Kupa e Botës: Afrika ia di dhimbjen dhe gëzimin Katarit 123 string(10) "Tafi Mhaka" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/11/Capture-296.jpg" nga Tafi Mhaka 18.11.2022 13:12 18.11.2022 13:12 Bashkë me botën arabe, Afrika do të festojë po ashtu – pavarësisht racizmit dhe fanatizmit që Perëndimi e hedh ndaj Katarit. E di se si është të ëndërrosh nga distanca për regjionin e dikujt në Kupën e Botës së FIFA-së. E di se si është t’i shohësh ato shpresa se si realizohen para syve të dikujt. Prandaj edhe e di që edicioni i 2022-ës do të jetë i veçantë për Katarin – dhe pse miliona të tjerë nga Afrika dhe Lindja e Mesme do ta shijojnë, njashtu. Kur vjen puna te turnetë më të paharrueshëm në historinë e futbollit, Kupa e Botës e vitit 1986 në Meksikë, është favoritja ime sentimentale. Argjentina e kishte mposhtur Gjermaninë 3:2 në finale duke përmbyllur edicionin e 13-të të garës, që më së shumti kujtohet për arritjet e jashtëzakonshme dhe frymëzuese të një lojtari: Diego Maradonës. Performancat e tij sublime dhe pompoze më kishin lënë krejtësisht të pafjalë dhe të goditur nga yjësia e tij. Posaçërisht kur e kishte shënuar golin e ashtuquajtur si të shekullit në çerekfinalen që Argjentina e kishte lozur kundër Anglisë. Unë isha vetëm një 11vjeçar nga Harate e Zimbabvesë, dhe kisha filluar që ta çmoj dhe ndjek futbollin ndërkombëtar në televizion. Kapiteni picirruk argjentinas dukej nganjëherë mbinjerëzor, me shkathtësitë e tij dhe fuqinë e madhe të karakterit që e kishte kapluar imagjinatën e botës. Katër vjet më vonë, kur Italia e kishte mbajtur Kupën e Botës, shokët e mi nga shkolla dhe unë ramë në dashuri me kombëtaren e Kamerunit – Luanët pathyeshëm – të cilët dolën si pakoja e befasishme e turneut. Kameruni e kishte mposhtur Argjentinën e udhëhequr nga Maradona, pastaj Rumaninë dhe Kolumbinë, në rrugë për t’u bërë ekipi i parë afrikan që arrin çerekfinalen ku kishin humbur 3:2 nga Anglia në një ndeshje drithëruese. Ai ekip e kishte në përbërje Roxher Millën, një sulmues 38-veçar përplot stil dhe tejet të shkathtë i cili i kishte shënuar katër gola të jashtëzakonshëm. Zimbabveja nuk ia kishte dalë të shkonte në Kupën e Botës, mirëpo lojtarët e Kamerinit na kishin përfaqësuar neve dhe miliona afrikanë gjithashtu. Arritjet e tyre na kishin bërë të ndihemi krenarë si zezakë dhe afrikanë. Përvojat e mia do ta përshkonin një qark të plotë kur Afrika e Jugut do të bëhej shteti i parë dhe i vetëm afrikan që e mbante Kupën e Botës më 2010. Kam qenë i pranishëm në disa ndeshje, përfshirë edhe atë midis Algjerisë dhe Sllovenisë në Polokwane. Pata shikuar favoritët e mi, Kamerunin, të udhëhequr nga kapiteni dhe talenti suprem, Samuel Eto’o, që kishin humbur 2:1 nga Danimarka nga Pretoria. Më vonë, u pata kthyer në Polikwane për ta shikuar Argjentinën që luante me Greqinë. Për qejfin tim, Lionel Messi ishte kapiten i Argjentinës dhe Maradona ishte trajner. Në natën që Gana mundi Shtetet e Bashkuara, unë u socializova me ganezë dhe jugafrikanë në një vendtakim në Rustneburg, një qytet i madh miniere 173 kilometra larg Johannesburgut. Përpos ndeshjeve tejet zbavitëse, unë e përqafova edhe atmosferën miqësore të paçmuar të futbollit. Fakti që kishte ndodhur në Afrikën e Jugut – në Afrikë – e kishte bërë këtë edhe më të ëmbël. Futbolli, besoja, më në fund kishte ardhur në shtëpi. Pata qenë dëshmitar kur jugafrikanët festonin “Të premtet e futbollit” duke veshur ngjyrat e kombëtares çdo të premte duke nisur që nga shtatori, 2009. Pata nuhatur në të krenarinë dhe lumturinë që rrezatonte në fytyrat e njerëzve para e veçanërisht gjatë turneut. Pata ndier masën e bashkërisë që evoluonte midis jugafrikanëve, dhe afrikanëve po ashtu, kur bënin tifo për kombëtaren e Ganës në rrugëtimin e tyre në çerekfinale. Edhe kur Spanja mbizotëroi kundër Gjermanisë në ekipin e fundit, isha i bindur që çdo komb futboll-dashës e meritonte të ishte nikoqir i Kupës së Botës. Prandaj jam i ngazëllyer që shoh Katarin duke e mbajtur Kupën e Botës 2022, i pari për një shtet të Lindjes së Mesme. E kuptoj se çfarë nënkupton kjo për Katarin dhe entuziastët e futbollit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Sepp Blatteri, ish-presidenti i FIFA-së, së fundmi kritikoi vendimin për t’ia dhënë Katarit nikoqirllëkun e turneut të 2022-tës. Blatteri tha, “Katari ishte gabim”, dhe e quajti shtet “të vogël”. Qartazi, fanatikë të paturp si Blatteri janë të paqëndrueshëm nga evolucioni i qëndrueshëm dhe demokratizimi i futbollit. Për vite, vendet “e vogla” nga Jugu Global me gjithë zemër e kanë përkrahur këtë lojë globale duke marrë pjesë në shumë gara. Për dekada, miliona njerëz nga shtete “të vogla” si Liberia, Gaboni, Burkina Faso, dhe Maroko i kanë rritur të hyrat substanciale të FIFAs-së duke bërë abonime televizive, duke blerë të mira dhe bileta të ndeshjes. Kupa e Botës në Katar mund të jetë ngjarja më fitimprurëse e kësaj organizate ndonjëherë. Ende, për pjesën më të madhe, shefat e FIFA-së e kanë anashkaluar pasonin tonë të gjerë për futboll. Gjermania, Italia, Franca, Brazili dhe Meksika për shembull, të gjitha e kanë mbajtur nga dy herë. Dhe shtetet evropiane, kolektivisht, i kanë mbajtur 11 nga 22 turnetë që janë mbajtur. Mjafton të thuhet që sentimentet e Blatterit janë të ngjyruara me privilegj të bardhë dhe indiferencë ekstreme ndaj nevojës së pakontestueshme për përfaqësim të drejtë dhe pjesëmarrje në secilën sferë të futbollit. Që kur FIFA u themelua më 1903, shtatë nga tetë presidentë kanë qenë të bardhë, burra dhe evropianë. Njëri, Issa Hayatou – afrikan – kishte qenë ushtrues detyre i presidentit për 141 ditë, më 2015-2016. Mirëpo, pavarësisht përpjekjeve të tyre me mëdyshje, evropianët nuk mund të pohojnë të kenë ndonjë kontribut të veçantë në futbollin ndërkombëtar. Shtetet afrikane dhe arabe që një kohë të gjatë po prodhojnë lojtarë dhe klube të klasit botëror, pavarësisht pasojave socio-ekonomike të kolonializmit. Futbolli ka përfituar tepër shumë nga talentet e yjeve si i linduri në Mozambik, Eusebio, Mustapha Dahlebi i Algjerisë, George Weah i Liberisë, Abedi Pele i Ganës, Aziz Bouderbala i Marokos, Sadio Mane i Senegalit dhe Mohamed Salahu i Egjiptit për t’i përmendur disa nga ta. Kupta e Botës në Katar është po aq e veçantë dhe historike si ajo në Afrikën e Jugut më 2010. Institucionet e futbollit nuk duhet t’i diskriminojnë zezakët dhe të kafenjtë nga shtetet arabe dhe afrikane. Apo që të lëshojë sulme fjalëkëqija mbi aftësinë e Katarit për ta ekzekutuar një ngjarje të klasit botëror. Kam besim që Kupa e sivjetme e Botës do t’u lë mbresa shumë djemve dhe çikave 11 vjeçare arabe dhe afrikane sikur më kishte lënë mua turneu i 1986-ës. Dhe unë fuqishëm besoj që shumica e afrikanëve do të qëndrojnë me Katarin teksa e mban Kupën e Botës. Ky, njashtu, kujtojeni, po që është një turne për t’u çmuar. (Publikuar në Aljazeera, përkthyer nga Klankosova.tv) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.