Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kosovarët si qytetarë të Evropës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 31.12.2023 10:02
Blerim Shala
Blerim Shala

Ka pasur shumë presidentë dhe kryeministra, anëmbanë Botës, jeta dhe kariera e të cilëve ka shërbyer për bërjen e filmave artistik dhe serialeve të nduarnduarta televizive.

Por me gjasë, është vetëm një president, i cili në realitet, postin e tij ia ka borxh serialit televiziv ku ka qenë kryeprotagonist i saj, dhe atë, pikërisht në rolin e Presidentit të shtetit.

Bëhet fjalë, siç e dimë të gjithë tash e gati dy vjet, për Volodymyr Zelenskyyn, Presidentin e Ukrainës, i cili u katapultua si politikan, pesë vjet më parë, më 31 dhjetor të vitit 2018, falë rolit të Vasily Goloborodko-s, në serialin ‘Shërbëtor i popullit’.

Në njërin prej episodeve të këtij seriali, shtetasit e Ukrainës, më në fund fitojnë të drejtën që pa viza të udhëtojnë në Evropë, në Zonën Schengen.

Në mëngjesin kur hyn në fuqi ‘Liberalizimi i vizave’, Presidenti i Ukrainës  (të cilin pra e luan Zelenskyy), niset për në zyren e tij. Rrugës nuk sheh njeri të gjallë. As në qytet, në Kijev, poashtu. Shteti i Ukrainës duket kështu krejtësisht i braktisur nga qytetarët e tij, të cilët në këtë mënyrë, që të gjithë, ia kanë mësyer për Evropë, pasi tani mund të udhëtojnë lirshëm.

E kërkojnë fatin e tyre diku tjetër, pasi ate nuk e gjetën dot në atdheun e tyre.

Presidenti i Ukrainës mbetet kështu fillikat vet në shtetin e tij.

Më pas, të gjithë ne që e kemi shikuar këtë serial, e kuptojmë që në të vërtetë, Presidenti Goloborodko kishte parë një ëndërr, apo, thënë më mirë, një makth.

Në rrethana krejtësisht tjera, në dimrin dhe pranverën e vitit 2022, miliona ukrainas u detyruan të shndërrohen në refugjatë, duke ikur në Evropë nga lufta të cilën Ukrainës ia imponoi Rusia. 

Këtë makth nuk ka mundur assesi ta parasheh Zelenskyy, as si artist më parë, dhe as si President më pas.

Qytetarët e Kosovës shumë më vonë se ata të Ukrainës (ata këtë të drejtë e kishin fituar në vitin 2017), në janarin e vitit 2024, do të nisen kah Evropa, të pajisur vetëm me pasaportat e tyre biometrik, pa pasur nevojë për viza.

Në këtë mënyrë, kosovarët, do të ndihen tash e tutje si qytetar të lirë të Evropës.

Ai makthi i njërit prej episodeve të serialit ‘Shërbëtor i popullit’, nuk do të ngjajë në Kosovë. 

S’do mend që do të ketë qytetarë të Kosovës të cilët do ta kërkojnë punën dhe perspektivën në Evropë, e cila ndryshe, si asnjëherë më parë, ka nevojë për krah pune. 

Mbetet të shihet a do të jetë kjo një valë e re e migrimit të kosovarëve në Perëndim, pas shumë prej tyre në të kaluarën, duke përfshirë edhe atë më të madhen në vitet e nëntëdhjeta, kur në kushtet e një okupimi të egër nga Serbia, shumë shqiptarëve të Kosovës nuk ju kishte mbetur rrugë tjetër pos largimit në drejtim të Gjermanisë, Zvicrës dhe shteteve të tjera të Perëndimit.

Në këtë historinë e Kosovës, prej vitit 1912 e tutje  (prej fillimit të okupimit nga Serbia), ky vend, ky atdhe i shqiptarëve të Kosovës, në vazhdimësi ka shënuar valë të largimit të shqiptarëve, më para në drejtim të Turqisë, më pak kah Shqipëria, e më pas në drejtim të Evropës.

Megjithatë, asnjëherë të vetme, përbërja etnike e Kosovës nuk ka ndryshuar në atë masë, ashtuqë shqiptarët të mos jenë së paku 70% të popullatës së Kosovës.

Zatën, po të ishte ndryshe, apo, po të zbrazej Kosova në ato përmasa kur më shqiptarët nuk do të përbënin shumicën e popullsisë së saj, nuk do të mbërrinim kurrë deri te 17 shkurti i vitit 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë.

Të thuash, një Kosovë e plotë është jashtë, në Perëndim, një tjetër Kosovë është në Turqi, por shqiptarët e këtij vendi, kudo që janë, janë të tillë, janë shqiptarë të Kosovës.

Në anën tjetër, nuk ka dyshim që si shoqëri, do t’i hetojmë pasojat e lëvizjes së kosovarëve në drejtim të Perëndimit, veçmas kur bëhet fjalë për mjek dhe personel mjekësor, si dhe për ekspertë të të gjitha fushave.

Ky është fenomen të cilit nuk kanë mundur t’i shmangen as vendet më të zhvilluara se Kosova në rajon, siç është Kroacia. 

Ky është realiteti. Nuk na mbetet gjë tjetër veç të provojmë t’i përshtatemi atij në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme