. Eksperimenti i utopisë komuniste kishte dështuar, pas 72 vitesh të përpjekjeve për ta bërë realitet, sipas udhëzimeve të profecisë marksiste.

Pas fitores mbi fashizmin, demokracia liberale kishte shënuar fitoren e dytë të madhe ideologjike gjatë një shekulli, të cilin historiani britanik Eric Hobsbawm, me të drejtë, e pat quajtur “shekulli i ekstremeve”. Brenda natës referencat për të ardhmen kishin ndryshuar: shpresa marksiste, ia kishte lënë vendin shpresës kapitaliste.

Pyetjes themelore që bënin njerëzit në vendet e sapo dala nga perandoria komuniste se nga duhet të ecin tani vendet e tyre, iu përgjegj Perëndimi menjëherë: këto vende duhet të bëheshin pjesë e Bashkimit Europian dhe Aleancës Veriatlantike, NATO-s.

Që kjo të arrihej, këto vende duhej të zbatonin një pako reformash të thella strukturore, të cilat mbi gërmadhat e ekonomisë së planfikimit të centralizuar do të ndërtonin ekonominë e tregut të lirë, ndërsa strukturat e rendit totalitar, do të zëvendësoheshin me rendin kushtetues liberal.

Kjo pako reformash në atë kohë u pagëzua me emrin “trancizioni demokratik”. E tëra i ngjante atij rrugëtimit imagjinar që Dante Aligieri e bën tek Komedia Hyjnore: në fillim kalohet nëpër ferr, pastaj nëpër purgator dhe në fund arrihet në parajsë. Në rastin e vendeve të sapodala nga komunizmi, ferrin e përbënin regjimet totalitare, purgatorin periudha e tranzicionit dhe parajsën periudha kur do të ndërtoheshin demokracia liberale, ekonomia e tregut të lirë dhe shoqëria e të drejtave të njeriut. Në historinë e saj, Europa nuk kishte përjetuar një klimë më të madhe të optimizmit të përgjithshëm, se në ditët pas rënies së Murit të Berlinit.

Në Ushanigtonin e pushtuar nga entuziazmi për fitorën në Luftën e Ftohtë, filozofi japonezo-armerikan, Frencis Fukuyama u ul dhe shkroi librin “Fundi i Historisë dhe Njeriut i Fundit”. Ai ishte bindur, dhe tani donte të bindëte edhe botën, se fundi i armiqësive njerëzore kishte ardhur dhe tani e tutje s’na mbetej tjetër, përveçse të jetonim në paqen dhe lumturinë liberale. Tridhjetë vite më pas, kjo klimë optimizmi është zhdukur. Vendin e saj e kanë zënë një klimë pesimizmi, i cili i ka tiparet e asaj që filozofi i njohur hebre Edmund Husserl, qysh në vitin 1935, e quante “Lodhja e Europës”.

Me këtë term Husserl nënkuptone shterrimin e forcave shpirtërore të qytetërimit europian, humbjen e besimit të europianëve në vlerat e tyre universale. Më shumë se konstatim, mendimi i Husserlit ishte parashikim dhe sot ky parashikim duket të jetë përmbushur. Europa sot ndjen lodhje, në çdo gjë që bën, ndërsa dyshimi postmodernist në vlerat e saj është bërë ndjeshmëri paneuropiane. Në rrafshin institucional Bashkimi Europian është duke përjetuar një krizë të madhe strukturore, fundi i të cilës nuk duket në horizont. Britania e Madhe, me ndjenjën se anija europiane është duke u mbytur, mori vendim për ta braktisur atë, por ata që frymëzuan këtë vendim, ende nuk kanë gjetur një anije tjetër shpëtimi.

BREXIT-i do të mbetet në histori si shembull për gënjeshtrat e rrezikshme që fshihen brenda premtimeve mesianike të populizmit. Në anën tjetër, projekti i madh i integrimit të vendeve ish komuniste në Bashkimin Europian ka mbetur në gjysmë të tij. Vendi i fundit që është pranuar në Bashkimin Europian ishte Kroacia në vitin 2013, ndërsa përherë e më të fuqishëm janë zërat që thonë se pas Kroacisë nuk duhet të ketë më zgjerim të Bashkimit Europian. I pari në mesin e këtyre zërave është hiç më pak se Presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Në mbledhjen e fundit të liderëve të Bashkimit Europian, ishte pikërisht Macron që pengoi vendimin për hapjen e negociatave për integrim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shteti tjetër ballkanik, Serbia, ndonëse ka filluar më herët këto negociata, ka mbetur në vend numëro. Shkaku është se përparimi i saj në rrugën e integrimit europian, nuk mund të vazhdojë asnjë hap më tutje, derisa nuk e zgjidhë kontestin e saj me Kosovën, e cila që nga viti 2008 është shtet i pavarur, i njohur nga 115 shtete, në mesin e tyre dhe shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë kontekst Serbia po bën përpjekje të ndryshoj qëndrimin europian duke kërcënuar se do të bëhet pjesë e planeve ruse për një aleancë të madhe euroaziatike, e cila do t’i kundërvihej Perëndimit në gjeopolitikën globale. Aktualisht ky kërcënim nuk është duke u marrë seriozisht nga Bashkimi Europian e as SHBA-ja.

Arsyet janë të shumta , e në mesin e tyre edhe fakti se planet ruse për një kamp euroaziatik kundër Perëndimit janë qartësisht të parealizueshme. Përveç prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këto plane kundërshtohen edhe prej Kinës së madhe dhe Japonisë, shtete këto që në shumë pikëpamje e lënë prapa Rusinë e Putinit. Në këtë mënyrë, Serbia, për të mos mbetur në udhëkryqin midis Lindjes dhe Perëndimit, është e detyruar të pranoj të ulet në tavolinën e dialogut me Kosovën për të gjetur një zgjidhje të kontestit historik që ka me të. Deri tani ky dialog i udhëhequr nga Bashkimi Europian nuk ka sjellur asnjë rezultat të rëndësishëm.

Shumë marrëveshje të vogla, që janë arritur deri me tani midis Kosovës dhe Serbisë, kanë mbetur vetëm në letër , për shkak se të dy vendet nuk kanë pasur vullnetin e plotë për zbatimin e tyre dhe burokratët e Brukselit nuk kanë qenë në gjëndje ta imponojnë këtë zbatim. Aktualisht të gjitha shpresat janë tek përfshirja vendimtare në dialog e Uashingtonit, i cili ka shprehur hapur interesimin për të ndihmuar të dy palët në gjetjen e zgjidhjes. Ky interesim ka dy arsye : e para është se Kosova e pavarur përbën një projekt amerikan, dhe e dyta ka të bëjë me faktin se tejkalimi i mosmarrëveshjeve historike në Ballkan pakëson mundësitë e Rusisë për të ushtruar ndikimin e saj në këtë zonë. Se çfarë do të ndodhë, mbetet të shihet! Vendeve të Ballkanit Perëndimor u mbetet të shpresojnë që lodhja e Europës, të cilën e parashihte Husserl, të mos i përfshijë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë ata që flasin për ”fundin e shekullit amerikan” të jenë lajmëtarë të rremë.

Autori është profesor i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës

Ky shkrim është botuar në gazetën e njohur të Izraelit, The Jerusalem Post, të datës 11.11.2019

 

 

Lajme të tjera