Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kijevi nisi në Sarajevë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 21.03.2022 11:06

Bota e 24 shkurtit është krejtësisht ndryshe prej asaj të një dite më parë.

Kjo fjali është thënë kumbueshëm prej të gjithë politikanëve relevant të Perëndimit. Me te pajtohen edhe ata të katër anëve të Rruzullit Tokësor.

Invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, që nisi të enjten e fundit të muajit të dytë të këtij viti, i cili synonte, pos tjerash, rrëzimin e pushtetit legjitim në Kijev, rrëzoi a përmbysi, me të parën, me pak fishek dhe predha të përdorura në fushëbeteja, Rendin Ndërkombëtar të deriatëhershëm.

Si rëndom, në këto raste  (çfarë na mëson historia), dihet se çka ndodhi, apo që një Rend më nuk ekziston, por nuk dihet se çfarë do të krijohet, pas përfundimit të tij.

A nuk ishte kështu edhe në mesnatën e 9 nëntorit të vitit 1989, kur ra Muri i Berlinit?

Në gjithë atë konfuzionin dhe lëmshin e bërë prej qindra mijëra gjermanëve që u bashkuan fillimisht në Berlin, si qytetarë të një qyteti, (e pastaj, si shtetas të një Gjermanie të bashkuar), ende pa aguar dita e re në Berlin dhe në Evropë, u kuptua, që pa asnjë plumb të shkrepur, e lëre më pa ato pamjet e kërpudhave apokaliptike të bombave atomike  (të cilat parashiheshin si pasojë e Luftës në mes të dy Superfuqive të atëhershme, SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik), që perëndoi Epoka e ‘Luftës së Ftohtë’ dhe e Komunizmit.

Por, teksa kjo e vërtetë përshkoi gjithë politikën ndërkombëtare për pak ditë, as në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit George H. W. Bush, e lëre më diku tjetër, nuk dihej se çfarë ngrehine e re e Rendit Ndërkombëtar do të ndërtohej pas pastrimit të gërmadhave të lëna prapa me prishjen e Murit të Berlinit dhe të gjithë atij Rendi që edhe vet, hodhi shtat sipër rrënojave të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore.

Duhej së pari të menaxhohej a të organizohej si duhet, pa tronditje të mëdha, madje, pa shfaqur thuaja fare atë ndjenjën e triumfalizmit, e cila gufonte te secili politikan dhe diplomat të Perëndimit, periudha post-komuniste në ish-Kampin Komunist në Evropën Lindore. Liria e madhe që vërshoi në këto shtete të sapoçliruara, duhej të merrte trajtën e një pushteti demokratik, me vlera liberale, me një perspektivë të qartë sociale dhe ekonomike. Kjo perspektivë nuk kishte si mos t’i ofrohej edhe Federatës së Rusisë, që zëvëndësoi Bashkimin Sovjetik në hartat politike të Evropës dhe të Botës.

Në atë kohë, ta merrte mendja që njëmend jo vetëm Evropa, por edhe gjithë Bota, do të hynë në një Epokë të stabilitetit politik, të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale të paparë në gjithë historinë e njerëzimit.

Për më shumë, u fol dhe u shkrua për ‘Fundin e historisë’.

Prej një habije dhe befasie të madhe, të asaj mesnate të 9 nëntorit, prej një hezitimi, sipër këtyre zhvillimeve, të pritshëm për të parashikuar të ardhmen e afërt dhe atë aftagjatë në Evropë dhe në Botë, ndodhi ai ekzaltimi i pashoq që i kishte hije fundit të lumtur të përrallave letrare.

Por historia nuk shkoi askund. Ajo mbeti këndjpari. Duke u transformuar vazhdimisht, dhe duke dëshmuar që ai optimizmi i madh në qarqet politike dhe publicistike perëndimore, kishte pasur afat të kufizuar të përdorimit.

Edhe pse kurrë diçka e tillë nuk është pranuar në Perëndim, ky optimizëm që doli në dritë të diellit me 10 nëntor (të vitit 1989) në Berlin, mori fund prej 6 prillit (të vitit 1992), e tutje, në Sarajevë, aty ku edhe kishte nisë  (me 28 qershor të vitit 1914), ky cikël i madh historik me dy luftëra botërore, pas një atentati në Franz Ferdinandin.

Nga perspektiva e sotme, e pamjeve të luftës në Ukrainë, është krejtësisht e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që SHBA-ja dhe Evropa, të cilat së bashku realisht morën monopolin e çfarëdo Rendi Ndërkombëtar që do të ndërtohej prej vitit 1989 e tutje në Botë, lejuan, për tre vjet e më shumë, që Bosnja dhe Hercegovina të shndërrohet në një kasaphane që transmetohej live në CNN.

Ushtrimi i fuqisë politike dhe ushtarake të Perëndimit në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ka qenë i mundshëm, madje, i lehtë, kur dihen rrethanat e atëhershme ndërkombëtare.

Diçka e tillë nuk ndodhi. Prandaj, pasoi lufta në Kosovë, në vitet 1998, 1999, prandaj, edhe në Kosovë u përsëritën tmerret e Bosnjës. Megjithatë, këtu, në rastin e Kosovës, Perëndimi, falë Amerikës së Presidentit Clinton, mbi të gjitha, intervenoi ushtarakisht dhe politikisht, në pranverën e vitit 1999. Kosova shpëtoi.

Sidoqoftë, nëse këtu sërish i kthehemi rrjedhës aktuale të historisë dhe të politikës në Evropë dhe në Botë, lufta në Ukrainë do të duhej të shfrytëzohej në Perëndim që së paku në këto anë të Botës të stabilizohet një herë e mirë situata politike dhe e sigurisë, pa marrë parasyshë se si do të interpretohej krijimi i këtij Stabiliteti afatgjatë.

Në këtë kontekst, ka ardhur koha që të kryhen punët e lëna përgjysmë në Ballkanin Perëndimor.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme