Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kur fati i Botës varej prej një njeriu

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 03.09.2022 10:09

Si asnjëherë në historinë e luftërave njerëzore, aq shumë po varet nga fare pak veta.

Kjo fjali emblematike e Winston Churchill-it, është thënë në muajin gusht të vitit 1940, kur kishte marrë hov lufta mbrojtëse e Britanisë së Madhe ndaj agresionit të Gjermanisë Naziste.

Aludimi kryesor i Churchill-it, kishte të bënte me Presidentin e Amerikës, Franklin D. Roosevelt-in, i cili ende hezitonte të hynte drejtpërdrejt në luftë, edhe pse tashmë kishte nisur t’i ndihmojë mikut të tij Churchill, thuaja në të gjitha mënyrat e mundshme.

Churchill e dinte mirë që pa Amerikën, nuk mund të fitohej lufta me Gjermaninë. Njësoj, e dinte që fati i kësaj lufte është në duartë e Roosevelt-it.

Gati gjysmë shekulli më pas, në fundvitet e tetëdhjeta të po të njejtit shekull  (XX), rrjedha e historisë e deshti që fati i Botës, epilogu i një lufte sërish të jetë në duartë e një njeriu.

Ai njeri quhej Mikhail Gorbachev, teksa bëhej fjalë për fundin e Luftës së Ftohtë.

Gorbachev ishte zgjedhur Sekretar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitit 1985, në moshën 54 vjeçe, që ishte precedent për një parti pleqësh çfarë ishte kjo komuniste në këtë shtet.

Atë e kishte përgatitur për këtë detyrë Yuri Andropov, Shefi shumëvjeçar i KGB-së dhe Sekretari i Partisë komuniste (në vitet 1982-1984), i cili me të marrë detyrën si lider i Superfuqisë së dytë në Botë  (e para ishte SHBA-ja), kishte tronditur bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke ju thënë: ‘Ne njohim shumë pak shoqërinë në të cilën jetojmë…’  (shoqërinë sovjetike).

Andropov kishte hapur dyertë për Gorbachev-in, me qëllim të reformimit të Bashkimit Sovjetik, i cili si asnjëherë më parë, kishte nisur të tregonte shenja dobësie ekonomike dhe sociale.

Gorbachev e dinte që Bashkimi Sovjetik nuk e ka gjatë nëse nuk reformohet.

Në këtë mënyrë, ai do të shpallë me dy fjalë, me dy koncepte madhore politike, me atë të ‘Glasnost’ dhe tjetrën, ‘Perestroika’, apo, me atë të Hapjes dhe të Rirreshtimit, hyrjen në këtë ndryshim të madh të Bashkimit Sovjetik.

Njëkohësisht  (e për këtë dihet fare pak), ai në vitin 1986 do t’i thërret në Moskë liderët e partive komuniste të shteteve që ishin pjesë e ‘Perandorisë së kuqe’, për t’ua dhënë një porosi të prerë: Më nuk vlenë ‘Doktrina Brezhnev’  (Brezhnev ka qenë lider i Bashkimit Sovjetik për 18 vjet).

Kjo do të thoshte që Bashkimi Sovjetik nuk do të intervenonte më ushtarakisht në asnjë nga shtetet e Kampit komunist, për ta shpëtuar një pushtet  (siç kishte ndodhur në Hungari, në vitin 1956, dhe në Çekosllovaki, në vitin 1968).

Askush nga pjesëmarrësit në këtë takim  (siç i kujtohet më pas Gorbachev-it), nuk e kishte marrë seriozisht këtë mesazh të tij.

‘Glasnost’, ‘Perestroika’ dhe fundi i ‘Doktrinës Brezhnev’ do ta përgatisnin kështu ndryshimin më të madh paqësor në historinë e re të njerëzimit.

Çfarë Gorbachev nuk e dinte në ato vitet e para të lidershipit të tij ishte që një shtet çfarë ishte Bashkimi Sovjetik, nuk mund të reformohet dot, që nuk mund të ketë demokratizim të një pushteti komunist, dhe që ditët e Bashkimit Sovjetik dhe të Kampit komunist, ishin të numëruara, pa marrë parasyshë çka do të bënte ky si lider i tij në vitet 1985-1991.

Megjithatë, ai do të insistonte vazhdimisht që të gjitha problemet politike në Bashkimin Sovjetik dhe në raportet me shtetet e tjera komuniste, duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Këtë politikë ai do ta mbante edhe kur do të shfaqen shenjat e para të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Ai, pastaj, do të këmbëngulte që vendi i Bashkimit Sovjetik është në Evropë, teksa përplasja e madhe historike, politike dhe ushtarake e BS-së me SHBA-në, duhet të zgjidhen në marrëdhëniet e mira në mes të këtyre dy Superfuqive.

Kështu, në vend të atyre tabllove rrënqethëse të kërpudhave atomike dhe të Apokalipsit, pamja që i dha fund Luftës së Ftohtë ishte ajo kur gjermanët e Berlinit lindor, me 9 nëntor të vitit 1989, nisën të kalonin lirisht në anën perëndimore të këtij qyteti të ndarë.

Gjithçka do të ishte ndryshe, po mos të ishte Mikhail Gorbachev në krye të Bashkimit Sovjetik.

Një njeri i vetëm, një politikan i vetëm, vendosi fatin e Evropës dhe të Botës në ato ditët e vjeshtës së vitit 1989.

Ndërsa ky vendim, ishte në përputhje të plotë me bindjen e tija politike, të cilat ishin fenomen tej mase i rrallë në historinë qindravjeçare të Rusisë.

Këtë, zatën, e dimë tani të gjithë.

Gorbachev ka qenë politikani më i madh evropian në Rusi. Bashkimi i Evropës kurrë nuk do të ndohte pa politikën e tij.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme