Kaos politik dhe kushtetues 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 16.12.2020 09:07 16.12.2020 09:07 Çka do të ndodhë me shtetin e Kosovës nëse më së voni, më 5 maj të vitit të ardhshëm, nuk do ta zgjedhim Presidentin e ri të vendit. Politika e Kosovës, si qëndrojnë punët tash e sa javë (dikush me të drejtë mund të thotë, tash e sa muaj, apo madje, edhe tash e sa vjet, gjithçka varet nga perspektiva e atij që e bën këtë konstatim), është në gjendje të pezullimit të vetëvetes. Në demokracinë parlamentare, çfarë synon të jetë edhe ky organizimi politik i Kosovës që prej zgjedhjeve të para të lira të pasluftës (të tetorit të vitit 2000), korniza ligjore, procedurat, dhe numrat që janë reflektues të legjitimitetit dhe të fuqisë reale politike, përbëjnë themelin e funksionimit të pushtetit. Aktualisht, politika kosovare ka problem me te tri këto elemente kyç të demokracisë, të cilat natyrisht, kërkojnë dhe imponojnë, thuaja në të gjitha rastet, edhe një komunikim të mirëfilltë në mes politikanëve dhe partive që e bëjnë një skenë politike të një vendi. Ky komunikim i cili pastaj mund të marr edhe trajtën e bashkëpunimit të politikanëve dhe partive të tyre, shërben jo vetëm për t’i krijuar koalicionet qeverisëse, për ta arritur atë shumicën e kualifikuar parlamentare prej të dy tretave në rastet e parapara me Kushtetutë, por po ashtu, shfrytëzohet, në rastet e veçanta, edhe për ta adresuar në mënyrën më të mirë të mundshme një sprovë të jashtëzakonshme politike, natyrore, shëndetësore (siç ishte sivjet rasti me Covid-19). Në rrethanat e tanishme në Kosovës, sa po vërehet së paku publikisht, nuk ka komunikim dhe bashkëpunim të mirëfilltë politik as brenda Qeverisë së Kosovës, e lëre më në mes të politikanëve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Porositë për njeri-tjetrin, të politikanëve që e përbëjnë Qeverinë e Kosovës, si po duket, nuk ofrohen në bisedat e drejtpërdrejta, me telefon apo me email, por me bisedat dhe intervistat televizive, dhe në ato në portalet e shumta. Në anën tjetër, çfarë është e qartë për të gjithë ne është që tëfillimi i këtij lëmshi të madh politik në vend, mund të bëhet, si tash, si pas pesë-gjashtë muajsh, vetëm nëse ndodhë zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës, të katërtit që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur (pas Fatmir Sejdiut, Atifete Jahjagës dhe Hashim Thaçit). Kalimthi këtu mund të thuhet që për shkaqe të ndryshme, kur bëhet fjalë për liderët institucional të vendit që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur, asnjëri Kryeministër dhe asnjëri President, me përjashtim të Atifete Jahjagës, nuk e ka përmbyllur mandatin e vet të plotë kushtetues. Natyrisht, edhe ky fakt flet për një mungesë të vazhdueshme të stabilitetit politik në vend. Kur bëhet fjalë për postin e Presidentit të Kosovës, dihet që mandati i Ushtrueses së Detyrës (Vjosa Osmanit, Kryetares së Kuvendit), është gjashtëmujor, apo, skadon me 5 maj të vitit 2021. Kushtetuta e Kosovës nuk ka paraparë çfarë mund të ndodhë me këtë pozitë, pasi të përmbyllet ky mandat emergjent gjashtëmujor. Teksa, nuk është definuar askund mundësia që Kosova si shtet të funksionojë pa President të vetin. Pra, respektimi i Kushtetutës dhe i procedurave parlamentare (të cilave iu nënshtrohet zgjedhja e Presidentit të Kosovës), nënkupton që më së voni, me 5 maj të vitit 2021, ky Kuvend ekzistues, apo Kuvendi i ri i cili do të del nga zgjedhjet eventuale të parakohshme, të pestave që prej se Kosova është bërë shtet (asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje të rregullta parlamentare), do të duhet ta zgjedhë Presidentin e Kosovës. Në të kundërtën, shteti i Kosovës, politika e Kosovës, do të përballet me një gjendje të paligjshme, jokushtetuese, krejtësisht kaotike. Kjo do të ishte goditja më e madhe dhe më e rrezikshme e mundshme ndaj shtetit të Kosovës. Bazuar në prononcimet dhe deklaratat publike të politikanëve të vendit, nuk po shihet se si mund të ndodhë dakordimi për t’i shkuar suksesshëm në fund zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, në legjislaturën e shtatë parlamentare. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i muajit mars të vitit 2011-të, e ka parë si të domosdoshme që Quorumi prej 80 deputetësh që duhet të jenë në sallë, të jetë kusht i pashmangshëm për ta filluar procedurën e votimit të Presidentit të ri. Po ashtu, sipas këtij Verdikti, duhet të jenë së paku dy kandidatë për pozitën më të lartë në vend, dhe secili prej tyre, për ta fituar të drejtën e nominimit, duhet ta sigurojë përkrahjen e së paku 30 deputetëve. Për ta plotësuar këtë kriterin e parë, është e domosdoshme Marrëveshja politike në mes të subjekteve politike të pushtetit dhe PDK-së (Lëvizja ‘Vetëvendosje’ i sheh zgjedhjet si zgjidhjen e vetme të krizës politike në vend). Nuk po duket që ka gjasa për një Marrëveshje të këtillë. Shkaqet janë pak a shumë të njohura për të gjithë. Për më shumë, do të ishte befasi e madhe poqëse iniciativa politike e Isa Mustafës, Kryetarit të LDK-së, për të zhvilluar konsulta intenzive politike për këtë temë në ditët e ardhshme, do të rezultojë me një dakordim për të siguruar pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në seancën e Kuvendit, si dhe rreshtimin pas një kandidati të përbashkët për këtë pozitë. Mustafa ndryshe, me të drejtë ka potencuar që janari i vitit të ri, është afati i fundit kohor kur duhet të ketë pajtim për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës nga kjo përbërje e Kuvendit. Në të kundërtën, me gjasë, përmes mekanizmit të vetë-shpërbërjes së Kuvendit, duhet të krijohen kushtet ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të përgjithshme, të cilat do të mund të organizoheshin me 7 ose 14 mars, gjithnjë me synim që së paku në teori, të mbërrihet tek ai afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, jo më vonë se me 5 maj të vitit të ardhshëm. Por, këtu po flitet për ‘Skenarin më të mirë të mundshëm’, i cili do të nënkuptonte që jo më vonë se 40-45 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, KQZ t’i certifikojë zgjedhjet dhe të hapë rrugë për seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të duhej zgjedhur në fillim Kryetarin e Kuvendit, pastaj Presidentin e Republikës dhe së treti, Qeverinë e re të Kosovës. Dështimi i zgjedhjes së Presidentit të vendit, automatikisht do të konkludohej me zgjedhje të reja parlamentare, teksa nuk duhet harruar faktin që në tetor të vitit 2021, do të organizohen zgjedhjet e rregullta për pushtetin lokal. Edhe në variantin më të mirë pra, nëse gjithçka do të përmbyllet si duhet(me zgjedhjen e Presidentit dhe të Qeverisë së re), viti 2021, poqëse do të dalin si të pashmangshme zgjedhjet e reja parlamentare, do të jetë vit i zgjedhjeve dhe i problemeve të shumëfishta politike. Ndërsa edhe optimistët më të mëdhenj politik në Kosovës (të cilët po pakësohen gjithnjë e më shumë), nuk e kanë guximin të parashikojnë që liderët dhe partitë politike në vend, nëse do të kemi zgjedhje të reja parlamentare në muajin mars, do të jenë në gjendje që në bazë të rezultateve të këtyre zgjedhjeve, të dakordohen për emrin e Presidentit të ri të Kosovës dhe për zgjedhjen e tij më së largu me 5 maj.