Lëmshi paradoksal politik i Kosovës - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Lëmshi paradoksal politik i Kosovës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
23.11.2021 17:30

Politika kosovare edhe një herë e kaloi testin themelor të demokracisë: Atë të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Nuk ka instancë relevante ndërkombëtare që nuk i ka dhënë notën më të lartë të mundshme mënyrës se si Kosova po e ushtron të drejtën themelore të votimit të qytetarëve të saj, apo, të shprehjes së vullnetit politik të tyre.

Megjithatë, teksa ekziston një unanimitet kombëtar dhe ndërkombëtar për organizimin e zgjedhjeve të lira në Kosovë, kudo është shprehur edhe një shqetësim relevant, i cili nuk i llogaritet, si kosto politike, Kosovës dhe as institucioneve të saj. Kjo brengë ka të bëjë me mungesën e demokracisë së mirëfilltë dhe të lirisë autentike të shprehjes së vullnetit, në komunat e banuara me shumicën serbe. Për më keq, diçka e tillë po përsëritet në zgjedhjet, si kur, siç ishte rasti me këto votime, caktohen kryetarët e komunave dhe asambleistët, si kur përzgjedhen deputetët e Kuvendit të Kosovës. ‘Lista Serbe’ i fiton qind për qind të gjitha mandatet, pa një garë politike, pa debate në mes të kandidatëve, pa një ofertë të larmishme për marrjen e posteve të caktuara. Gjithçka ndodhë me një Urdhër ekzekutiv  (nëse mund të thuhet ashtu), të lidershipit të Serbisë, në radhë të parë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić-it. Në Beograd ndodhë ai seleksionimi i mirëfilltë i përfaqësuesve të komunitetit serb në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Pastaj, duke aplikuar të gjitha metodat e mundshme, përfshirë këtu frikësimin dhe joshjen, votuesit serbë të Kosovës, vetëm konfirmojnë atë që tashmë është vendosur në Beograd, në instancat më të larta të Serbisë.

Kështu, votimet dalin si një proces fare teknik, pa të drejtë zgjedhjeje, pa mundësi të përcaktimit.

Çfarë po ndodhë në këtë rast tash e sa vjet në mjediset kosovare të banuara me shumicën serbe është një dukuri krejtësisht paradoksale, edhe për çdo teori politike, e cila, me gjasë, nuk njeh një shembull të tillë.

Këtu kemi një përzierje të madhe të dukurive dhe nocioneve themelore politike të legalitetit, të legjitimitetit dhe të lojalitetit.

Së pari, nuk ka fjalë që të gjithë politikanët e përzgjedhur serbë, janë brenda kornizës legale të Kosovës, apo, që ata në plotëni përmbushin parimin e legalitetit.

Por, njëkohësisht, shumë prej tyre janë pjesë përbërëse e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat, nuk kanë si të mos kualifikohen si sistem ilegal i Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Së dyti, edhe pse fillimisht këta politikanë janë pjesë e dimensionin legal të Kosovës, ata nuk janë të tillë kur bëhet fjalë për një legjitimitet të njëmendtë të tyre, i cili është në mungesë, sepse ai legjitimiteti real i tyre, nuk buron nga vota e qytetarëve serbë të Kosovës, por nga vendimet e Qeverisë dhe të Presidentit të Serbisë. Po mos të ishte ky ’filtër’ i Beogradit, kush e di se si në të vërtetë do të votonin pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Së treti, me këtë konflikt evident në mes të legalitetit dhe legjitimitetit, ku burimi i pushtetit të tyre është në Beograd e jo në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, teksa respektimi i kornizës legale të Kosovës nënkupton edhe buxhetimin e këtyre komunave  (të cilat poashtu buxhetohen edhe nga Qeveria e Serbisë), politikanët serbë të Kosovës, aplikojnë një lojalitet të dyfishtë, i cili gjithashtu, është kundërthënës dhe sërish paradoksal. Këta e kanë një lloj të ’lojalitetit teknik’ ndaj pushtetit qendror të Kosovës, por ai ’lojaliteti politik’ i tyre, nuk banon në Prishtinë, por në Beograd, madje, te një politikan a zyrtar i vetëm, emrin e të cilit e dimë të gjithë ne.

Secili politikan apo ekspert ligjor evropian dhe amerikan, kur do të njihej me këtë situatë që mbretëron te politikanët serbë në Kosovë, apo ndër përfaqësuesit e komunitetit serb, do të thoshte së pari që një lëmsh i tillë është i pashoq kudo ku ka demokraci në Botë, së dyti, që qytetarët serbë të Kosovës janë të tjetërsuar prej të drejtës së tyre elementare për të zgjedhur  (dhe për të qenë të zgjedhur), dhe së treti, që kjo situatë është krejtësisht e paqëndrueshme, apo që duhet patjetër të adresohet si problem i madh që kërkon zgjidhje në një afat të arsyeshëm kohor.

Serbia dëshiron tutje të mbajë këtë situatë, pos tjerash, sepse ky kontroll efektiv që ushtrohet nga Beogradi mbi serbët e Kosovës, është një kartë negociatore e Udhëheqësisë së Serbisë në bisedimet e Brukselit me autoritetet e Kosovës.

Në anën tjetër, për shkaqe të shumta, vet Kosova nuk është në gjendje vet ta trajtojë si duhet këtë sprovë madhore të demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve të saja, si në nivelin komunal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror. Autoriteteve të Kosovës i duhet pra një përkrahje e qartë, e plotë dhe e fuqishme e BE-së, e SHBA-së dhe e kryqendrave kryesore të Evropës, në adresimin dhe në zgjidhjen e këtij problemi, i cili në fund, do të mundësonte që qytetarët serbë të Kosovës ta gëzojnë, në të gjitha aspektet e mundshme, demokracinë kosovare, si të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës.

 

lajme të ngjashme