Ku jemi tash? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 17.06.2023 10:32 17.06.2023 10:32 Blerim Shala Shtensionimi i gjendjes së sigurisë në Veri, apo, krijimi i një stabiliteti më të qëndrueshëm në këtë vatër të vazhdueshme të problemeve të cilat po kanë pasoja imediate në rrjedhën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo, në ngecjen (thënë më mirë), të ndërmarrjes së zbatimit të Marrëveshjes themelore (Bruksel, 27 shkurt), dhe të Aneksit të Ohrit (Ohër, 18 mars), vështirë që mund të arrihet pa qartësuar një herë e mirë Planin e implementimit të Marrëveshjes bazë, duke saktësuar obligimet që kanë te dy palët për t’i kryer të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo Marrëveshje. Objektivisht, nëse dakordimi i Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, ishte shenjë e mirë dhe shpresëdhënëse, Aneksi i Ohrit, i cili poashtu mori pëlqimin e te dy palëve, me përmbajtjen e vete që më i shumë i ngjante një deklarate politike se sa një Udhërrëfyesi për kryerjen e punëve të duhura, është burimi kryesor i një vendumërimi fillestar, e pastaj edhe të parapakthimit në ndërmarrjen bilaterale (Kosovë – Serbi) dhe ndërkombëtare (BE, SHBA), të stabilizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Sekush që ka pasë dije dhe përvojë me rrjedhën e dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, ka mundur të parashikojë fare lehtë, qysh me 18 mars (kur u harmonizua Aneksi i Ohrit), që nëse komuniteti serb do t’i bojkotojë zgjedhjet e parakohshme lokale të 23 prillit, për pasojë do të kemi një acarim të ri politik dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës, edhe ashtu të ngarkuar me vakumin politik dhe të sigurisë në vijim të largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet e vendit, në nëntorin e vitit të kaluar. Poashtu është ditur që legjitimimi i një pushteti të ri lokal në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, me zgjedhjet e 23 prillit, është parakusht për të trajtuar në mënyrën serioze temën e Asociacionit, e jo anasjelltas, siç synon sot e kësaj dite Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. Validiteti i kësaj logjike të parë (një herë zgjedhje, legjitimim të pushtetit, e pastaj Asociacion), zatën, u konfirmua javëve të fundit prej vet faktorit ndërkombëtar, i cili po ngulmon në mbajtjen sa më të shpejtë të votimeve për kryetarët dhe asambleistët e këtyre katër komunave. Duket që domosdoshmëria e organizimit të këtyre zgjedhjeve, është tej çfarëdo diskutimi, si këtu tek ne, ashtu edhe në Washington e Bruksel. Por, do të duhej të kishte ‘status’ të njejtë (nëse mund të thuhet ashtu), edhe konkludimi i qëndrueshëm që rrethanat e sigurisë dhe të rendit në Veriun e Kosovës duhet të ndryshojnë në mënyrë thelbësore, ashtuqë njëmend në këto katër komuna të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Dikush mund të shtojë këtu që në Veriun e Kosovës, që prej se atje KQZ (Komisioni Qendror Zgjedhor), organizon zgjedhje, apo, prej vitit 2013 e këndej, asnjëherë nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe demokratike. Presioni i butë por edhe i egër i Serbisë ka qenë përherë i pranishëm, prandaj, nuk mund të flitet që qytetarët e kësaj pjese të Kosovës kanë pasur mundësi që njëmend të shprehin vullnetin e tyre për të votuar lirshëm për kë të duan. Nuk duhet pasur iluzione që brenda një kohe të shkurtër, që matet me disa muaj, atmosfera politike në këto katër komuna mund të përmirësohet ndjeshëm. Megjithatë, në një bashkëpunim të domosdoshëm në mes autoriteteve kosovare dhe faktorit ndërkombëtar, mund të krijohen rrethana më të mira të sigurisë në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe mund të forcohet i gjithë operacioni i mbikëqyrjes së zgjedhjeve, përmes vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar (Misioni i OSBE-së, BE-së, Ambasadat e perëndimit që funksionojnë në Kosovë). Në këtë mënyrë, do të mund të krijoheshin kushtet dhe rrethanat më të volitshme për organizimin e zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës. Në ndërkohë, lehtësuesit në këtë proces gjithqysh të zorshëm (për shkaqe të shumta, të ditura për të gjithë ne), do të duhej t’i ktheheshin asaj idesë fillestare për ofrimin e një Udhërrëfyesi të detalizuar të zbatimit të secilit Nen të Marrëveshjes themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, me afate të precizuara kohore. Dialogu nuk ka aternativë. Kjo dihet. Por as stabilizimi i gjendjes së sigurisë në Veri, nuk ka alternativë. Apo jo. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.