Kah do të shkojë Serbia? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 13.03.2023 16:00 13.03.2023 16:00 ‘Po të mos ishim ne çfarë kemi qenë, nuk do të kishte pushtet të Miloševićit…Nuk ka ra ai nga Marsi. Ai, si Hitleri në Gjermani, ka qenë pasojë e shoqërisë së dobët. Ndërsa shoqëria jemi ne – edhe opozita, edhe kisha, edhe intelektualët, etj. Po të ishte opozita më e mirë, më herët do ta hiqnim qafe Miloševićin. Edhe ne jemi përgjegjës që ai aq gjatë ka qenë në pushtet. Ai duhet të përgjigjet personalisht, por është shumë e rrezikshme nëse mendohet që ai është fajtori i vetëm…’. Me pak rreshta, atëherë si Kryeministër i Serbisë, Zoran Đinđić, pak para se të vritej, do ta përshkruante shumë sakt gjendjen e shoqërisë dhe politikës serbe, të mësuar që të kërkojë fajtorin dhe përgjegjësinë tek të gjithë të tjerët, brenda vendit dhe në gjithë Botën, për të gjitha dështimet e mundshme politike dhe historike të Serbisë, të cilat u shumëfishuan në vitet e nëntëdhjeta, me luftërat dhe tragjeditë e njëpasnjëshme, të shkaktuara nga elitat politike dhe intelektuale të Serbisë. Me 12 mars të këtij viti bëhen njëzet vjet që prej se Đinđić u vra në hyrjen e Qeverisë së Serbisë. Edhe pse dihet se kush ishte kryesi i atentatorit mbi te, realisht, ky ishte viktimë e po të njejtës elite politike dhe intelektuale e cila refuzonte fajin dhe përgjegjësinë për të gjitha të këqijat që ia shkaktuan rajonit, hapësirave/ territoreve të përbashkëta të ish-Jugosllavisë. Fundi i tij i këtillë, ishte mbi të gjitha pasojë e refuzimit të brendshëm të shoqërisë serbe për të nisur atë procesin e domosdoshëm për çdo shoqëri dhe për çdo politikë, për tu marrë me gabimet dhe dështimet e mëdha të cilat shënojnë një teposhtëze të madhe të një vendi – siç ishte rasti me Serbinë e viteve të nëntëdhjeta. Gati tre vjet më vonë, me 11 mars të vitit 2006, në qelinë e tij në burgun e Scheveningenit në Hagë (të ICTY, Tribunalit për krime lufte e bëra në ish-RSFJ), do të vdes Slobodan Milošević, kryeprotagonisti i tmerreve të luftës, prej Sllovenisë deri në Kosovë. Ai do të vdes pa marrë Aktgjykimin e pritur nga Tribunali i Hagës për përgjegjësinë e tij konkrete për luftërat në Kosovë, në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në këtë mënyrë, as Milošević dhe as Serbia që e prodhoi ate (me këtë shpjegimin e qëndrueshëm të Zoran Đinđićit), nuk morën atë dënimin e merituar të drejtësisë ndërkombëtare, e cila, pa dyshim, do t’i ndihmonte procesit të shndërrimit të Serbisë në një shtet normal, që bashkëpunon në mënyrë të hapur dhe të sinqertë me të gjitha shtetet përreth, të krijuara me zhbërjen e përgjakshme të ish-shtetit të përbashkët. Politika zyrtare serbe, realisht, ka vendnumëruar që prej viteve 2003 dhe 2006. Presidentët, Kryeministrat dhe Qeveritë kanë marrë dhe kanë humbur pushtetin në zgjedhje, ka pasur rënie dhe ngritje të liderëve të ndryshëm, por Serbia as sot e kësaj dite nuk e ka të qartë as prej nga ka ardhë, ku është sot, dhe kah duhet të shkojë. Serbia e sotme e Aleksandar Vučićit, është një shtet pa identitet të qartë: Demokraci e mirëfilltë nuk është, ajo heziton të përcaktohet në udhëkryqin e madh historik dhe politik të Evropës, të shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës (nga muaji shkurt i vitit të kaluar), ajo ende nuk njeh si duhet faktin që Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina jashtë shtete të pavarura me të cilat duhet të krijojë marrëdhënie miqësore, teksa me neutralitetin e saj ushtarak, ajo ka marrë trajtën e një ‘ujdhese’ të sigurisë të rrethuar në të katër anët me shtetet që ose tashmë janë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, ose së shpejti do të jenë pjesë e Paktit NATO (si Kosova dhe me gjasë, edhe Bosnja e Hercegovina). Presidenti Vučić, sipas paralajmërimeve të tij të fundit, do të përpiqet të vazhdojë me këtë politikën asnjanëse vendore dhe ndërkombëtare, duke u vënë në ballë të një Lëvizjeje popullore për shtetin, e cila, në bazë të mediave serbe, do ta ketë si një orientim të vetin kryesor politikën ‘Edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin’. Lindja e përfaqësuar nga Rusia dhe Kina, realisht, është më e largët se kurrë për Serbinë dhe për gjithë Ballkanin Perëndimor, teksa Perëndimi, i cili njihet si SHBA dhe BE, dashtë e pa dashtë Beogradi zyrtar, është fati dhe zgjidhja e vetme e mbetur për shoqërinë dhe për politikën serbe. Dera e parë, mbase edhe më kryesorja për këtë Serbi që do të duhet të orientohet kah Perëndimi, pritet të jetë Marrëveshja themelore për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës. Zatën, kjo Marrëveshje me Kosovën është letra më me vlerë që ka në dorë Serbia e sotme e Aleksandar Vučićit për ta zgjedhur fatin e vet.