Kur vdes një shkrimtar i madh 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 14.07.2023 15:37 14.07.2023 15:37 Blerim Shala Çka mbetet prapa kur një shkrimtar i madh vdes? Mbetet një nekrolog. I shkruar prej qindra vetave, në gazeta, në portale, në rrjete shoqërore, në shumë gjuhë të Botës. Një nekrolog i bërë gjatë apo shkurt, mirë apo keq, bukur apo shëmtuar, duke mos mbërri asnjëherë (sepse diçka e tillë nuk është e mundur), tek vlera e mirëfilltë e jetës dhe librave të tij, tek ajo zbrazëtia që mbetet prapa tij pas vdekjes, si pas kalimit të një komete me bishtin e saj të zjarrtë që e zhbën terrin vetëm për pak kohë, duke lënë prapa pastaj një kujtim për një dritë të përkohshme dhe një kuptim për errësirën e përjetshme. Mbetet një heshtje e përhershme prej tij, prej vet këtij shkrimtari. I cili edhe ashtu, për vite a decenie rresht, nuk kishte folur fare. Sepse ai flet kur shkruan libra. E kishte mbyllur gojën teksa ende merrte frymë. Mbase, nuk kishte më çka të shkruajë dhe kujt t’i drejtohet. Shkrimtari i kësisojt shkon një herë e përgjithmonë me mallëngjim. Sepse pa marrë parasysh çka ka shkruar deri sa ishte ende këndejpari, vepra e tij kryesore, më e madhja, më e rëndësishmja, ende ishte në mendjen e tij. Ende nuk ishte shkruar. Ajo letra e bardhë, ai ekrani i zbrazët, pa një shkronjë a fjali të vetme, e cila më pas duhet të mbushet me rrëfim, i ngjanë asaj tabloje të Parajsës me një Adam dhe me një Evë, me një Zot diku aty pranë, e cila shënon fillimin e Jetës. Shkrimi për një autor, mund t’i ngjanë zbritjes në një Ferr, teksa zbret poshtë ekranit apo fletës në kallëzimin e tij, por më pas, ai libër na shërben të gjithë neve si shkallë të cilat na çojnë përpjetë, aty ku kuptojmë sa të plotë jemi, dhe aty ku marrim vesh sa të kotë jemi. Të paktë janë Orfetë. Të shumtë janë Sizifët. Edhe më të shumtë janë sot ata që nuk dinë kush është Orfeu, dhe kush është Sizifi. Ata, tek e mbrama, nuk e frekuentojnë Facebook-un dhe Instagram-in. Ata nuk kanë followers-a. Ata e kanë Meta-n. E shkrimtari ka menduar që e ka Metafizikën. Mbeten ndoshta edhe dorëshkrimet të cilat ky nuk ka dashtë t’i botojë për së gjalli. Sepse nuk i janë dukur të denja për t’i publikuar. Por ai nuk ka urdhëruar kënd, siç kishte bërë moti Franz Kafka, për t’i djegur ata. Kanaqet reciklohen. Yjet e muzikës dhe të filmit reciklohen. Jeta reciklohet. Por jo edhe shkrimtarët e mëdhenj. Mbeten rrëfimet e tij personale të cilat ai kurrë nuk i ka ndarë me kë. As me më të afërmit. As me më të dashurit. Ai mund të na thotë, po të ishte ende gjallë, që në të vërtetë, krejt çka ka pasur të na thotë, ai e ka shkruar në librat e tij. Që privatësia e tij nuk ka qenë interesante dhe nuk ka merituar të zbardhet me ne. Dhe nga ne. Nuk është me rendësi sa herë është rrëzuar dhe sa herë ngritur. Sa herë ka dashuruar dhe sa herë është penduar. Kur dhe si është mërzitur dhe kur është dëshpëruar. Sa herë e ka mbërthyer shpresa dhe sa herë është ngujuar në ankth. Ky është, tek e fundit, një regjistër i jetës të cilin të gjithë ne e kemi. Por kjo nuk na bën shkrimtar të mëdhenj. Mbetet një fakt i pamohueshëm, që ky shkrimtar nuk e ka marrë Çmimin kryesor (atë Nobel), për letërsi. Sikurse mbetet edhe një tjetër fakt i cili s’mund të mohohet dot, që për dhjetëra vitet e shkuara, prej të tetëdhjetave e këndej, ky e ka merituar si askush tjetër këtë vlerësim universal të veprës së tij. Mbetet, tek e fundit, edhe një libër/ roman i përjetshëm i tij, çfarë është ‘Pavdekësia’. (pas vdekjes së shkrimtarit Milan Kundera) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.