Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ku do të ndalet Putin?  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 23.02.2022 14:40
blerim shala

Duket që nuk ka dukuri a fenomen të rëndësishëm politik, për të cilin Winston Churchill,  nuk ka dhënë definicion shumë të mirë dhe të qëndrueshëm. Churcill e ka dëshmuar, edhe  në këtë mënyrë, gjenialitetin e tij politik. 

Dihet si e ka definuar Churchill raportin e ballkanasave me historinë, pastaj, si ka  përshkruar ndarjen e Evropës në dysh, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore me atë  ‘Perden e Hekurt’ qo bie prej Baltikut (Polonisë), deri në Adriatik (Jugosllavisë). Tani, me siguri akëcili politikan dhe diplomat në dy anët e Atlantikut, që përpiqet të gjejë  një shpjegim racional për të gjithë veprimet e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin-it, do  ta kërkojë atë definicionin e Churchill-it, saktësia e të cilit nuk ka si të mëdyshet, për  Rusinë, për shtetin e Rusisë. 

Kështu, Churchill ka shkruar: ‘Rusia është një e panjohur, e mbështjellur në mister, brenda  një enigme’. 

Një sekret i trefishtë politik dhe qytetërues, pra. 

Dikush tjetër mund të shtojë këtu që Rusia, identiteti i saj, në mënyrën më të thellë të  mundshme shfaqet me ato kukullat matryoshka (apo babushka), ku brenda një kukulle,  gjinden edhe katër apo pesë të tjera, secila më e vogël se tjetra, por me identitetin e njejtë. Madhësia e Rusisë, për shekuj të tërë, ka ndryshuar. Kanë ndryshuar edhe regjimi, apo,  mënyra e organizimit të pushtetit. Por asnjëherë, nuk ka ndryshuar gjë identiteti parësor  qytetërues dhe kulturor. 

Perëndimi, si Qytetërim dhe si politikë, në gjashtë shekujt e fundit, është përpjekur që me  mendje, apo, në mënyrë të arsyeshme, të organizohet si prijës i Botës. Me të gjitha sukseset  dhe dështimet, me të gjitha arritjet e pashoqe dhe tragjeditë që lidhen me te (dy luftërat  botërore, etj.etj), Perëndimi i ka mbetur besnik Racionalizmit. Ajo pra, ta zëmë në politikë,  që duket krejtësisht e paarsyeshme, është e pajustifikushme, dhe nuk duhet të ndodhë fare. 

Me këtë Parim, natyrisht me një vokabular dhe me një terminologji të sotme politike,  SHBA-ja, Aleanca Veri-Atlantike dhe Bashkimi Evropian, tash e sa javë (a muaj), janë  përpjekur ta zbrapsin Putinin dhe Rusinë që të mos ia mësyjë Ukrainës, apo, të mos bëhet  ai shkas i shpërthimit të luftës në këtë shtet.  

Pastaj, kjo porosi bëhej bashkë me oferta për bisedime diplomatike, madje, edhe për një  Marrëveshje të re për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, si dhe me paralajmërimet për  sanksione ekonomike dhe financiare, nëse, megjithatë, Putin do t’i dërgojë trupat ushtarake  në Rajonin e Donbasit (ku gjinden edhe dy Republikat e vetshpallura të Luganskut dhe  Donjeckit).  

Shkurt, liderët e Perëndimit i bënin hesapet politike, ushtarake dhe financiare për vet  Putinin, duke i thënë kështu që nuk ka llogari që të hyjë në Ukrainë. 

Deri para disa ditësh, synimi i Perëndimit ishte që disi ta ‘kthejnë mbarë’ Putinin, apo, ta  bindin që ai nuk duhet të Niset dhe ta kalojë kufirin në mes të Federatës së Rusisë dhe  Ukrainës. 

Tani, pasiqë Rutin dhe Rusia njohën pavarësinë e dy rajoneve/ republikave të rebeluara të  anëve lindore të Ukrainës, krye-pyetja në Shtëpinë e Bardhë, në Washington pra, dhe në të  gjitha kryeqendrat tjera të Perëndimit, është: A do të Ndalet Putin, apo në një version tjetër,  Ku do të Ndalet Putin?  

Pyetjet e tjera, po aq të rënda, mbase, edhe me kosto më të madhe (ekonomike dhe  financiare), përkojnë me kundërpërgjet e Rusisë, kur bëhet fjalë me furnizmin me gaz të  Evropës, nëse Perëndimi do të shkojë deri në fund me sanksionet/ ndëshkimet tregtare,  ekonomike dhe financiare, poqëse Putin, nuk do të ndalet, apo do ta okupojë gjithë  Ukrainën. 

Putin, me siguri, dhe këtë mund ta thonë të gjithë ata që pak a shumë po i përcjellin  zhvillimet në këtë pjesë të Evropës në muajtë e fundit, do të vazhdojë me politikën e tij  ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, me atë porosinë e njejtë të cilën ua kishte thënë liderëve të  Gjeorgjisë, në vitin 2008 (pas invadimit të Osetisë dhe Abhazisë): ‘Ju mund të zgjedhni a  po doni ta ruani integritetin territorial apo anëtarësimin në Paktin NATO. Te dyjat nuk  mund t’i keni…’. 

Putin ka proritete të tjera strategjike dhe politike, për dallim prej Perëndimit. Covid-19 ka goditë njëlloj Perëndimin dhe Rusinë. Madje, ka të ngjarë që pasojat për  Rusinë janë edhe më të mëdha. Por për dallim prej shteteve kryesore të Perëndimit që mezi  po presin që më në fund ta lënë Pandeminë prapa dhe që të merren me pasojat thuaja  shkatërrimtare në ekonomi dhe në financa, Putin-it nuk i bëhet vonë për to, apo, ai dëshiron  të dyzojë çmimet e larta të naftës dhe gazit (të cilat i kanë sjellë rezerva më të mëdha në  historinë e re të Rusisë në vlerë prej mbi 600 miliardë dollarë), me një Kthesë të re të madhe  në trajtë të arritjes së një baraspeshe strategjike (të munguar që nga përfundimi i ‘Luftës së  Ftohtë), në mes të Rusisë dhe Perëndimit. 

Në sendërtimin e këtij synimi, Putinit nuk i ngutet fare. Kriza në Ukrainë (e cila zatën i ka  bërë tetë vjet të plota), mund të zgjasë edhe shumë vjet të tjera. Ai e di mirë që SHBA-ja  dhe Pakti NATO nuk do të luftojnë në Ukrainë dhe për Ukrainën. 

Kriza e këtyre përmasave do ta rrëzojë për toke ekonominë në Ukrainë, dhe ky shtet do të  dobësohet edhe më shumë.  

Në anën tjetër, Perëndimi, pos që nuk ka fare vullnet ta shkrep një plumb të vetëm për  Ukrainën, nuk ka as nerva dhe as kohë me u marrë gjatë me këtë krizë, teksa, dhe aq më  pak ka gatishmëri që ta pranojë disi një realitet të ri në Krime (që është krijuar në vitin  2014), dhe në Donbas (që është në krijim e sipër në vitin 2022). 

Perëndimi, në përgjithësi pra, e di fare mirë çka nuk dëshiron të bëjë në reagim a në  përgjigje ndaj kësaj sprove të mëdha që vjen nga Moska, por aktulisht, Perëlndimi nuk di  çka dëshiron për ta mbyllur një herë e mirë këtë përplasjen me Rusinë, e cila me të drejtë  po klasifikohet si kërcënimi më i madh i sigurisë në Evropë, që prej përfundimit të Luftës  së Ftohtë e këndej. 

Sipas William Burns-it, aktualisht Shef i CIA-s, dhe ish-Ambasadorit të SHBA-së në  Moskë (në vitet kur negociohej dhe kur u shpall pavarësia e Kosovës), në politikën e  jashtme amerikane, janë dy lloje të fjalimeve të mëdha: fjalime që shfaqin kornizën për  veprim, dhe fjalimet që kanë domethënien e zëvëndësimit të veprimit.

Këto fjalimet e llojit të dytë janë të pranishme kudo në shtetet e mëdha të Perëndimit, që  prej se ka ri-nisur kriza e Ukrainës. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme