Libri ‘War’ i gazetarit Bob Woodward (III): Meritat e Presidentit Biden 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 02.11.2024 16:56 02.11.2024 16:56 Blerim Shala Për Administratën e Presidentit Biden nuk kishte tjetër shtegdalje pos që të përgatitej për një konfrontim të gjithanshëm me Rusinë e Vladimir Putinit, i cili do t’i përfshinte të gjitha masat dhe veprimet e mundshme politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike dhe financiare, me përjashtim të luftës së drejtpërdrejtë me Rusinë në Ukrainë, apo kudo tjetër. Në këtë mënyrë Biden e definoi në mënyrën më të qartë të mundshme ‘territorin’ e përballjes më të madhe me Rusinë në historinë e Amerikës, brenda të të cilit do të ushtrohej një ‘sovranitet’ i plotë nga SHBA-ja, Aleanca Veri-Atlantike, Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në përgjithësi. Bideni do t’i rrëfehej në këtë periudhën para se të nisë lufta në Ukrainë miqve të tij të ngushtë, duke u thënë atyre që realisht, origjina e kësaj katastrofe në ardhje e sipër ishte në vitin 2014, kur Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë, teksa Presidenti i ShBA-së Barack Obama nuk lëvizi fare, apo nuk ndërmori asnjë veprim, duke ia dhënë, siç do të shprehej tani Biden, ‘licencën për të vazhduar’. ‘Tani po e shfuqizoj këtë licencë’, do të shprehej Biden, siç na tregon Bob Woodward në librin e tij ‘War’. Në të vërtetë, pikërisht Administratës së Presidentit Biden do t’i bie hise, dashtë e pa dashtë, që të merret me pasojat e dështimeve të njëpasnjëshme amerikane në raportet me Rusinë, në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme. Bideni dhe ndihmësit e tij kryesorë do të ndërmarrin veprime shumë konkrete për t’ua bërë me dije të gjitha shteteve mike të ShBA-së, Aleancës Veri-Atlantike, më në fund, edhe gjithë Botës që Rusia e ka sosë të hyjë me ushtri në Ukrainë. E përditshmja prestigjioze amerikane ‘The Washington Post’, në numrin e saj të 3 dhjetorit (2021), do ta botojë një artikull në të cilin paralajmëronte që Rusia do ta sulmojë Ukrainën me 175 mijë trupa ushtarake, duke u thirrë në burimet e inteligjencës amerikane. Ishte ky një shkrim i drejtpërdrejtë dhe madje, brutalisht i qartë. Megjithatë, siç vërehet në faqet e ‘War’, ky lajm i ‘The Washington Post’, si dhe informatat dhe raportet konfidenciale të cilat Washingtoni do t’i ndante me shtetet mike, përfshirë këtu edhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn, do të priten me habi, dyshim, mohim madje, sepse diçka e tillë ishte e paimagjinueshme për Botën e vitit 2022. Presidenti i Ukrainës i cili derisa të nisë invazioni rus mbi vendin e tij nuk besoi që kjo do të ndodhë njëmend, u këshillua madje që të bëhet gati për tu larguar nga Kijevi dhe për të krijuar një qeveri në ekzil, në Poloni, por reagimi i tij ishte kategorik: Ai e pati ndarë mendjen që të qëndrojë në Kijev dhe në Ukrainë, qoftë edhe nëse do ta paguante me jetë këtë vendim të tij. Në ora 9.30 në mbrëmje, të kohës amerikane (të bregut lindor), me 23 shkurt (apo, me 24 shkurt me kalendarin evropian), Presidenti Biden do të njoftohej që Rusia kishte nisur agresionin ndaj Ukrainës thuaja nga të gjitha anët. Nuk do të vonojë dhe Bideni do të bisedojë në telefon me Zelenskyn. Ai po mbahej mirë por ende kishte shpresën (a thënë më mirë, iluzionin), se nëse Bideni dhe liderët e Evropës do ta thërrasin Putinin dhe t’i kërkojnë atij që të ndalet, ai do ta bëjë këtë gjë. Në çdo luftë, edhe në atë që e kemi kaluar ne në Kosovë, në vitet 1998, 1999, dihet që prodhimi i iluzioneve të gjithëfarshme përjeton një rritje marramendëse. Në anën tjetër, edhe pse me një saktësi të jashtëzakonshme, Administrata e Bidenit, më së shumti falë të dhënave të CIA-s, që nga muaji tetor i vitit 2021 e kishte marrë vesh që Rusia do ta sulmojë Ukrainën, Washingtoni zyrtar dështoi totalisht në parashikimin që Ukraina nuk do të mund të qëndrojë më shumë se disa ditë, më së shumti një javë, para se flamuri i bardhë të valëvitet në Kijev, së bashku me lajmin për ekzekutimin e Presidentit Zelensky nga forcat speciale ushtarake ruse. Natyrisht, ky dështim ka qenë lajmi më i mirë i mundshëm për Shtëpinë e Bardhë. Në një analizë që pas fazës së parë të luftës në Ukrainë do të bëhej në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, Këshilltari kryesor i Presidentit Biden, zëvendësi i tij Jon Finer dhe Alex Bick, Drejtori për planifikim strategjik në këtë trupin suprem të sigurisë amerikane, do të mbërrijnë tek konkludimi që derisa Administrata e Bidenit bëri një depërtim historik duke zbardhur të gjitha planet e Moskës për ta pushtuar Ukrainës, në të gjitha çështjet tjera e pati gabim. Washingtoni kështu nënvlerësoi përgjigjen evropiane pas agresionit rus, e cila ishte krejtësisht në të njëjtat valë me reagimin amerikan. Washingtoni poashtu nënçmoi vullnetin, gatishmërinë dhe organizimin e Ukrainës për të rezistuar ndaj Rusisë. Më në fund, Washingtoni mbivlerësoi fuqinë ushtarake të Rusisë e cila nga lartë, nga satelitët, dukej si një makineri perfekte, teksa më pas u bllokua në baltën ukrainase. Në anën tjetër, Administrata e Presidentit Biden do të kuptojë në javët dhe muajt e parë të luftës, që agresioni rus i cili kishte për qëllim ta zaptonte një herë e përgjithmonë Ukrainën si pjesë të orbitës ruse, duke e përjashtuar çdo mundësi që Ukraina të bëhet anëtare e Paktit NATO, do t’i sillte Aleancës Veri-Atlantike dy anëtare të reja, dhe do ta afronte Aleancën edhe më shumë në kufijtë e Rusisë, teksa synimi i Putinit ishte që NATO të ishte sa më larg kufijve dhe territorit rus. Finlanda dhe Suedia, sy shtete që për decenie të tëra janë krenuar me neutralitetin e tyre ushtarak, i dhanë fund këtij statusi dhe aplikuan, përmes qeverive të tyre, që t’i bashkohen Aleancës Veri-Atlantike, duke ngritur kështu numrin e shteteve anëtare të NATO-s në 32. Kufiri i Finlandës me Rusinë është 1340 kilometra i gjatë, dhe pas inkuadrimit të Finlandës në NATO, ky kufi u bë realisht vijë ndarëse në mes të Aleancës dhe Rusisë. Vladimir Putin ishte shumë i sigurt që Lufta në Ukrainë do të ndikonte në dobësimin dhe përçarjen në Aleancës Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian, që partitë e ekstremit të djathtë të cilat ishin shfaqur thuaja në të gjitha shtetet e mëdha evropiane do të ndikonin tek opinioni publik që të kundërshtohet çdo angazhim i shteteve evropiane në përkrahjen e Ukrainës në rezistencën ndaj Rusisë, më në fund, ishte i bindur që Washingtoni dhe Brukseli do ta lusnin që së bashku me te ta organizojnë një Yalta të re, apo një Konferencë të madhe ndërkombëtare ku do të ndodhte ndarja e re e sferave të interesit dhe do të bëhej Marrëveshja historike për sigurinë dhe stabilitetin në kontinentin evropian, ku Rusia dhe Amerika do ta kishin kryefjalën e tyre. Putini nuk e bënte fare hesap Evropën në atë kohë. Fuqia e Rusisë, ajo e projektuar nga Putin-i dhe e fabrikuar nga gjeneralët e Ushtrisë së tij, duhej të përkthehej në përfitime të mëdha territoriale, politike dhe diplomatike. Lufta në Ukrainë shfaqi një Rusi krejt tjetër fare prej asaj që ishte besuar se ishte (edhe në kryeqendrat e Perëndimit), teksa mësymja e Putin-it në Ukrainë, tregoi që nuk është rendi që Rusia do t’i prijë një ndërmarrje të madhe historike të vendosjes së një Rendi të ri evropian, që do ta trashëgonte atë të krijuar pas rrënimit të Murit të Berlinit dhe shkatërrimit të Komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, Lufta në Ukrainë ishte e rëndë, tragjike, e përgjakshme, me shumë viktima civile, teksa shteti i Ukrainës ishte fund e krye i varur nga përkrahja politike, financiare dhe ushtarake e Perëndimit për t’i rezistuar sa më shumë që ishte e mundur agresionit rus. Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë, pas atyre muajve të parë të luftës të cilët ecën shumë më mirë sesa që ishte pritur, dhe atë, në të gjitha aspektet e mundshme, do të përballej me një sprovë të re në analizat që spikatnin të gjitha variantet e përfundimit të kësaj lufte. Administrata e Presidentit Biden, së bashku me të gjitha shtetet aleate të Amerikës, kishte arritur të mbajë Ukrainën gjallë dhe që ta izolojë këtë konflikt të armatosur, i cili në vete bartte rrezikun e shpërndarjes në shtetet përreth Ukrainës. Por, cili do të mund të ishte epilogu i kësaj lufte, kjo mbetej enigmë për Presidentin Biden dhe për bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Bideni ishte i vetëdijshëm që nëse forcat e Ukrainës nuk do të fitonin në luftë, në kuptimin e rimarrjes së gjithë territorit në lindje të shtetit (prej aneksimit të Krimesë e tutje), dhe të dëbimit të forcave ruse, atëherë, Putin nuk do të mbetej duarbosh, apo do të fitojë, në një mënyrë apo tjetrën, një pjesë të Ukrainës, e cila shkonte deri te një e pesta e territorit. Ky ishte epilog i keq i luftës. Për këtë nuk kishte dyshim. (Këtu duhet shtuar që gjendja e tanishme në fushëbetejën e Ukrainës po ecën pikërisht në drejtim të këtij konkludimi të luftës). Në anën tjetër, nëse Ushtria e Ukrainës, me mbështetjen e madhe të SHBA-së dhe të Perëndimit, do ta arrinte qëllimin e çlirimit të gjithë tokës ukrainase nga Rusia, atëherë, siç ishte i bindur Bideni, Putini nuk do të mund ta përballonte një disfatë të tillë me pasoja katastrofale për te dhe për pushtetin e tij (mbase, edhe për jetën e tij), prandaj do ta merret vendimin për përdorimin e armëve taktike bërthamore në front, për t’i zmbrapsur forcat ukrainase. Ky ishte një epilog i tmerrshëm, edhe më i keq se i pari. Nuk do të vonojë shumë kohë nga kjo analizë e Bidenit dhe stafit të tij, kur përfundimet e saj do të shfaqeshin në trajtën më të keqe të mundshme: Me paralajmërimet, sërish të konfirmuara nga CIA, që Presidenti Putin po e shqyrton dhe kalkulon mundësinë e përdorimit të armëve taktike nukleare. Ishte fundi i muajit shtator të vitit 2022. Zhvillimet e pavolitshme në fushëbetejë dhe frustrimet në rritje e sipër të Putin-it dhe vartësve të tij me rrjedhën e luftës në Ukrainë, ndikuan që në Kremlin të bisedohet edhe për armët taktike nukleare, si mënyrën e vetme për zmbrapsjen e Ushtrisë së Ukrainës. Ishte ky një tjetër lajm tronditës që vinte nga Moska e Putin-it, i cili mobilizoi sërish Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin. Nuk ishte hera e parë që në Kremlin po trajtohej ky varianti i një apokalipsi lokal që do të duhej t’i tmerronte ukrainasit (dhe gjithë Perëndimin, në të vërtetë). Por, për dallim prej herëve të tjera, sipas vlerësimeve të CIA dhe NSC-së, gjasat që diçka e tillë të ndodhë ishin 50:50. Presidenti Biden urdhëroi Jake Sullivanin që menjëherë të komunikohet me nivelet më të larta të Rusisë. Porosia do të ishte e njëjta sikurse edhe herën e parë, kur Washingtoni zyrtar ia kumtoi Moskës që e di se çka ka planifikuar të bëjë me Ukrainën (ta sulmojë). Kësaj here, mesazhi do të ishte edhe më alarmues: Administrata e Presidentit Biden do t’i thotë Kremlinit, Shërbimeve të zbulimit dhe Ushtrisë ruse, që e di mirë që këta po përgatiten për ta ngritur në një nivel tjetër, tepër të rrezikshëm, luftën në Ukrainë, përmes inkuadrimit në front të armëve taktike bërthamore. Pastaj, Bideni do të bisedonte në telefon me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, sepse Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines, do t’i sugjerojë Presidentit amerikan që ta përfshijë edhe Presidentin kinez në këtë ekuacion atomik me një të vetmen të panjohur: Kur do ta përdorë Putin armën bërthamore. Xi do të dakordohej me Bidenin rreth kësaj çështjeje. Për më tepër, ai edhe publikisht, me 4 nëntor do të deklarojë që shtetet duhet t’i kundërvihen përdorimit të armëve atomike, apo edhe kërcënimit me shfrytëzimin e tyre. Nuk ka dyshim që Xi ka biseduar me Putinin për këtë temë, dhe që ka pasur ndikim tek ai që të tërhiqet nga ky opsion. Megjithatë, në Administratën e Bidenit akoma nuk dihej se a ka hequr përfundimisht dorë Putin nga futja në fushëbetejë e armëve taktike bërthamore. Në çdo variant, Bideni dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, duhej të gatiteshin edhe për këtë variant, apo, duhej t’i selektonin edhe përgjigjet ushtarake amerikane ndaj kësaj çmendie të mundshme nga Kremlini. Si edhe në të gjitha rastet e tjera prej kur nisi lufta më e madhe në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, edhe në këto rrethanat lemeritëse, ishte Presidenti Biden ai që do t’i caktojë kufijtë e reagimit amerikan. Nuk do të kishte kundërpërgjigje bërthamore ndaj Rusisë, por vetëm me armë konvencionale. Në variantin më ekstrem, do të sulmoheshin edhe caqet ushtarake brenda territorit të Rusisë, megjithëse, Bideni do ta urdhëronte një gjë të tillë vetëm atëherë kur nuk do të kishte asnjë mundësi tjetër. Kriza më e rrezikshme (deri tash së paku), në marrëdhëniet ShBA-Rusi rreth luftës në Ukrainë, do të merrte fund me takimin që do të ndodhë në Ankara, (Turqi), me 14 nëntor, në mes të Drejtorit të CIA-s, Bill Burnsit dhe Shefit të Shërbimit të jashtëm të zbulimit rus (SVR), Sergei Naryshkin. Burns, i njohur me gjuhën e tij shumë të qartë, do t’i ndante me Naryshkinin dëmet e mëdha të cilat do t’i pësonte Rusia nëse do ta bënte këtë hap me armët bërthamore. Shefi i SVR-së do t’i betohej që Moska asnjëherë nuk e ka shqyrtuar këtë mundësi. Kjo ishte një gënjeshtër. Por, e vërteta ishte që rreziku kishte kaluar tashmë. Burns e kuptoi këtë edhe e informoi menjëherë Presidentin Biden. Në të gjitha analizat e detajuara të cilat do të pasojnë në Administratën e Presidentit Biden, kushtuar luftës në Ukrainë dhe pasojave për Rusinë, do të arrihet te një konkludim i përbashkët: Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, me agresionin e tij ndaj Ukrainës, bëri një gabim të madh, madje katastrofal, i cili do t’i kushtojë Rusisë për decenie të tëra. Rusia e Putin-it e ka gjymtuar shumëfish veten, në të gjitha aspektet e mundshme, ushtarake, ekonomike, financiare, qytetëruese, ka unifikuar ShBA-në me Evropën si asnjëherë më parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ka shtuar radhët e Aleancës Veri-Atlantike (me Finlandën dhe Suedinë), ka dëshmuar, tek e mbrama, që nuk është një fuqi që meriton të respektohet nga Perëndimi. Siç kuptohet në librin ‘War’ të Bob Woodwardit, meritat kryesore për zmbrapsjen e Rusisë në Ukrainë i takojnë kryekëput Presidentit Biden dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Detyra kryesore e Presidentit amerikan gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur që ta sigurojë ShBA-në dhe ta ndihmojë Perëndimin dhe Botën e Lirë. Këtë e ka bërë me sukses Joe Biden, i cili i ka shërbyer denjësisht Amerikës si senator, si Zëvendës-President dhe së fundit, edhe si President. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.