Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Libri ‘War’ i gazetarit Bob Woodward (I): Një hap larg Luftës së Tretë Botërore

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 31.10.2024 16:41
Blerim Shala
Blerim Shala

Libri ‘War’ (‘Lufta’) i gazetarit emblematik amerikan Bob Woodward, i cili pa dritën vetëm pak javë më parë, është vëllimi i 21-të i veprave të tij publicistike të cilat i kushtohen historisë së re politike të Amerikës.

Bob Woodward, së bashku me kolegun dhe mikun e tij Carl Bernstein, në kohën kur te dytë ishin akoma gazetarë të ri në ‘The Washington Post’, siguruan mbamendjen e përhershme në politikën dhe gazetarinë e SHBA-së me zbardhjen e Aferës Watergate, e cila i kushtoi shtrenjtë Richard Nixonit, Presidentit të 37-të, sepse ai me 9 gusht të vitit 1974 u detyrua të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Këto ishin vitet e shtatëdhjeta në Amerikë. Atëherë kur gazetarët e guximshëm hulumtues, çfarë ishin Woodward dhe Bernstein, rrëzuan një Presidentit të ShBA-së, të cilit nuk i doli fare në ndihmë as Partia e tij Republikane.

Ishte kohë pra kur e vërteta në gazetari kishte fuqi të ndryshimit të madh në shoqëri, dhe kur morali ende banonte në Shtëpinë e Bardhë.

Epoka e politikës së sotme në Amerikë dhe në Perëndim (në përgjithësi), nuk ka gjë të përbashkët me këtë Epokën e viteve të shtatëdhjeta në ShBA dhe në Perëndim.

Shumëkush rrethanat mbizotëruese politike në Amerikë dhe në Evropë, tash e sa vjet i ka klasifikuar, mbase, edhe i ka damkosur, si post-politikë dhe si post-truth (pas të vërtetës) politikë.

Kjo sot është e vërteta supreme pra: E vërteta nuk të duhet gjë në politikë.

Bindjet dhe vlerësimet kanë supremaci absolute ndaj fakteve. Dhe jo anasjelltas.

Po të ishte kështu në vitet 1972-1974, Nixon kurrë nuk do të detyrohej të largohej i pa-zë, kokë-ulur dhe i pa-fytyrë nga Washingtoni.

Bob Woodward, një gazetar veteran 81 vjeçar, duket që me librin ‘War’ ka arritur majat e krijimtarisë së tij autoriale, kur pa kurrfarë hezitimi mund të konstatohet që ky libër është kryevepra e tij. Dhe atë, në shumë aspekte.

‘War’ është një tjetër vëllim (kjo nuk e bën atë të veçantë), kur Woodward arrinë atë ‘statusin’ aq shumë të dëshiruar të gazetarëve dhe politikanëve, për të qenë ‘the fly on the wall’ (‘mizë në mur’), aty ku zhvillohen ngjarjet kryesore të një historie, pa qenë pjesë përbërëse e tyre, pa qenë dëshmitar i drejtpërdrejt i tyre, pa qenë as përgjegjës, qyshdoqoftë, për to dhe për pasojat që lënë prapa.

Këtë Woodward e arrinë, si edhe në të gjithë librat e tij paraprak, duke pasë qasje në dokumente konfidenciale të shtetit dhe duke biseduar me protagonistët kryesore të një administrate amerikane. Nuk ka president amerikan (përfshirë këtu edhe Donald Trumpin), që e ka kthyer duarthatë Woodwardin.

Këtu, në ‘War’, Woodward pohon që nuk ka intervistuar Presidentin Biden, por para tij dhe kasetofonit të tij janë rrëfyer që të gjithë bashkëpunëtorët më të afërm të Presidentit të 46-të të Republikës Amerikane.

E veçanta e këtij libri është që ky përmban në vete ngjarjet më dramatike që i kanë ndodhur një Presidenti të SHBA-së që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë (1989), teksa nuk do të ishte aspak gabim të thuhet që nga viti 1945, kur mori epilog Lufta e Dytë Botërore.

Tek e mbrama, secili lexues që do t’i qaset ‘War’, do të kuptojë se shumë faqe të këtij libri të vëllimshëm, të dërgojnë aty fare pranë rrethanave kur shumë lehtë ka mundur të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore, mbi të gjitha në vijim të fushëbetejës së Ukrainës, e cila nisi në muajin shkurt të vitit 2022, por edhe për shkak të luftës që me 7 tetor të vitit të kaluar (2023), plasi në mes të Izraelit dhe Gazës, e cila ka kërcënuar të shndërrohet në një konflikt rajonal.

Natyrisht, çdo lexues që mbërrin me të shpejtë në faqet e fundit të ‘War’ (sepse ky libër si thuhet, lexohet me një frymë), merr vesh që ky rrezik nuk është kaluar, apo që te dy luftërat bartin në vete potenciale shkatërrimtare për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, teksa dihet (tashmë), që Rendi ndërkombëtar është bërë flakë dhe hi me 24 shkurt të vitit 2022, kur Rusia invadoi Ukrainën.

Të gjithë ne që tashmë jemi të familjarizuar me këtë vepër të Bod Woodwardit, e dimë fare mirë që po mos të ishte Presidenti Joe Biden dhe Administrata e tij, po të mos ishin CIA dhe Pentagoni, ne tashmë do të ishim protagonistë të Luftës së Tretë Botërore.

Pa Amerikën nuk do të fitoheshin asnjëra prej dy luftërave botërore, dhe as do të ndodhte ngadhënjimi në Luftën e Ftohtë.

Pa Amerikën, nuk do të parandalohej Lufta e Tretë Botërore. Së paku deri tash. Duhet shtuar këtu.

E veçanta tjetër e librit ‘War’ është që ai nuk ka epilog apo përmbyllje të mirëfilltë, siç ka ndodhur me të gjitha veprat e mëparme të Woodwardit. Nuk mbërrimë këtu dot në atë perspektivën e ‘një ditë më pas’, kur me gjakftohtësi dhe distancë historike, mund të flasim për ngjarjet që kanë marrë fund. Këtu jemi ballë për ballë me atë pikëshikimin që mund të përshkruhet si ‘Work in progress’, kur gjithçka është e mundur dhe kur asgjë nuk mund të përjashtohet.

Kjo, sepse siç pati theksuar qysh në vitin 1909, Karl Kautsky, një teoricien austriak i marksizmit, koha e sotme, (dhe e ardhme, sipas të gjitha gjasave), është Epokë (në gjermanisht) e krisen, kriege dhe katastrophen (krizës, luftës dhe katastrofës).

Në të vërtetë, Kautsky me këtë parashikimin e tij të njohur si 3K, paralajmëroi tmerrin që do të nisë në Evropë në verën e vitit 1914-të, me Luftën e Madhe (që më pas do të kategorizohet si Lufta e Parë Botërore).

Teksa Woodward me librin e tij ‘War’, nuk parashikon dhe nuk paralajmëron por përshkruan krizën, luftën dhe katastrofën.

Vazhdon nesër: Historia nis një minutë para mesnatës

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme