Kredibiliteti i BE-së dhe perspektiva e Marrëveshjes Kosovë – Serbi 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 28.05.2021 15:31 28.05.2021 15:31 Një Deklaratë e këtillë me shkrim (madje), e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, i cili njëkohësisht është edhe Zëvëndës-President i Komisionit Evropian (i Qeverisë së Evropës), vetëm para katër-pesë vitesh, do të kishte domethënien e ‘punës së kryer’ për një çështje dhe për një shtet, për të cilin bëhet fjalë. Por, në rrethanat që mbretërojnë në Bashkimin Evropian tash e tre vjet, një Prononcim i këtillë nuk e ka as përafërsisht atë peshën që e ka pasë më parë. Josep Borrell, një diplomat i rryer i Spanjës, i cili nga dhjetori i vitit 2019-të është Kryediplomati i tretë me radhë i BE-së (pas anglezes Catherine Ashton dhe italianes Federica Mogherini), pak ditë në parë, në llogarinë e tij në twitter, artikuloi krejtësisht qartë pozicionin e tij karshi temës së Liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai konstatoi që ‘(…) vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret e lidhura dhe ne duhet të bëjmë përparim për këtë çështje. Unë do ta mbështes plotësisht këtë’. Në këtë llogari të veten, Borrel poashtu paralajmëroi që ai, në muajin qershor, do të jetë nikoqir i një takimi tjetër të nivelit të lartë të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit (në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučićit). Vlerësimet e kësisojta, eksplicite dhe të qarta, të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, siç u theksua tashmë, më para, kur BE-ja ende funksiononte si duhet, do të ishin paralajmërim që jo më larg se deri në fund të këtij viti, apo, siç ka ndodhur zakonisht edhe me shtetet e tjera që e kanë fituar këtë të drejtë në Ballkanin Perëndimor, për Festat e fundvitit, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë me pasaportat e tyre biometrike dhe pa viza në Zonën e Schengenit Evropian. Por, siç e kanë kuptuar tashmë edhe kosovarët që nuk merren fort me politikën ndërkombëtare, apo, me raportet e Kosovës me BE-në, fjala e Borrellit ende pa mbërritur mirë në Kosovë, përjeton një zhvlerësim të madh, sepse disa shtete të BE-së, ku këtyre shteteve u prinë Franca (dhe të gjitha këto shtete kanë njohur madje pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2008), nuk e ndajnë këtë qëndrim të Kryediplomatit të tyre. Këtë situatë nuk mund ta kuptojë dhe as ta pranojë askush në Kosovë. Nëse Kosova njëmend i ka përmbushur të gjitha kriteret për Liberalizimin e vizave (i fundit është jetësuar në marsin e vitit 2018-të, me Ratifikimin në Kuvendin e Kosovës të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi), të cilën gjë e kanë konfirmuar Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe tani, sërish, edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, si është e mundur që BE-ja nuk e ka përmbushur hisen e vet të një Kontrate të mirëfilltë me autoritetet e Kosovës (dhe përmes tyre, me qytetarët e Kosovës)? Cili është kredibiliteti i BE-së në Kosovë, para se të gjithash, për qytetarët e Kosovës, nëse Brukseli në këtë mënyrë ka zbehur relacionet edhe ashtu të ndërlikuara (me fajin e vet BE së, për shkak të mungesës së konsensusit për njohjen e pavarësisë së Kosovës), të Bashkimit Evropian dhe Kosovës? Janë një mori pyetjesh të tjera që shfaqen zhurmshëm në përcjellje të këtyre pararendëseve, të cilat pastaj lidhen edhe me rolin e lehtësuesit që në dialogun në mes të instancave më të larta të Kosovës dhe Serbisë, ka BE-ja, dhe atë përmes Përfaqësuesit të Lartë Borrell, dhe Emisarit Special të BE-së, diplomatit sllovak Miroslav Lajčak. Me një autoritet të kësisojt të kontestuar, në rastin e Kosovës, për shkak të mungesës së vendimit pozitiv për Liberalizimin e Vizave, cila është mundësia reale e Borrellit dhe Lajčakut për ta lëvizur para një ndërmarrje aq të rëndë, çfarë është dialogu, nëse realisht, në duartë e tyre, ata nuk kanë kapacitet të mirëfilltë të zotimeve dhe premtimve për proceset e integrimit të Kosovës dhe të Serbisë në BE. Kosova gjithsesi e meriton ta fitojë të drejtën e Liberalizimit të vizave, dhe kjo e drejtë do të duhej të përmbushej brenda disa muajsh. Nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë ky do të ishte një shtytës i mirëfilltë për palën kosovare që të bëjë krejt çka është e mundur në procesin e dialogut. Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë qenë të lidhura më parë nga BE-ja, dhe nuk do të duhej të lidheshin as tash e tutje. Megjithatë, mund të supozohet që nëse pala kosovare nuk do të jetë e pranishme në Dialogun e Brukselit, kjo mungesë do të llogaritej si një argument i ri për një tjetër shtyrje në vendimmarrjen e pritur të BE-së për t’ia dhënë këtë drejtë të merituar qytetarëve të Kosovës. Nëse në parim, Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe bisedimet e Brukselit nuk kanë relacion të varëshmërisë së drejtpërdrejtë, kjo gjë nuk mund të thuhet dot për fuqinë politike, diplomatike dhe ekonomike të BE-së, kredibilitetin e tij, dhe vendimmarrjen efikase të instancave më të larta të Bashkimit Evropian. Këtu, në këtë rast pra, kur bëhet fjalë për fuqinë politike, diplomatike dhe ekonomike të BE-së dhe për kredibilitetit të tij, të gjitha këto, së bashku me atë forcën e ndikimit gjeo politik të SHBA-së dhe të Aleancës Veri-Atlantike, kanë peshë vendimtare në arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. Sa më e dobët që është BE-ja, aq më të vogëla janë gjasat për këtë Marrëveshje. Kjo është e qartë për të gjithë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.