Kosova “speciale” 123 string(14) "Bekim Çollaku" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/03/collakuuuuuuu.png" nga Bekim Çollaku 10.11.2023 20:56 10.11.2023 20:56 Vetëm disa ditë më parë, hetuesit e Zyrës së Prokurorit Special, që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, bastisën dy atdhetarë, publicistë dhe shkrimtarë të mirënjohur në Kosovë. Këta të dy kanë përjetuar, mbijetuar dhe luftuar regjimin diskriminues të Millosheviqit. Në Kosovën e lirë dhe shtet, ata as në ëndërr nuk kanë mundur të paramendojnë trokitjet e forta në shtëpitë e tyre një ditë, e lere më që ato të mbushën me hetues dhe policë ndërkombëtarë. Arsyeja se përse ata kanë ngelur të tronditur nga “bastisja speciale” ndërlidhet me gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të paqes dhe shtetndërtimit. Ata të dy i kanë kushtuar një jetë të tërë edukimit, emancipimit të shoqërisë sonë dhe kanë kryer me nder punën e tyre në shërbim të lirisë dhe shtetndërtimit. Mirëpo, duket se “mëkati” i tyre i vetëm ishte fakti që ata të dy ishin dhe mbeten miq e bashkëpunëtor të ish-presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi. Si duket, ky fakt ka qenë i mjaftueshëm që këta të dy, si dhe shumë të tjerë që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-presidentit Thaçi, të kthehen në shënjestër të monitorimit konstant dhe bastisjeve speciale. Kosova është një shtet i krijuar bazuar në parimet dhe vlerat perëndimore. Prandaj, është krejtësisht e panevojshme dhe paradoksale që trokitjet e forta, bastisjet dhe akuzat speciale drejtohen kundër brezit të fundit qind për qind pro-amerikan dhe pro-perëndimor. Kuvendi i Kosovës u ka dhënë ligjshmëri të plotë Dhomave të Specializuara për të nxjerrë të vërtetën lidhur me pretendimet dhe akuzat, të cilat pasuan si rrjedhojë e një raporti kontrovers, të miratuar nga Këshilli i Evropës. Mirëpo, një gjë e tillë nuk nënkupton devijim nga mandati dhe fushëveprimi i saj special i përcaktuar me ligj. Kritikat publike për mungesë transparence dhe gjykimin maratonik që është duke ndodhur nuk guxojnë të kthehen në hakmarrje apo cenim të lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë. Fatkeqësisht, lehtësia me të cilën kryhen këto bastisje kundër personaliteteve me kredibilitet të lartë publik dhe shtetëror është e tmerrshme. Këto veprime të kryera nga bashkësia ndërkombëtare në emër të Kosovës dhe drejtësisë, sigurisht që mund të nxisin dyshime serioze lidhur me qëllimet e tyre përfundimtare. Ndërsa, heshtja e shoqërisë dhe institucioneve tona në kontekst të këtyre bastisjeve është e frikshme. Thjesht, askujt nuk i bëhet vonë nëse cenohet dhe njolloset kaq vrazhdë kredibiliteti dhe nderi i personaliteteve publike dhe shtetërore. Mjerisht, të krijohet përshtypja se mjafton që personalisht të mos jenë subjekt i këtij trajtimi special. Turp i madh! Shtetet e lindura nën kujdesin apo syrin vigjilent të ndërkombëtarëve duket se kanë një trajtim të veçantë. Si pasojë, ato shpesh mbesin në një lloj laboratori politik, ku “zgjidhjet speciale” ofrohen si ilaçe për të gjitha problemet e tyre. Një fat i tillë po e përcjell Kosovën, e cila ende nuk po arrin dot të bëhet një shtet që funksionon në mënyrë normale. Kosova vazhdon të mbetet një laborator interesant dhe poligon trajnues, ndër të tjera, edhe për bastisje speciale. Nuk kemi nevojë të kthehemi shumë mbrapa në histori, por që nga marrëveshja e Rambujesë, Kosova është shembulli par ekselencë i këtij trajtimi special ndërkombëtar. Për më shumë se dy dekada, Kosova ka kaluar nga njëra zgjidhje “sui generis” në tjetrën – nga statusi i saj i veçantë si territor nën administrimin e OKB-së, pavarësia e mbikëqyrur e te dialogu me Serbinë, të cilit nuk ia di fundin askush. Aktualisht, jemi në fazën kur Kosova duhet të themelojë një asociacion special për komunat me shumicë serbe në Kosovë, sepse ato nuk duan të bëhen anëtare të asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës. Sigurisht, se një themelimi i një asociacioni të tillë special do të prodhojë efekte apo ndoshta edhe pasoja speciale në të ardhmen për Kosovën. Në rastin më të mirë, do ta prolongojë Kosovën, do të bëhet një shtet normal, kurse për skenarin tjetër, nuk ia vlen të spekulohet. Përgjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të shtetndërtimit, disa nga këto zgjidhje speciale, të imponuara nga faktori përcaktues ndërkombëtar, kanë qenë tepër të favorshme për Kosovën. Nuk është se nuk na ka pëlqyer të kemi një trajtim të veçantë si shtet. Këtë cilësim e kemi përdorur si argument kryesor të prezantimit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare. Padyshim, ne kemi bërë një rrugëtim mjaft të gjatë dhe të suksesshëm së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë. Mirëpo, zhvillimet e fundit që ndërlidhen me imponimin e zgjidhjeve speciale në kuadër të dialogut me Serbinë dhe gjykimin maratonik të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, duket se do të na shtyjnë që si shoqëri të mendojmë se ka ardhur koha që Kosova të jetë vetëm një shtet normal. Asgjë më shumë! Kosova është shpallur shtet i pavarur duke iu falënderuar përkrahjes ndërkombëtare. Mirëpo partnerët duhet ta kuptojnë se nuk ka nevojë për më shumë “zgjidhje speciale”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.