Kurthi i Dick Martyt - Klan Kosova

Kurthi i Dick Martyt

string(14) "Sabri Kiçmari" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2019/03/sabri-kiçmari.jpg"
1 javë më parë

Në raportin e tij, që mban datën 7 janar 2011, Dick Marty konstaton se “në periudhën fill pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të merrnin në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin rendin e ligjshmërinë, organe të trupit u janë marrë disa robërve në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi.”

Ky formulim makabër, që vret ndërgjegjien e secilit njeri racional, ndikoi që më 25 janar 2011 të aprovohej në formë të Rezolutës Raporti i Dick Martit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ky formulim ishte në fakt një kurth, në të cilin ra Këshilli i Evropës.  

Nuk është e rastësishme që ky raport u soll për aprovim gjashtë muaj pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010 kishte konstatuar se akti i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është në akord me të drejtën ndërkombëtare. Serbia u gjend në një gjendje dëshpruese pas Opinionit të Gjykatës së Hagës.

Në një gjendje të tillë dëshpëruese për humbjen e betejës juridike, e cila ishte pasuar nga humbja diplomatike në Këshillin e Sigurimit, ku ishte insistuar që OKB ta shpallte jolegal aktin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, diplomacia serbe dhe ruse në marrëveshje me kundërshtarin e pavarësisë Dick Marty sollën në Këshillin e Evropës Raportin në fjalë. Duket se e kishin pritur rastin e volitshëm për të bërë këtë gjë. Si rrjedhim i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës BE formoi Task Forcën Hetimore Speciale, kurse Kuvendi i Kosovës, më 3 gusht 2015, aprovoi Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe aprovoi nenin 162 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në fakt, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Republikë së Kosovës ish prokurorja Carla Del Ponte në librin e saj “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës” ndër të tjera supozonte se ka pasur trafikim të organeve të të burgosurve serbë nga ana e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbi bazën e kësaj, në prill të viti 2008, deputeti rus në Këshillin e Evropës Konstantin Kosachev inicoi një rezolutë për “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve.”

Propozimi i deputetit rus u përkrah nga deputeti serb Milos Aligrudiq dhe 15 deputetë të tjerë, shumica prej të cilëve nga Evropa e Lindjes (Federata Ruse, Gjeorgjia, Ukraina, Aserbeixhani, Polonia dhe Hungaria). Komisioni për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës emëroi  Dick Martyn si raportues, një eksponent i hapur kundër bombardimeve të Serbisë në vitin 1999 dhe kundër shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008. 

Marty nuk e solli Raportin e tij përgjatë vitit 2008 dhe 2009. Kjo nuk ishte e rastësishme. Hartuesit e strategjisë serbe,  të mbështetur nga diplomacia ruse, shpresonin që Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare, nëse nuk do të ishte kundër shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, të paktën do të kishte formulime ambivalente, të cilat do të mund të interpretoheshin dyanshëm. Vendimi i qartë dhe pa ambiguitet i 22 korrikut 2010 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të legalitetit dhe legjitimitetit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës e solli në gjendje dëshpruese politikën dhe diplomacinë serbe. Duket se një rast i tillë ishte pritur edhe nga deputeti Dick Marty. Vetëm gjashtë muaj pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare ai do të dorëzonte Raportin e tij, i cili përmbante një gjuhë urrejtjeje jo vetëm për UÇK, por edhe për etnopsikologjinë shqiptare.

Politika e Kosovës nuk e përballoi dot presionin e partnerëve ndërkombëtar për të miratuar Gjykatën Speciale. Akterët politikë që kanë komunikuar me SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe vendet e tjera të BE nuk u treguan të shkathtë për të argumentuar dëmin që i shkaktohej vendit dhe iracionalitetin e krijimit të një Gjykate të tillë. Fakti se disa nga akterët që komunikonin me ndërkombëtarët ishin përmendur vetë në Raportin e Dick Marttyt vetëm e komplikonte mundësinë për t’u marrë seriozisht argumentet e tyre. Kërcënimi i diplomatëve të vendeve mike se në rast se nuk aprovohej krijimi i Gjykatës nga Kosova, ata nuk do të përdornin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit për krijimin e një gjykate të tillë nga OKB vetëm e shpjegon gjendjen absurde në të cilën u gjend vendi ynë. 

Dhe, ndodhi ajo që pritej të ndodhte pas krijimit të Gjykatës Ndërkombëtare. Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën. Në Aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, që mban datën 4 nëntor 2020, nuk është përfshirë akuza për trafikimin e organeve. Duket qartë se ajo është përdorur vetëm si një mjet për të arritur efektet psikologjike te anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe te institucionet e Bashkimit Evropian. Në vend të akuzës për trafikim të organeve, Gjykata Speciale dha urdhër për arrestimin e katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare   të Kosovës (Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit), me akuzën për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. 

Teksti i aktakuzës është i strukturuar në atë mënyrë që e merr parasysh edhe historinë politike dhe kontekstin e rrethanave të ngjarjeve të viteve 1998-1999.  Në rrafshin kontekstual kohor në aktakuzë përfshihet periudha në mes të marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999, kurse në rrafshin gjeografik përfshihet i gjithë territori i Kosovës dhe dy zona në Shqipërinë Veriore. Prokuroria konstaton se ka pasur një “konflikt të armatosur ndërmjet UÇK-së dhe forcave të RFJ-së dhe Republikës së Serbisë.” Prokuroria e kualifikon UÇK si “një grup i armatosur i organizuar, me një shkallë të mjaftueshme organizimi për të mbajtur nën kontroll territor dhe për të planifikuar dhe kryer sulme të armatosura të bashkërenduara si dhe operacione të tjera ushtarake sulmuese dhe mbrojtëse.” Më tej prokuroria konstaton se “UÇK-ja kishte një Shtab të Përgjithshëm, ishte e organizuar në (nën)zona operative dhe lëshonte deklarata politike dhe komunikata në të cilat parashtronte politikën e saj.” Pra, prokuroria e konsideron me të drejtë UÇK si palë në konfliktin e armatosur në Kosovë ndërmjet saj dhe forcave të RFJ-së.” Fakti se UÇK pranohet si palë në konfliktin e armatosur e delegjitimon akuzën e prokurorisë për “arrestime ilegale.”

Prokuroria nuk i ka akuzuar të arrestuarit si individ që kanë kryer krime. Ata janë kualifikuar si “ndërmarrje e përbashkët kriminale.” Askund prokuroria nuk fokusohet në qëllimin themelor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishte çlirimi i vendit, por të akuzuarit ngarkohen se kishin qëllimin e përbashkët “për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.”

Prokuroria nuk flet për parimin themelor të  UÇK që ishte mospërdorimi i formave terroriste të veprimit dhe ndalimi i çdo lloj sulmi mbi civilët e pafajshëm. Në vend të kësaj ajo konstaton se “objekt sulmi i tyre ishin bashkëpunëtorët  e institucioneve shtetërore të RFJ-së, personat që nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera.” Dhe, më e qartë kjo gjë bëhet e ditur, kur fillon renditja e anëtarëve të grupit në pikën 35 të aktakuzës: përpos katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, fillimisht përmenden me emër edhe disa pjesëtarë të tjerë dhe më pas numërohen edhe “udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ministra dhe zëvendësministra të QPK-së, komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave, komandantë të brigadave dhe njësiteve, komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së, ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së, si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇKsë dhe QPK-së.”

Ky formulim sinjalizon qartë secilin lexues të aktakuzës se fjala nuk është për një akuzë kundër individëve të veçantë, siç supozohej nga mbështetësit e idesë për krijimin e Gjykatës Speciale, por fjala është për një aktakuzë kundër gjithë strukturës komanduese të  UÇK dhe njësive të saj. 

Është interesant se akuza kundër Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit dallon për një pikë nga ajo kundër Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Dy të parët kanë tetë pika të aktakuzës, kurse dy të fundit shtatë. Thaçi dhe Krasniqi akuzohen edhe se kanë qenë të përfshirë në përpjekje “për të dhënë informata të rreme, të paplota dhe çorientuese komunitetit ndërkombëtar, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikut.” Ky formulim dëshmon se prokuroria është shërbyer fort me të dhënat serbe. Prapa kësaj akuze qëndron një prapavijë djallëzore për të vënë nën akuzë edhe komunitetin ndërkombëtar  se gjoja ai është manipuluar me të dhëna nga pjestarët e UÇK dhe si rezultat i kësaj ka ndërhyrë përmes sulmeve të NATO-s. Natyrisht që një akuzë e tillë është e padrejtë. NATO dhe akterët tjerë të Bashkësisë Ndërkombëtare kanë pasur një numër të madh mundësish për të verifikuar të dhënat e përfaqësuesve të  UÇK dhe ata i kanë marrë të mirëqena ato vetëm pas verifikimit të tyre. 

Krimet që ju ngarkohen të akuzuarve nuk janë të reja. Të gjitha këto akuza të renditura në kuadrin e krimit kundër njerëzimit ose krimit të luftës janë trajtuar edhe më parë. Sipas prokurorisë  ka ndodhur burgosje/arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bare, Bajgorë, Llapashticë, Zllash, Kleçkë, Ferizaj, Gjilan, Suharekë, Novobërdë, në Kosovë si dhe në Cahan dhe Kukës në Shqipëri. Por, të gjitha këto raste janë trajtuar tashmë nga Gjykata për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, nga gjykatat e UNMIKU-t dhe EULEX-it. Janë gjyqe të zhvilluara në Hagë dhe Kosovë, të cilat kanë përfunduar tashmë dhe të akuzuarit janë liruar. Janë trajtuar me vite ishkryeministri Haradinaj, deputeti Limaj, komandantët e zonave të Llapit dhe Drenicës për të gjitha këto raste dhe të gjithë janë liruar tashmë. 

Kosova është dëmtuar rëndë me krijimin e Gjykatës Speciale. Shoqëria dhe shteti i Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme për këtë fakt. Tani duhet përballur me dinjitet kundër një akuze të padrejtë ndaj luftës sonë çlirimtare. Nuk është fjala këtu për mbrojtjen e individëve të veçantë dhe as për amnistimin për gabimet e shumta politike gjatë qeverisjes së tyre në të kaluarën e afërt. Fjala është për mbrojtjen e dinjitetit të luftëtarit të lirisë, luftës sonë të drejtë për liri dhe pavarësi. 

Institucionet shtetërore, politike dhe shoqërore duhet të jenë bashkë në mbrojtjen e drejtësisë së luftës në dy drejtime themelore: juridike dhe politike. Mbrojtja juridike bëhet nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve, të cilët duhet pajisur me informacione të duhura për të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë. Mbrojtja politike duhet bërë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, të gjitha institucionet shtetërore, partitë politike dhe shoqëria civile. Nuk mjaftojnë deklarimet në facebook dhe twitter të zyrtarëve të Qeverisë. Duhet angazhuar ekspertë, përgatitur dokumente faktike dhe informuar diplomacinë dhe opinionin publik ndërkombëtar për atë që ka ndodhur në Kosovë në vitet 1998-1999. Kjo duhet bërë për hir të së tashmes dhe sidomos të së ardhmes së vendit tonë.