Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kështu do të ua bënim po të kishim mundësi

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.06.2024 11:10
Blerim Shala
Blerim Shala

Të shtunën, me 8 qershor, në Beograd u mbajt Kuvendi gjithëserb dhe u miratua ‘Deklarata për mbrojtjen e të drejtave politike dhe kombëtare, dhe për ardhmëninë e përbashkët të popullit serb’.

Ky dokument i ka gjithsejtë 49 pika.

Pika e fundit (e 49-të), deklaron (të thuash solemnisht): Kuvendi gjithëserb vlerëson që organet shtetërore të popullit serb duhet t’i ofrojnë popujve përreth marrëveshjen për një pajtim historik, për një paqe të përhershme dhe zhvillim.

Kjo Pikë kinse paqësore i ofrohet kroatëve, shqiptarëve, boshnjakëve dhe popujve të tjerë të Ballkanin Perëndimor, pasiqë në 48 pikat e tjera flitet zi dhe terr për të gjithë popujt ‘përreth’ (nuk përdoret termi i rëndomtë në këtë rast, ‘popuj fqinj’), dhe pasiqë asnjë e vetmja fjalë e mirë nuk i ofrohet këtyre popujve.

Në të vërtetë, fjala ‘përreth’ këtu, në këtë ‘Deklaratë’, është një koncept thelbësor politik i cili përbën pikënisjen e tij: Sipas autorëve të ‘Deklaratës për mbrojtjen e të drejtave politike dhe kombëtare, dhe për ardhmëninë e përbashkët të popullit serb’, Serbia dhe populli serb në përgjithësi, janë të rrethuar nga të gjitha anët, dhe janë më të rrezikuar si kurrë më parë.

Kjo Serbi, në krye me ‘Komandant Aleksandrin’ (menjëherë është bërë kënga që i dedikohet kësaj ndërmarrjeje të Presidentit Vuçiq, ku ky shpallet ’Komandant’), e cila nga të katër anët gjindet nën rrethim, po lufton në mënyrë heroike për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e Serbisë dhe të serbëve, kudo që gjinden ata, veçmas në Kosovë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë (në Republikën Serbe).

Ai që nuk ka haber se çka po ndodhë në këto anë të Evropës kohëve të fundit, dhe e lexon me seriozitetin më të madh këtë ‘Deklaratë’, do të mund të konkludojë që në të vërtetë, ushtritë e të gjitha shteteve fqinje të Serbisë, para se të gjithash, vetë Aleanca Veri-Atlantike (kur dihet se gjashtë nga tetë shtetet me të cilat kufizohet Serbia janë tash e sa kohë pjesë e Paktit NATO), tashmë janë grumbulluar në zonën kufitare me Serbinë, dhe që pritet çdo çast që të urdhërohet një sulm gjithëpërfshirës (nga toka dhe ajri), me qëllim të okupimit, robërimit dhe shkatërrimit të Serbisë dhe të popullit serb.

Një sasi e këtillë marramendëse e paranojës politike vështirë që mund të gjinden në akëcilin dokument që është sjellë këndejpari viteve të fundit.

Sidoqoftë, për ‘Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave politike dhe kombëtare, dhe për ardhmëninë e përbashkët të popullit serb’, do të mund të shkruhej dhe flitej shumë, apo, do të mund të mos përmendej fare, kur të merret parasysh thellësia e çmendurisë politike e cila e karakterizon këtë dokument, këtë ndërmarrje politike, këtë gjendje (të mjerë dhe edhe më shumë të rrezikshme), në të cilën ka mbërri politika zyrtare e Serbisë, me pretendime ashiqare për të qenë përfaqësuese supreme e popullit serb, kudo që ai jeton në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Megjithatë, për ne këndejpari, dhe për të gjithë të tjerët që jetojnë ‘përreth’ Serbisë, do të ishte gabim i madh politik dhe i sigurisë nëse do të injorohet kjo mësymje politike e Serbisë, e cila natyrisht, paraqet një kontinuitet të politikës zyrtare të Beogradit.

Rrethanat kanë ndryshuar me themel, këtupari dhe në rajon. Evropa e sotme është krejt tjetërfare prej asaj para 10-15 vitesh. Bota është në udhëkryq. Ka luftëra të cilat askush nuk di se si do të marrin fund (si në Ukrainë dhe në Palestinë). Megjithatë, politika serbe tash e sa vite (së paku gjashtë vite, a më shumë), është kthyer në origjinën e vet, në atë shtratin e vet të natyrshëm që shquhet nga nacionalizmi dhe ekstremizmi.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë konfirmim më të mirë për identitetin e kësaj politike se sa ‘Deklarata për mbrojtjen të drejtave politike dhe kombëtare, dhe për ardhmëninë e përbashkët të popullit serb’.

Ky dokument është në të vërtetë ftesë për telashe të reja të mëdha politike dhe të sigurisë në këto anë të Evropës, është një kërcënim evident veçmas për shqiptarët dhe për Kosovën, është një flakaresh në fytyrën e Perëndimit, është një përbuzje e synimeve të BE-së dhe të SHBA-së për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për arritjen e një paqeje dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme