Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ku janë kufijtë?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 07.05.2022 10:14

Thuaja prej ditës së parë të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, në radhë të parë në atë naracionin politik dhe publik të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, janë tërhequr paralelet midis rastit të Kosovës, në vitet 1998, 1999 dhe këtij të Ukrainës, në vitin 2022.

Ky krahasim është bërë prej Putinit me një qëllim të vetëm: Të justifikimit të veprimit të tij në Ukrainë para Perëndimit, duke thënë, pak a shumë, si vijon: ‘Atë që ju e keni bërë në Kosovë, në vitin 1999  (fushata ajrore e Aleancës Veri-Atlantike), po e bëjmë ne nash në Ukrainë…’.

Më pas, Putin, pak javë më parë, bëri një hap tjetër në këtë drejtim, tani, duke përfshirë ICJ-në  (Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë), në këto paralelet historike. Porosia e Putinit, tani ishte kjo: ‘Nëse sipas ICJ-së, Kosova ka pasur të drejtë të bëhet shtet, njëlloj kanë të drejtë të bëhen shtete Republika e Donjeckut dhe Republika e Luganskut…’.

Megjithatë, dihet botërisht që këto krahasime çalojnë shumë, dhe ato janë për përdorim të përkohshëm të Putinit, në këtë dyluftimin politik me Perëndimin, të cilin ky po e humbë për çdo ditë të lume.

Duket që është një tjetër krahasim politik dhe historik shumë më i qëndrueshëm, i cili ka fituar edhe më shumë në fuqi në këto javët dhe muajtë e luftës në Ukrainë. Kjo analizë komparative shfaqë një histori por edhe aktualitet, thuaja të njejtë, në mes të Federatës së Rusisë dhe Serbisë.

Ta zëmë, asnjëherë në historinë e tyre, Rusia dhe Serbia nuk kanë qenë të kënaqura me identitetin e tyre themelor, të një kombi-shtet, në kufijtë brenda të të cilëve, këto kombe kanë qenë shumicë absolute.

Rusia dhe Serbia janë kthyer në kufijtë e kombit-shtet, pa kurfarë vullneti, Rusia në vitin 1991, dhe Serbia në vitin 2006, sepse në ndërkohë dështuan projektet e mëdha politike të tyre. Në rastin e Rusisë, bëhej fjalë për Bashkimin Sovjetik, në rastin e Serbisë, dihet që kemi të bëjmë me shpërbërjen e RSFJ-së  (në vitin 1991), të RFJ-së dhe të Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi  (përfundimisht, në vitin 2006).

Por as Federata e Rusisë, dhe as Serbia, asnjëherë nuk janë pajtuar me kufijtë e trashëguar pas zhbërjes apo prishjes së shteteve të mëparme të përbashkëta (me kombet dhe njësitë federake të tjera).

Në rastin e Rusisë, madje, ekziston një definicion i kombit rus i cili përfshinë të gjithë banorët, të gjithë popujt që jetojnë në territorin e Federatës së Rusisë, teksa me këtë logjikë, siç dihet tashmë, Putin mohon ekzistencën e kombit ukrainas. Për më shumë, ai ka synuar, së paku në ato ditët dhe javët e para të invadimit të Ukrainës, edhe shkatërrimin e shtetit të pavarur të Ukrainës.

Dihet që me Konventën e Montevideos, janë katër kritere të cilat duhet të përmbushen për ekzistimin e një shteti: popullata permanente, teritori i definuar  (kufijtë e tij), qeveria  (e cila udhëheq me atë territor), dhe kapaciteti për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera.

Si në rastin e Federatës së Rusisë, ashtu edhe në atë të Serbisë, realisht, ky kriteri i dytë, për territorin dhe kufijtë, është i paqartë, i mjegulluar dhe si i tillë, burim problemesh të mëdha të sigurisë.

Kur forcat ushtarake ruse nisën okupimin e Ukrainës  (me 24 shkurt), Moska zyrtare dhe formalisht konfirmoi që nuk i njeh kufijtë e Ukrainës, ndërsa dihet që me aneksimin e Krimesë  (në vitin 2014), Rusia ka tjetërsuar një pjesë të territorit të Ukrainës.

Në anën tjetër, Serbia as sot e kësaj dite nuk pranon që ka kufijë të mirëfilltë me Kosovën, apo, këta i trajton si ‘kalime administrative’.

Kur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, në vitin 2017 filloi atë ‘Dialogun e brendshëm’, në përgatitje të fazës finale të bisedimeve të Brukselit për arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, njëra prej çështjeve të ngritura prej tij, shfaqej në formë të një pyetje retorike: ‘Ku janë në të vërtetë kufijtë e Serbisë: Në Merdare dhe në pikat tjera kufitare me Kosovën, siç pohon Perëndimi, apo diku tjetër  (kufiri me Shqipërinë), siç mendojmë ne?’.

Atëbotë, Presidenti i Serbisë, me këtë pyetje retorike, objektivisht anonte kah pranimi i realitetit në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, në ndërkohë, qëndrimi i Vučić-it, ka pësuar një prapakthim evident.

Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura. Kufijtë në mes tyre janë caktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe atë të RSFJ-së, të vitit 1974. Kosova ka shpallë pavarësinë në bazë të CSP-së  (Propozimit Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, të vitit 2007), me këta kufi  (dhe duke marrë parasysh edhe atë ndryshimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë).

Megjithatë, derisa të mos ketë Marrëveshje Ligjërisht Obigative në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke formale, marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jenë vazhdimisht të tensionuara.

Raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të marrin formën e marrëdhënieve në mes të dy shteteve të pavarura.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme