Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kosova, tokë e plleshme për…Euro 2016

123
NULL NULL
11.06.2016 16:47

Sot jam njëfarë francezi. Edhe fanellën e kombëtares së futbollit të këtij shteti e kam veshur, me mëngjes.

Jam lidhur me këtë ekip nga viti 1998, kur gjenerata e Zidanit e fitoi botërorin e mbajtur në po këtë vend. Dy vjet më vonë e pata fituar njëfarë kompeticioni të çuditshëm, duke qenë i vetmi në një shoqëri gazetarësh që kishte besuar se Franca do të triumfojë edhe në Evropianin 2000 (për çudi, në atë kohë, pakkush në Kosovë e donte Francën, për shkak se besonin që ky vend ka dorë në ndarjen e Mitrovicës, pas luftës së një viti më parë. Unë, ndonëse mitrovicas, bëja përjashtim, duke mos u pajtuar me pretendimet e ‘armiqësorëve’ kosovarë të kombëtares së Francës). U dashurova edhe më tepër me këtë vend, kur e vizitova për herë të parë, teksa mbuloja, si gazetar, tentativën e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, vitin e kaluar.

Parisi që e pashë nga afër, më çmendi me hijeshinë e vetë të rëndë.

Por, francezllëku im sot nuk lidhet vetëm me këto histori të reja e pak më të vjetra. Ka të bëjë më tepër me të tashmen. Në fakt, ka të bëjë me të sotmen.

Sot po ndjehem francez duke besuar se ky komb është në ethe. Parisi sot për sot është qendra e botës për një shkak të ngjarje të madhe për Evropën, që nis në mbrëmje. Frika se terroristët mund të bëjnë dicka, në hapje të EURO 2016 nuk është zbehur asnjëherë, prej akteve të shëmtuara te Charlie Hebdo dhe Bataclan, në janar, përkatësisht nëntor të vitit të kaluar (në kësi ethesh kishim qëndruar ne kosovarët gjatë luftës, teksa, për cdo ditë të zezë të asaj kohe, rrinim në pritje të sulmeve, krimeve e masakrave të radhës të trupave të Millosheviqit).

Në fakt, tmerri francez i së premtes të 13 nëntorit kishte nisur të Stade de France, teksa kombëtarja e këtij vendi po zhvillonte një miqësore me Gjermaninë. Tre bombahedhës vetëvrasës (sipas BBC) kishin tentuar të bëjnë kërdi brenda stadiumit. Fatmirësisht, nuk ia dolën. Dy nga ta e hodhën veten në erë.

Kam lexuar shumë këto ditë se kjo Franca që unë e simpatizoj ka bërë përgatitje të papara për të garantuar siguri, sonte dhe gjatë 29 ditëve e netve tjera sa zgjat festa më e madhe e futbollit në kontinent. Shpresoj dhe besoj fuqishëm se Zoti do të jetë me francezët, duke i ruajtur ata dhe duke e ruajtur futbollin. Ky sport është paqësor, e Zoti e do paqen dhe ata që angazhohen për të, besoj unë. Terroristët s’i kam parë të jenë shfaqur shpesh nëpër medie duke luajtur futboll, andej kah Siria e Iraku, por edhe gjetiu nëpër botë. Në rast se e kanë bërë, jam i bindur se e kanë me sherr.

Po kaq i bindur jam që sot e për një muaj të tërë më pas, unë nuk jam i vetmi kosovar që ndjehet francez. Ma ha mendja se ka edhe shumë tjerë që janë të lidhur fort me Francën.

Kjo lidhje na imponohet. Sytë, veshtë dhe mbi të gjitha, zemrat e miliona kosovarëve e shqiptarëve janë kah ky vend, kah gara EURO 2016. Këtu marrin pjesë 30 shqiptarë, 15 nga të cilët janë ose kanë rrënjë prej kosovari. 11 sulmojnë e mbrojnë për Shqipërinë ndërsa 4 luajnë te Zvicra dhe në të dy taborret, ata janë më te mirët, krahasuar me vendasit ose ndonjë të huaj tjetër.

Kosovarët e Shqipërisë e bënë historinë duke e bartur barrën më të madhe për ta dërguar kombëtaren në të parin kompeticion të madh ndërkombëtar të futbollit.

Taulant dhe Granit Xhaka e cmendën edhe më historinë e Franca 2016, duke u bërë vëllezërit e parë që bëjnë sefte lojën kundër njëri -tjetrit, në një kampionat evropian, si pjesë e kombëtareve të ndryshme.

Për këto arsye, kosovarët e dy kampeve u bënë kryelajme të botës, për të mirë, sigurisht. I fundit ishte ai i agjencisë AP që thoshte se “Është betejë e kosovarëve në ndeshjen Shqipëri-Zvicër”. Si në këtë shkrim, ashtu edhe në tjerët, nuk u la pa u thënë e vërteta se për këto arritje të dy kombëtareve në fjalë, merita kryesore është e Kosovës.

Pra, vendi im po përmendet për dicka të bukur, e jo si si te artikulli i New York Times që e portretizoi si tokë të plleshme për ISIS-in.

Xhakët dhe tjerët e shfaqën anën tjetër të medaljes, atë të ndritshmen, që nuk e tregoi gazetarja Carlota Gall. Ata ua bënë me dije të gjithëve se Kosova është një tokë e plleshme, jo vetëm për të lindur e rritur djem e burra e gra, që i bashkohen ISIS-it, as djem e burra që dikur vidhnin nëpër marketet e Evropës, e besa as ca tjerë që plackisin sa e kur mundin shtetin e vetë. Kosovarët në Franca 2016 dëshmuan se atdheu prej nga ata vijnë, prodhon talentë të cilën bëjnë histori unike në futbollin e Evropës. Dhe të cilët mund të marrin barrën e rëndë të lidershipit në ekipet e tyre, kahdo që luajnë në kontinentin e vjetër, duke qenë ndër më të mirët.

Me performancën e tyre, ata e ndritin imazhin e Kosovës. Me futbollin e tyre tregojnë se Kosova, por edhe Shqipëria, nuk janë në Euro vetëm për futboll. Janë për të treguar se shtetasit e tyre janë përnjëmend evropianë dhe se janë Evropë.  Jo Siri, e jo as Irak a Iran, Afganistan, Ukrainë apo Rusi. Andej shpresoj të mos shkojë më më askush, për qëllime të errëta. Madje as për të luajtur futboll.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme