Kush lexon më Konkluza? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 17.12.2021 14:17 17.12.2021 14:17 Blerim Shala Pakkujt sot i kujtohet Gjenerali Brikman, njëri prej oficerëve të lartë të UNPROFOR-it, Misionit paqeruajtës të OKB-së në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet e luftës (1992-1995). UNPROFOR-i, i cili ishte themeluar nga instanca më e lartë e sigurisë ndërkombëtare, pra, nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nuk arriti të mbajë dhe as të imponojë paqe askund në Bosnjë dhe Hercegovinë, teksa Këshilli i Sigurimit, vazhdonte të miratonte Rezoluta në thirrje të palëve ndërluftuese për t’i dhënë fund luftës. Gjenerali Brikman, i cili shërbente diku në rrethinën e Sarajevës, në muajin shkurt të vitit 1994, pas aprovimit të një tjetër Rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u pyet nga gazetarët ndërkombëtarë se çka mendon ai për këtë Dokumentin më të ri nga East River-i (New Yorku), selia e OKB-së. Përgjigjja e Brikmanit me siguri mbetet në mesin e deklaratave antologjike të zyrtarëve ndërkombëtarë që shërbyen në luftën e cila pos tjerash, ishte turp për Perëndimin deri në ndërhyrjen e njohur të Amerikës, në vitin 1995. Brikman tha: ‘Kush lexon më Rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Ato nuk kanë kurfarë ndikimi në luftën që po ndodhë përditë në Bosnjë…Shkurt, nuk kam kohë për t’i lexuar…’. Mbase, nuk ka mundur më mirë dhe më shkurt të përshkruhet pafuqia e madhe e OKB-së në një shtet të vogël çfarë ishte Bosnja dhe Hercegovina. Krahasimi që do të vijojë këtu, mbase, shumëkujt mund t’i duket i paqëndrueshëm, madje i gabuar dhe i vrazhdë, kur vendosë një paralele midis relacionit të Rezolutave të KS të OKB-së dhe gjendjes në Bosnjë në vitet e nëntëdhjeta, dhe raportit të Konkluzave të Këshillit të Ministrave të BE-së, të miratuara pak ditë më parë, dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor tash e tre-katër vjet. Dikush mund ta parafrazojë Gjeneralin Brikman sot, dhe të deklarojë: ‘Kush ka kohë sot të lexojë Konkluzat e Ministrave të BE-së. Ato nuk kanë aspak ndikim në Ballkanin Perëndimor…’. Nuk pati pra kurrfarë risie në këtë Dokumentin e instancës më të lartë të BE-së që merret me Procesin e zgjerimit dhe të stabilizimit të Bashkimit Evropian, i cili këtu përfshinë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Zatën, as optimistët më të mëdhenj këndejpari, e lëre më realistët, nuk kanë ëndërruar për ndonjë befasi nga Brukseli, megjithëse muajve të fundit, nga Washingtoni zyrtar pati thirrje të qarta që BE-ja të nisë të lëvizë kur bëhet fjalë për procesin e zgjerimit, duke hapur negociatat për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me një fjalor të njohur qëmoti prej të gjithë atyre që lexojnë dhe përcjellin dokumente të këtij lloji, të nuansuar tej mase, BE-ja edhe një herë, përmes këtyre Konkluzave, i përsëriti të njëjtat konkludime për shtetet e Ballkanit Perëndimor, para se të gjithash, duke risjellë të njëjtin zotim për zgjerim, (me këto shtete), por pa specifikuar gjë në mënyrë konkrete. Për shembull, kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, thuhet që sa më parë që është e mundur, do të iniciohet procesi i negociatave për anëtarësimin e këtyre dy shteteve në BE. Formulimi ‘sa më parë që është e mundur’, është pa kurrfarë afati kohor. Sidoqoftë, rasti më paradoksal, si edhe më parë, përkon me Liberalizimin e vizave për Kosovën. Kemi të bëjmë me Pikën 78 të Konkluzave të Këshillit të Ministrave. Teksa në fillim të kësaj Pike theksohet që ‘Këshilli (i Ministrave), njeh rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës’, më tej konfirmohet që Komisioni Evropian (Qeveria e BE-së), që nga korriku i vitit 2018 (pra, 40 muaj më parë), ka konstatuar përmbushjen e kritereve nga Kosova për të marrë të drejtën për udhëtim pa viza (‘Lista e Bardhë’ e Schengen-it), teksa Këshilli i Ministrave, si konkludohet në këtë Pikë, është ende duke e konsideruar vendimin për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Për më shumë, nuk ka asnjë shenjë të vetme se kur qytetarët e Kosovës do të mund ta fitojnë këtë të drejtë të pranuar nga Parlamenti Evropian dhe nga Komisioni Evropian, dhe të mohuar nga Këshilli i Ministrave. Duket që Qeveria e re e Gjermanisë, me Kryeministrin Olaf Scholz dhe me Ministren e Jashtme Annalena Baerbock, do ta ketë si prioritet të vetin mëkëmbjen e politikës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian, dhe në këtë kontekst, do të mund t’i jep një shtytje edhe për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, Franca e Presidentit Macron do të jetë Kryesuese e BE-së në harkun kohor 1 janar – 30 qershor, 2022. Për më shumë, pritet që Macron do ta kryesojë një Mbledhje të veçantë për Ballkanin Perëndimor, në qershorin e vitit të ardhshëm. Samitët për Ballkanin Perëndimor të Sofjes (Bullgari), Zagrebit (Kroaci) dhe të Brdos (Slloveni), kanë dhënë rezultate fare modeste për ta kthyer në binarë politikën e zgjerimit të BE-së. Po që se Macron do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të prillit të vitit 2022, atëherë, ai do të mund ta bënte një hap të rëndësishëm para në kontributin e Parisit zyrtar për shtrirjen e BE-së kah këto anë të Evropës, për diaogun Kosovë-Serbi dhe për liberalizimin e vizave. Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të kuptojmë të gjithë së bashku se sa i qëndrueshëm është ky parashikim i zhvillimeve në raportet në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.