Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kumti i Charles Michelit

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.09.2023 13:24
charles michel

Jemi në vitin 2023.

Kosova dhe Serbia në vitin e kaluar kanë nënshkruar Marrëveshjen Gjithpërfshirëse/ Ligjësisht detyruese, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila bazohet mbi njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të
pavarura.

Kjo Marrëveshje politike ka ndikuar në mënyrë thelbësore në stabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor, dhe në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të shteteve të kësaj ane të Evropës në BE.

Këto dy kryefjalët e mëparme, nuk do të ishin fantastikë shkencore (siç duken, shikuar së paku nga perspektiva e sotme), po të mos rrëzohej për toke Strategjia për zgjerimin e BE- së kah shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilën në muajin shkurt të vitit 2018, e pati publikuar Jean – Claude Juncker, Presidenti i Komsionit Evropian (Qeverisë së BE-së).

Juncker, pas një periudhe të klasifikuar si ‘lodhje me zgjerimin’ (Kroacia ishte shteti i fundit që hyri në BE, në vitin 2013), e cila në masë të madhe disi u mbulua me Procesin e Berlinit, ishte njëri prej atyre zyrtarëve të lartë të Brukselit, që pati kuptuar që është shumë vështirë të arrihet Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa një ofertë/ propozim konkret për shtetet e Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për afatin kohor kur do të mund të hyjnë në BE.

Juncker mendonte që ka mundësi që qysh në vitin 2025 Serbia dhe Mali i Zi të bëhen anëtarët e 28-të dhe 29-të të Bashkimit Evropian, teksa në vitet pasuese, do të ndodhte edhe inkuadrimi i Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës dhe
Hercegovinës.

Por, kryekushti për Kosovën dhe Serbinë për një skenar të këtillë ishte arritja e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse midis tyre, dhe atë jo më larg se në vitet 2021/ 2022.

Strategjia e Junckerit u kundërshtua fuqishëm prej disa shteteve të mëdha të BE-së (para se të gjithash, nga Franca), me një justifikim që është ende herët për një hap të këtillë për zgjerimin e BE-së, apo, që së pari Bashkimi Evropian duhet të merret me vetëveten, me reformimin e brendshëm funksional dhe operacional, dhe vetëm më pas do të mund të shqyrtohej tema e përthekimit të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor në BE.

Në këtë mënyrë u humb rasti që epilogu i dialogut të Brukselit në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit, të arrihej në vitet 2021/ 2022, në një kornizë të qartë të bisedimeve, e cila do t’i adresonte të gjitha çështjet në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Strategjia e Jean – Claude Junckerit u ‘ringjall’ (së paku si një referencë valide historike dhe politike), pak ditë më parë, kur Charles Michel, Presidenti i Këshillit Evropian (që është një lloj e Presidencës së BE-së, ku marrin pjesë liderët e 27-të shteteve anëtare të BE-së), gjatë Samitit të Bledit, përmendi mundësinë që në vitin 2030-të të ndodhë përfshirja e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Që nga ai kumti i Junckerit (i vitit 2018), në Bruksel ka pasur hezitim të përmenden afatet kohore kur do të mund të bëhej hapi i radhës së shtimit të anëtarësisë, duke pasur si arsyetim që proceset si të tilla (të reformimit të shteteve pretenduese për të hyrë në BE), kanë përparësi para afateve.

Harrohej, në këtë rast, që këto procese mund të fitojnë në cilësi dhe në shpejtësi tek secili shtet që ia ka mësyrë BE-së, nëse do të ketë një kornizë të përafërt kohore kur për to mund të hapen portat e Brukselit për këtë shtet.

Këtë fakt e ka marrë vesh edhe Charles Michel, prandaj ai e shfrytëzoi rastin që ta përmend vitin 2030, si një periudhë kohore kur do të mund të ndodhte integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Shtatë vjet prej tash janë pak, kur dihet se si matet dhe se si rrjedh koha politike në BE.

Por, ato mund të jenë të mjaftueshme, nëse opsioni i vitit 2030-të për zgjerimin e BE-së, do të përkthehet në një politikë zyrtare të BE-së, në një Strategji të detalizuar dhe në një plan veprimi.

Në atë rast, edhe do të mund të ndodhë rrumbullakësimi i BE-së në këto anë të Evropës.

Nga Blerim Shala

klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme