Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Katër befasitë e Luftës në Ukrainë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 14.09.2022 15:28

Sipas të gjitha gjasave, apo, duke marrë parasyshë të gjitha zhvillimet e deritashme në Luftën e Ukrainës, e cila nisi me 24 shkurt, me agresionin e Armatës së Rusisë, e gjithë kjo luftë dhe rrjedhat në te, do të karakterizohen me befasi të njëpasnjëshme.

Së pari, edhe pse Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden dhe Administrata e tij, disa herë para se të zbardhë dita e parë e luftës, paralajmëruan publikisht një sulm të Ushtrisë së Rusisë, pakkush ka besuar në Perëndim që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i njohur si një llogaritës goxha i sakt i veprimeve të tij dhe pasojave të tyre, do të urdhërojë që Rusia të hyjë në luftën me Ukrainën. Diçka e tillë, dukej fare e palogjikshme, e pakuptimitë, e gabuar dhe me pasoja largëvajtëse për të gjithë.

Por ja që kjo luftë nisi, përkundër të gjitha këtyre kalkulimeve të qëndrueshme dhe racionale.

Së dyti, na kujtohet të gjithëve që vet Administrata e Presidentit Biden, supozoi që lufta nuk do të zgjasë shumë, apo që supremacia ushtarake e Rusisë do ta bënte të veten dhe që brenda pak ditësh, Kijevi, apo kryeqyteti i Ukrainës do të pushtohej, dhe që Moska do ta instalonte këtu një pushtet të afërt me Rusinë e Vladimir Putinit. Madje, u përmend edhe afati kohor treditësh sa do të zgjaste rezistenca e forcave ushtarake të Ukrainës për mbrojtjen e Kijevit. Për më shumë, Perëndimi asokohe pati insistuar që Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do të bënte mirë nëse do të largohej menjëherë në Poloni, prej nga do të niste rezistenca aftagjatë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Çdo ditë e vazhdimit të luftës me Rusinë, llogaritej si një mrekulli e dorës së parë, teksa pas një muaji, kush më nuk i numëronte ditët e kësaj rezistence e cila u pa që është autentike dhe reflektim i gatishmërisë së qytetarëve të Ukrainës për ta mbrojtur atdheun e tyre.

Ishte kjo befasia e dytë, shumë e madhe në këtë luftë.

Së treti, Perëndimi supozoi që Sanksionet brutale ekonomike dhe financiare të cilat SHBA-ja dhe BE-ja ia imponuan Rusisë, dhe të cilat ashpërsoheshin thuaja çdo javë, do ta ‘mbushnin mend’ Putinin, dhe do ta fuqizonin mundësinë që në negociatat e mirëfillta, Kijevi dhe Moska të arrinin fillimisht një armëpushim, e më pas edhe një Marrëveshje paqësore. Na kujtohet që në këtë drejtim, Zelenskyy, pos të tjerash, pati shpallur edhe gatishmërinë e tij që Ukraina të heq dorë nga synimet për t’u bërë shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike, apo, të përqafojë idenë e neutralitetit ushtarak.

Sanksionet më të egra që ka njohur Bota, nuk e gjunjëzuan Rusinë.

Së katërti, edhe pse SHBA-ja, Britania e Madhe dhe shtetet e BE-së bënë shumë në armatimin e Forcave ushtarake të Ukrainës që prej muajit shkurt e tutje, në Perëndim mbizotëronte vlerësimi që maksimumin që mund ta bëjë Ukraina në fushëbetejat e luftës do jetë ndalja e përparimit të Armatës ruse kah perëndimi, apo, përqëndrimi i kësaj Armate në rajonin e Donbasit. Llogaritej që në këtë mënyrë, vjeshta dhe dimri i këtij viti do të priten, nga te dy palët, në një ‘konflikt të ngrirë’, i cili do t’i impononte negociatat për paqe, sepse Putin do ta dinte që në pranverën e vitit të ardhshëm, Ukraina do të ishte më e armatosur dhe më e fuqishme, për ta vazhduar luftën.

Pakkush i ka besuar fjalëve të Presidentit Zelenskyy, të thëna para disa javësh, që Ukraina po nisë një ofenzivë të madhe ushtarake, e cila synon çlirimin e territoreve të Ukrainës të pushtuara nga Rusia, dhe që madje, Planet ushtarake dhe politike nënkuptonin edhe kthimin e Krimesë nën sovranitetin e Kijevit.

Por ja që ditëve të fundit janë rithyer me mijëra kilometra katrorë të territorit të Ukrainës, dhe tani, askush më nuk guxon që të parashikojë rrjedhën e mëtejmë të luftimeve në anën lindore të Ukrainës.

Është kjo një befasi tjetër, mbase më e madhja, më e papritura, e cila është në ndodhje e sipër në Ukrainë, me pasoja ende të paparashikueshme për konkludimin eventual të kësaj lufte.

Për këtë shkak, zatën, Washingtoni zyrtar po shfaqet ditëve të fundit shumë i matur, sepse supozon (me të drejtë), që Putin nuk do të dorëzohet, apo që do të përpiqet, me të gjitha mjetet e mundshme që i ka në dispozicion, të kundërpërgjigjet në front.

Sidoqoftë, kjo luftë, me të gjitha këto befasi që u grumbulluan  (mbase, edhe me disa të tjera të cilat do të pasojnë), prej muajit shkurt e deri më sot, solli një të vërtetë që vështirë që do të mohohet javëve dhe muajve të ardhshëm: Putin bëri gabim fatal me fillimin e kësaj lufte dhe Rusia më nuk është fuqi e madhe ushtarake dhe politike.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme