Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kosova është territor i Paktit NATO

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 05.03.2022 16:37

Sa më shumë që po thellohet kriza e shkaktuar në Ukrainë, me invadimin e Rusisë, të nisur me 24 shkurt me urdhërin e Presidentit Vladimir Putin, aq më shumë po i kthehemi largpamësisë së Winston Churchill-it, të shfaqur në mendimet dhe porositë e tij, të cilat kanë peshën e Udhëzimit për drejtimin politik dhe strategjik që duhet të merë Perëndimi në rrethanat kur Putin synon ta ri-ndërtojë Murin e Berlinit, tani, përmes caktimit të kufijve të ri në mes të Rusisë  (Lindjes), SHBA-së, BE-së dhe Aleancës Veri-Atlantike  (Perëndimit).

Kështu, me një rast, Churchill ka deklaruar: ‘Nuk ka shumë rëndësi a është një shtet neutral. Me rëndësi është në të cilën anë ai shtet është neutral’.

Porosia e Churchillit ka ri-fituar peshën dhe rëndësinë e vete në këtë dimrin e gjatë  (gjithqysh) të vitit 2022, kur një luftë u nis, pos tjerash, me synimin e Putinit që t’ia imponojë Ukrainës  (që do të mbetet pas aneksimit të ri, të dy Republikave të vet-shpallura, pas atij të Krimesë në vitit 2014), një neutralitet politik dhe ushtarak, i cili në të vërtetë, do të anonte kah Rusia.

Në hartën e Evropës së sotme, pak shtete janë neutrale, kur flitet për atë pamjen eksplicite të tyre, e cila flet për anëntarësimin e një shteti në Aleancën Veri-Atlantike, apo edhe në Bashkimin Evropian.

Ukraina dhe Bellorusia nuk janë as në NATO, as në BE. Moldavia poashtu.

Suedia dhe Finlanda nuk janë pjesë e Paktit NATO, por janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Norvegjia nuk është në BE, por është në NATO.

Në Ballkanin Perëndimor, aktualisht, Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk janë as në NATO, dhe as në BE.

Zvicra e cila ka ruajtur një neutralitet Sui Generis  (siç thuhet), nuk është në Paktin NATO dhe as në BE. Por, në të gjitha anët është e rrethuar me shtetet që janë edhe në NATO, edhe në BE.

Realisht, prej të gjitha këtyre shteteve të Evropës, vetëm Zvicra do të mundet, edhe tash e tutje, të jetë neutrale karshi NATO-s dhe BE-së, por pa kurfarë dyshimi, mund të thuhet që Zvicra është sot, dhe to të mbetet gjithmonë, shtet perëndimor, i cili është pjesë e Perëndimit.

Bellorusia, siç dihet tashmë edhe për shkak të rolit  (a detyrës), që ka marrë javëve të fundit, nën regjimin e Alexander Lukashenkos, është dhe do të mbetet në anën e Rusisë, në të gjitha aspektet e mundshme. Madje, me ndryshimin e votuar në Referendumin e fundit, (të mbajtur pak ditë më parë), Bjellorusia do të mund të merr edhe koka bërthamore  (të Rusisë, gjithsesi), të cilat ishin larguar nga këtu pas përfundimit të ‘Luftës së Ftohtë’, dhe pavarësisë  (në vitin 1991).

Ukraina, cilidoqoftë epilogu i luftës së tanishme, do ta ketë të pamundur që një të ardhme (qoftë edhe të largët), të hyjë në Paktin NATO. Anëtarësimi në BE, i kërkuar me urgjencë para disa ditësh nga Volodymir Zelenskyy, Presidenti i saj, do të ishte maksimumi që do të mund ta arrijë ky shtet. Teksa, së paku si janë punët tash, do të ishte befasi e dorës së parë nëse Brukseli do të vendoste ta pranojë së shpejti Ukrainën në BE. Njëri prej parimeve kyç të BE-së në këtë aspekt  (madje, edhe sipas Traktatit të Montevideos për ekzistimin e shteteve), ka të bëjë me kufijtë e qartë të një shteti, dhe gjithashtu, me fqinjësinë e mirë me shtetet përreth. Ukraina e sotme, përkundër qëndrimeve kategorike të BE-së, të SHBA-së, madje dhe të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për respektimin e integritetit territorial të këtij shteti, nuk i ka fare të sigurtë kufijtë e vet. Edhe poqëse do të ndodhte mrekullia politike e anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës në BE, Bashkimi Evropian nuk ka kurfarë mundësie që ta mbrojë ushtarakisht tërësinë e Ukrainës, dhe as nuk mund dot të ndikojë tek Pakti NATO për ta nisur luftën për Ukrainën, edhe pse shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së  (pos Finlandës, Suedisë dhe Qipros), janë njëkohësisht në NATO dhe në BE.

Moldavia e sotme ka një Qeveri e cila, megjithë neutralitetin e vet formal, anon kah Perëndimi, në radhë të parë kah BE-ja.

Finlanda dhe Suedia, i kanë dhënë shenjat e para që do të mund të kërkonin të bëheshin anëtare të Paktit NATO. Stokholmi dhe Helsinki, që kufizohen me Rusinë, janë pritur me një rrebesh kërcënimesh nga Moska zyrtare poqëse do t’ia mësyjnë NATO-s.

Edhe pse Deklarata e Presidentit Biden, si dhe e gjithë Aleancës Veri-Atlantike, që do ta mbrojnë edhe ushtarakisht nëse duhet, çdo centimetër të shteteve anëtare të Paktit NATO, parimisht nuk adreson çështjen e Finlandës dhe Suedisë, nuk ka kurfarë dyshimi që intervenimi eventual ushtarak i Rusisë në këto shtete, do të kishe domethënien e kalimit të ‘Vijës së Kuqe’ nga Putin. NATO nuk do të mund t’i linte vetëm Suedinë dhe Finlandën.

Në Ballkanin Perëndimor, situata është e njohur për të gjithë në këtë aspekt, teksa në Bruksel, si në krahun e NATO-s ashtu edhe në atë të BE-së, janë në rritje shqetësimet për ndikimin negativ dhe kërcënues madje, të politikës ruse.

Serbia e Presidentit Aleksandar Vučić, synon të mbetet neutrale në aspektin ushtarak, apo, nuk dëshiron të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, por synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, me dioptrinë e re të Brukselit, realisht, Serbia llogaritet sot si shtet që anon kah Rusia, përkundër përpjekjeve evidente të Vučić-it që ta ruajë asnjanësinë ushtarake, dhe njëkohësisht t’i bashkohet shteteve që e dënojnë sulmin e Forcave ushtarake ruse në Ukrainë  (pos tjerash, edhe me votimin e Rezolutës së Asambles së Përgjithshme të OKB-së), dhe të mos aplikojë regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Bosnja dhe Hercegovina, brenda vetes i ka të konfrontuara dy tendencat historike dhe politike: Atë të qenit pjesë e Perëndimit  (politikë kjo e politikanëve boshnjakë dhe kroatë), dhe të orientimit kah Rusia dhe Lindja  (politikë kjo e politikanëve serbë).

Më në fund, kur bëhet fjalë për Kosovën, ajo, si edhe thuaja në të gjitha çështjet e tjera, është Rast i veçantë.

Kosova nuk ka as statusin e shtetit kandidat për të hyrë në NATO dhe në BE, por NATO, përmes Misionit të KFOR-it, të zyrtarizuar me një Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, 1244  (të 10 qershorit të vitit 1999), është i pranishëm në Kosovë.

Në këtë segment së paku, Kosova është territor i Paktit NATO: Formalisht dhe realisht.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme