Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kur gara politike merret për një duel rapsodik

123
string(12) "Mustafa Nano" NULL
nga Mustafa Nano 09.05.2017 10:08

Gara politike në Shqipëri është mbajtur prore në nivelin e një ndeshjeje rapsodike. Është parë si një provë force e jo si një ballafaqim idesh. Palët kanë synuar t’i futin frikën apo të mos i tremben njëra-tjetrës dhe opinioni publik ka bërë çmos ta ushqejë këtë logjikë. S’ke ç’i bën! Kjo është kultura e shoqërisë shqiptare, e cila nga ana e vet ka pjellë një elitë kulturore, politike, mediatike etj., që nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të operojë me termat “frikacak”, “burracak”, “i paburrë”, dhe të ndihet e mbrojtur/e pambrojtur nga një udhëheqës që e inkurajon/shkurajon ballafaqimin fizik mes palëve. Ishte interesante të shihje reagimin e shumë vetëve pas njoftimit të kryeministrit se zgjedhjet në Kavajë do të shtyhen. E nuk është se u referohem rrjeteve sociale, që u pushtuan nga ngazëllimi i demokratëve dhe nga dëshpërimi i socialistëve. Jo, u referohem titujve të gazetave, të shkrimeve, komenteve etj., të bëra apo të shkruara nga njerëz që kanë peshë në procesin e opinionbërjes. Këta të fundit do duhej të bënin çmos jo vetëm të ulnin gjakrat e palëve, por edhe t’i jepnin munxët konceptimit rapsodik të dialektikës demokratike. Në fakt kanë bërë të kundërtën.

Protesta e PD-së e ngritur mbi një ultimatum (ultimatumi është shprehja më sintetike e kulturës rapsodike në politikë) u pa si një gjë normale dhe e natyrshme që në krye të herës. E me këtë logjikë u mbështet dhe u përshëndet nga disa gazetarë e intelektualë publikë, të cilët i kanë qëndruar afër Bashës, janë takuar me të, i kanë shkuar në zyrë, kanë folur në telefon, e kanë vizituar në çadër dhe gjatë gjithë kohës kanë mbështetur ultimatumin: “Nëse qeveria nuk largohet, zgjedhje nuk do të ketë”. Të krijohet përshtypja se në asnjë rast nuk janë ndalur për t’i bërë vetes, në një moment vetëshqyrtimi, ndonjë pyetje: “Prit, mos kjo që po bëjmë është pa kuptim dhe e rrezikshme? Si u bëka kjo punë që kryeministri të ikë se kështu dashka një turmë e caktuar”? Çfarë kanë bërë, ka qenë tjetër. E kanë inkurajuar Bashën të rrijë në çadër. “U fute që u fute? Tani nuk ke rrugë tjetër, veçse të rrish në atë çadër deri në… ditën e kiametit”. Dhe sa herë që kanë pikasur ndonjë ndërdyshje a dilemë te Basha, në një formë a në një tjetër i janë turrur me fjalët: “Nëse tërhiqesh, veç Holanda të pret”! Ia bënë këtë Holandën sikur të jetë një gulag. Unë ku ta gjeja ta kisha Holandën si opsion në këtë jetën time. Mirëpo nuk jam aq me fat. Dhe pas kësaj, Basha trimërohej dhe lëshonte fraza të tipit: “Duan luftë? Luftë do të bëhet”! Hëm! Flet për luftën si të jetë fjala për një festival. Ai qoftë!

Dhe lanë të kuptohet se këtë luftë do ta nisnin në Kavajë. Personalisht, nuk besoj se mund ta bënin këtë luftë. Qejfi mund t’ua ketë patur e mund t’ua ketë, por nuk kanë takat. Me siguri, nuk u dalin llogaritë. Kryeministri i anuloi zgjedhjet, sidoqoftë. Duke na kapur në befasi të gjithëve me këtë vendim. Nuk u kuptua pse i anuloi. Ato sipas meje, nuk do duhej të anuloheshin. Nëse ka patur një plan për t’i prishur, duhej t’i kishin lënë t’i prishnin. E pas kësaj, të vepronte ligji, tak e tak e tak. Dhe me “tak e tak e tak” kam parasysh ndalime dhe përcjellje për në gjyq, e jo vrasje “për kapërcim gardhi” apo një 21 janar të dytë, siç priste Andi Bushati të bëhej. “Rama nuk lejoi që në Kavajë të bëhej 21 janari i tij”, ia bënte Bushati në një artikull të shkruar menjëherë pas deklaratës së tërheqjes së Ramës. Po pse xhanëm çdo protestë mund t’u shndërroka në 21 janar? Ku dreqin gjendet kjo logjikë? Apo te eposi i kreshnikëve, ku thuhet “ça ke ba n’mue, due me ta ba”?

Për të patur një 21 janar, nuk mjafton një turmë e zemëruar. Logjikën e kundërt e kanë patur ata idiotë a të liq, që pas 21 janarit 2011, për të përligjur e relativizuar krimin monstruoz të kryeministrit, bënin pyetjen: ok, por kush i çoi njerëzit para kryeministrisë? Dhe Andi nuk ka qenë në grupin e atyre që e bënin këtë pyetje atëmot. Ka qenë në krahun tjetër dhe qoftë edhe për këtë duhet ta dijë se, për të patur një 21 janar, përveç turmës së zemëruar, duhet që në zyrën e kryeministrit të jetë një shkërdhatë që s’e ka për gjë të shtjerë mbi njerëzit. Mirëpo një shkërdhatë të tillë nuk e kemi më në atë zyrë. E prandaj, nuk ka për të pasur një 21 janar të dytë. Ka ikur koha kur shtihej mbi qytetarët. Të gjithë e kanë të qartë që ajo kohë ka ikur. Dhe do duhej t’i gëzoheshin këtij lajmi. Mirëpo, jo. Nuk duan t’i gëzohen. Të japin përshtypjen se do donin shumë të ndodhte një 21 janar i dytë dhe prandaj janë si të shastisur. Sepse Rama u ka dalë nga skema. Ai nuk është nga ata të ballafaqimeve. Nuk i përket botës së rapsodive, nuk është nga ata që thotë: “Po më fton në duel? Më prit në mejdanin e Kavajës, atëherë! Merr edhe gjogun e topuzin me vete”! Personalisht, jam i lumtur që kemi një kryeministër që, në këtë drejtim, është kështu si është.

Por kjo nuk do të thotë se ka bërë mirë që u tërhoq në Kavajë. Ai nuk ka pse ta kërkojë apo nxitë ballafaqimin dhe këtë nuk po e bën, por të mos tërhiqej në Kavajë nuk ishte baras me një hedhje doreze. Atje ishin lajmëruar një palë zgjedhje dhe ato zgjedhje do duhej të bëheshin. Nëse dikush do të vendoste të pengonte mbajtjen e zgjedhjeve, ai dikush do të përgjigjej sipas ligjit. Nëse ky “dikush” është një turmë prej disa mijëra vetash, përgjegjësi do mbanin që të gjithë, por mbi të gjitha organizatori. Ky i fundit do duhej të trajtohej si të gjithë kundërvajtësit e tjerë. Dhe me kundërvajtësit nuk merret kryeministri. Merret polici, ligji, prokurori, gjyqtari. Shkurt, tërheqja nga zgjedhjet në Kavajë nuk ka qenë gjëja e duhur. Ato zgjedhje do duhej të ishin mbajtur. Edhe sikur të kish sinjale se kanë dashur t’i prishin, ato do duheshin mbajtur. E shumta që një kryeministër do duhej të bënte në këtë rrethanën e fundit, do të ishte t’u bënte thirrje mbështetësve të vet të votonin, e të futeshin nëpër shtëpia, në mënyrë që të shmangej një konflikt civil. Gjëja duhej lënë mes shtetit e atyre që kanë dashur, nëse kanë dashur, të prishin zgjedhjet.

Sidoqoftë, kryeministri e pa të udhës të tërhiqej. Ndoshta e kanë informuar për gjëra që ne s’mund t’i marrim me mend, ndoshta këtë tërheqje e ka menduar si një hile të vetën, si një mënyrë për t’ua futur kundërshtarëve, si një mënyrë për t’iu shuar etjen me një gllënjkë ujë tani e për t’i lënë të thahen nga etja më 18 qershor (kryeministrin nuk e kemi rapsodik, por hilanjoz e tinëzar e kemi), ndoshta… Ka plot arsye për këtë tërheqje, e cila sido që t’i vijmë rreth, është kjo që është, d.m.th. një tërheqje. Unë nuk e kuptoj, për të mos thënë që në varësi të motivimit, edhe e qortoj. Por fjala në fund të fundit është për një tërheqje, me fjalë të tjera, për një gjest të padëmshëm, një gjest jo luftarak, një gjest paqeje, një gjest që i ikën kulturës rapsodike të ballafaqimit.

Mirëpo, kultura e ballafaqimit është aty. Kjo kulturë nuk zhbëhet me një gjest. Në shkrimin e vet, Bushati (po ndalem pak te Bushati, pasi ka ca kohë që nuk e kuptoj) i ftonte berishianët që tërheqjen e Ramës ta lexonin si një shenjë frike të tijën dhe se prandaj, thoshte, këmbëngulni, pasi keni për t’ia dalë. “Siç është tërhequr për shumë gjëra, do tërhiqet edhe nga posti i kryeministrit”, thoshte ai në thelb në shkrimin që e kish mbushur me termat “frikacak, i paburrë, i zbythur, ankthioz etj”. Ishte një shkrim që më tronditi. Do duhej, sipas meje, të ishte i shqetësuar për faktin që në ditën e zgjedhjeve në Kavajë ishte lajmëruar një protestë, një provë e madhe force. Në ditën e zgjedhjeve nuk mund të bëhen protesta. Mund të bëhet çdo gjë, por jo protesta. Këto të fundit mund të bëhen në të gjitha ditët e vitit, por jo në ditën e zgjedhjeve. Sepse ndryshe i bie që gjërat t’i zgjidhim si Muji e Halili që i dilnin bajlozit në mejdan apo që nuk linin shkja pa pre. Dhe duket se është kjo që kërkon Bushati. Në mënyrë të çuditshme. Në programin e Ylli Rakipit nja dy ditë para tërheqjes së kryeministrit prej idesë së zgjedhjeve në Kavajë, Bushati tha se “pushtetet banditeske luftohen me dhunë, pasi nuk ka mënyrë tjetër…”. Nuk është se i ka shkarë kjo frazë. Përkundrazi, është një frazë që është në harmoni me qëndrimet që ka mbajtur gjithë këto javët e fundit. Më 14 prill, ka qenë aq i sigurt se zgjidhja ka qenë vetëm çadra dhe ultimatumi i lëshuar prej saj për dorëheqjen e Ramës, sa e ka porositur Bashën të mos ulet me Ramën në tavolinë për negociata, pasi ky i fundit – po citoj germë për germë nga shkrimi i tij i datës 14 prill 2017 – “është i papranueshëm si palë në dialog; çdo lloj bisedimi me Ramën në tryezë do të ishte një parodi; nëse Basha e bën këtë gjë, ai duhet të bëjë gati valixhet e të ikë në Holandë”. Prapë Holanda, kampi i famshëm i përqendrimit. Siç shihet, Bushati as si palë në një negociatë të mundshme nuk e ka llogaritur kryeministrin. I ka lënë këtij të fundit vetëm një opsion. Të ikë. Të avullojë. Në mos, të largohet pa zgjedhje. Pse? Sepse kështu na dashka Bushati. Nuk e kam parë asnjëherë Bushatin kaq dilusional. Duket se është duke jetuar në një realitet politik të vetin, në të cilin përballë njëri-tjetrit janë, jo vetëm trimi e dhjaksi, por edhe engjëlli me djallin. Kuptohet trimi e engjëlli është Basha. Shumë guximtare si tezë kjo e Bushatit. Por është edhe më guximtare teza e një gazetari tjetër, që ka qenë në burg gjatë komunizmit (po, po, është pikërisht ai që keni në mendje), i cili në një bisedë me Bashën, i ka thënë këtij të fundit: “Ka vetëm një zgjidhje në këtë mes; PS-ja ka krijuar bandat e saj; ju të PD-së duhet të krijoni bandat tuaja”. Çfarë gallate! Lëre që ushqen logjikën e ndeshjes rapsodike, por edhe i thënka kreut të PD-së që të krijojë bandat e tij!!!! More teveqel me syze! Po ende nuk e ke marrë vesh që PD-ja vetë është nëna e bandave?

Basha ka tentuar, në fakt, të afrojë rreth vetes të gjithë ata që, për një arsye a një tjetër, janë kundër Ramës. Dhe ia ka dalë. Nuk i është dashur të lodhet shumë, merret vesh. Ca e ca, për të rrëzuar Ramën, do ishin të gatshëm të bënin edhe më shumë se sa një flirt me Bashën, sidomos në këtë situatë kur, për një trill e kombinacion rrethanash, perspektiva e Ramës në zyrën e kryeministrit duket paturpësisht e gjatë. Dhe në këtë pikë duhen mirëkuptuar. Kjo perspektivë është një sëkëlldi edhe për mua. Por edhe sikur të mos i mirëkuptoja, asgjë të keqe nuk ka në këtë mes. Është një zgjedhje e tyre dhe pikë. Unë nuk do ta bëja këtë zgjedhje, por është ok, nuk kam se ç’të them. Nuk mund t’i jap të drejtë vetes të qortoj të tjerët për zgjedhjen që bëjnë. Kështu, këta miq mund t’i premtonin Bashës mbështetje me okë, meqenëse rrëzimin e Ramën e shohin si një imperativ historik, por … Këtu është hera e një kritike që unë kam: ata nuk duhet t’i bëheshin krah kësaj kulture politike të nivelit rapsodik.

Në terma konkretë, ata nuk duhet të binin dakord me ultimatumin e Bashës drejtuar kryeministrit: Ose jep dorëheqjen, ose në këtë vend nuk do të ketë zgjedhje. Unë e di që u ka pëlqyer, unë e di që u ka lëngëzuar goja, ndoshta edhe ndonjë gjë tjetër përveç gojës, kur kanë përfytyruar ditën që Rama do largohej nga zyra nën presionin e Bashës (se si mund të ndodhë, veç këta e dinë), por kjo nuk duhej menduar si një zgjidhje. Jo vetëm sepse është e pamundur, por edhe sepse është jashtë manualeve të praktikës e të teorisë së demokracisë. Të veprosh me ultimatume të tilla është si t’i vësh një minë sistemit politik, dhe për rrjedhojë është si ta futësh vendin në një qorrsokak… rapsodik. Kur kreu i PD-së u ka parashtruar idenë e vet, ata duhej t’i kishin thënë: “Ah jo, të gjitha të lejohen e do na kesh pas për këtë qëllim të madh, që t’ia tregojmë vendin narkobanditit, por kjo jo”. Atë që po bëjnë prej javësh të huajt, përfshirë edhe Joseph Daul, teksa thonë se “vetëm bojkoti nuk duhet konsideruar një opsion”, duhej bërë edhe në Tiranë nga këta miq të Bashës./Mapo/

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme