Kontinuteti amerikan për Kosovën 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 07.02.2021 16:47 07.02.2021 16:47 Letrat e Presidentëve Biden dhe Trump, drejtuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në shkurtin e vitit 2021 dhe 2019, janë identike: kërkohet njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Letra/ Urimi i Parë: ‘Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian, dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara, për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqëndruar në njohjen reciproke’. Letra/ Urimi i Dytë: ‘Shtetet e Bashkuara janë të vendosura në mbështetjen e përcaktimit tuaj për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe veçanërisht përcaktimin e juaj për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ne mendojmë që njohja reciproke duhet të jetë elementi qendror i këtij normalizimi’. Këto dy Letra/ Urime kanë të njejtin marrës, Aleksandar Vučićin, Presidentin e Serbisë, dhe i dedikohen përgëzimeve për Ditën e shtetësisë së Serbisë, apo, 15 shkurtin. Letra e parë është e nënshkruar nga Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, dhe është dërguar këto ditë (apo, në muajin shkurt të vitit 2021). Letra e dytë është nënshkruar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe është adresuar dy vjet më parë (apo, në muajin shkurt të vitit 2019). Krahasimi i këtyre dy Letrave/ Urimeve të dy Presidentëve të Amerikës dhe dy Administratave Amerikane, shquan një përputhje të plotë, të qind për qindtë, në Shtëpinë e Bardhë, në mes të Bidenit dhe Trumpit në trajtimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe qëllimit final që këto bisedime duhet të kenë: Njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve. Përputhja e kësisojt rreth Kosovës, zatën u paralajmërua edhe nga Sekretari Shtetit, Antony Blinken, në seancën dëgjimore në Senatin Amerikan pak javë më parë, për konfirminin e tij. Blinken pati fjalë respekti për përpjekjet e Richard Grenellit dhe Administratës së kaluar amerikane në adresimin e temës së Kosovës dhe të dialogut me Serbinë. Biden dhe Trump, njëlloj si Trump dhe Obama, (dikush mund të shtojë Listën e Presidentëve të Amerikës duke nisur këtu prej George H. W. Bushit, që ishte autor i ‘Kërcënimit të Kërshëndellave’ ndaj Serbisë, në mbrojtje të Kosovës), me gjasë nuk janë pajtuar në asnjë temë dhe asnjë çështje tjetër të brendshme dhe ndërkombëtare, pos për Kosovën. Për këtë shkak, Kosova njëmend duket se është ‘Sui Generis’, edhe në mënyrën se si trajtohet në Washington, si në krahun demokrat, ashtu edhe në atë republikan. Po mos të ishte kështu, nuk do të kishte përkrahje të madhe të SHBA-së, të BE-së, të Aleancës Veri-Atlantike, të Perëndimit në përgjithësi, për Kosovën, nuk do të ndodhte kurrë çlirimi i Kosovës, dhe nuk do të bëhej Kosova shtet i pavarur. Ky kontinuitet i përkrahjes për Kosovën, veçmas në ato javët dhe muajtë e parë teksa Donald Trump shërbente si Presidenti i 45-të i SHBA-së, ka qenë befasi e madhe për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić. Ai ka pritur një ndryshim rrënjësor të qasjes së Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë. Në të vërtetë, Trump dhe Administrata e tij patën bërë një hap të madh përpara në këtë kontekst, në dhjetorin e vitit 2018-të, kur Presidenti Amerikan iu drejtua me një Letër që kishte një përmbajtje pak a shumë të njejtë, Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe homologut të tij në Serbi, Aleksandar Vučićit. Në këtë Letër, Trump inkurajonte te dy palët që ta shfrytëzojnë këtë moment historik dhe që për më shumë, ofronte edhe ndërmjetësimin e Washingtonit për arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë zotim formal të vetin në këto dy Letra drejtuar Thaçit dhe Vučićit, Trump dhe Administrata Amerikane, do ta konfirmojnë në gjysmën e dytë të vitit 2019, me emërimin e Matthew Palmerit, Zëvëndës-Asistent Sekretarit për Evropë (në State Department), si Emisar Special për Ballkan, dhe me caktimin e Ambasadorit Richard Grenell, si të Dërguar të Posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dihet se çka ndodhi në ndërkohë, në Kosovë, në politikën vendore tek ne, dhe në Evropë, dhe si ndodhi Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020, në Shtëpinë e Bardhë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbsë. Sidoqoftë, Presidenti Biden pra, ka ecur, kur bëhet fjalë për Letrën/ Urimin e tij për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, nëpër një rrugë e cila tashmë ishte shtruar nga pararendësi i tij, Presidenti Trump, veçmas në theksimin e prerë që Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohet në njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve. Çfarë venerohet pra tek Presidentët Biden dhe Trump, në trajtimin e dialogut të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, është një kontinuitet dhe një konsistencë, vlera këto politike dhe diplomatike amerikane të cilat i janë dashur shumë Kosovën në pesë vitet e fundit. Mund të marrim me mend se çka do të ndodhte me Kosovën, po të ishte ndryshe, pra, po të kishte ndryshim dhe diskontinuitet midis Administratës së Trumpit dhe atyre të mëparme amerikane. Zatën, pa këtë rol të SHBA-së, i cili garantohet edhe nga Presidenti Biden, nuk mund të ketë përmbyllje të suksesshme të bisedimeve të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë për arritjen e Marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve. Mësimi i Amerikës, i vazhdimësisë dhe i parimësisë, fatkeqësisht nuk vlenë për politikën kosovare, së paku që nga viti 2015-të, e tutje, apo, në gjashtë vitet e fundit. Përkundrazi, në këtë politikën kosovare që prej atëherë (kur nisi përplasja e madhe, me të gjitha mjetet mundshme, në mes të opozitës së atëhershme parlamentare dhe Qeverisë së prirë nga Kryeministri Isa Mustafa), po ballafaqohemi me një diskotinuitet politik, madje, me prishjen e një Agjende shtetërore e cila u pati krijuar edhe ashtu me mund të madh (dhe me përkrahjen e SHBA-së), që prej Konferencës Paqësore të Rambouilletit (në vitin 1999) e këndej. Politika kosovare që prej atëherë, është e hutuar, e dezorientuar, e çoroditur dhe e çakorduar. Nuk ka kurfarë shenjash dhe paralajmërimesh që do të ndodhë një evoluim pozitiv i politikës kosovare pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Për më shumë, që prej kësaj periudhe (viti 2015 e tutje), ka pasur raste apo shembuj të qartë dhe publik, të kundërshtimit të politikës kosovare ndaj qëndrimeve të Washingtonit zyrtar, për Shenjimin e kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, për Tarifën dhe masat tjera që i patën aplikuar Qeveritë e Kosovës, etj. Jemi të prirë të besojmë që përkrahja e Amerikës për ne do të jetë gjithmonë e pakushtëzuar, e parezervë dhe e pakufishme. Ta merr mendja që Amerika nuk mundet pa ne. Dhe jo anasjelltas. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.