Intervistë e nën-sekretares së Departamentit të Shtetit, Elizabeth Allen për emisionin Rubikon 123 string(17) "Adriatik Kelmendi" string(103) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/11/850x636_adriatik_kelmendi1629223901-e1669063149431.jpg" nga Adriatik Kelmendi 20.05.2024 21:47 20.05.2024 21:47 Nënsekretarja amerikane në Rubikon AK: Mirë se vini në Rubikon. U/S: Faleminderit për mundësinë. AK: Është kënaqësia jonë. Pra, sot patët takime me krerët tanë të shtetit. U takuat me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Si shkuan këto takime? U/S: Është kënaqësi që jam në Kosovë. Është vizita ime e parë dhe jam këtu si pjesë e një udhëtimi tetë-ditor, në katër shtete nëpër Ballkanin Perëndimor. Si Shtete të Bashkuara që për një kohë të gjatë jemi mike dhe partnere e Kosovës, jam shumë e lumtur që jam këtu. Dhe, bisedat e mia të sotshme me presidenten dhe kryeministrin pasqyruan atë partneritet dhe miqësi. Biseduam se si një nga pikat më të forta të partneritetit tonë është partneriteti mes njerëzve tanë dhe si të përqendrohemi në ndërtimin e atyre lidhjeve, ndërtimin e atij mirëkuptimi të ndërsjellë mes njerëzve tanë për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët që duam të shohim. Siç e dini, e vlerësoj shumë përkushtimin e presidentes Osmani ndaj marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Ne nënshkruam një marrëveshje të mirëkuptimit për dezinformimin dhe folëm në veçanti për mënyrat për të rritur programet me të rinjtë dhe gratë. Me të vërtetë e vlerësoj shumë atë takim. Ngjashëm, edhe me kryeministrin Kurti diskutuam në mënyrë shumë konstruktive dhe theksova sërish se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ardhmen e Kosovës në komunitetin euroatlantik. Po ashtu, i shpreha disa shqetësime për disa nga zgjedhjet e fundit të politikave të kësaj qeverie dhe kërkuam rritje të bashkëpunimit. Ne, si Shtete të Bashkuara, duam të jemi në gjendje të vazhdojmë të avokojmë në mënyrë efektive për Kosovën dhe integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare dhe për ta bërë këtë ne kërkojmë më shumë bashkëpunim AK: Pata ndërmend t’ju pyesja për këto sepse kolegët tuaj në Departamentin e Shtetit, si z. O’Brien dhe z. Escobar, i kishin disa kritika nga ndaj qeverisë. Ju përmendët partneritetin në përgjigjen tuaj të parë. U përmend partneriteti. A ka një partneritet real me Kosovën apo në veçanti me qeverinë e Kosovës? Pra, a e shihni gotën gjysmë të mbushur apo duhet që të punojmë edhe më shumë për të pasur partneritet të duhur? U/S: Absolutisht, ne kemi një partneritet të fortë. Kjo është e rrënjosur në historinë tonë. Ne jemi të përkushtuar për Kosovën, të ardhmen e Kosovës si një demokraci shumetnike, me rrënjë në Evropë, pa mëdyshje. Por, në çdo partneritet, në çdo miqësi të ngushtë, ka momente kur bisedoni në mënyrë të sinqertë dhe kështu pjesë e këtij partneriteti janë diskutimet e sinqerta me homologët tanë për çështjet kur shohim se ka fusha për përparim shtesë – qofshin diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ndalimin e mallrave serbe, këto janë fusha ku ne do të kemi diskutime të sinqerta për fushat ku shohim mundësi për përparim më të madh në këtë partneritet, si dhe për t’i dhënë Shteteve të Bashkuara aftësinë për të vazhduar të jenë avokatë efektivë. AK: Siç e përmendët, jeni duke e vizituar rajonin dhe ishit edhe në Serbi. E pashë një intervistë për transmetuesin publik, gjatë së cilës deklaruat se jeni vërtet të lumtur që shihni përparimin e bërë nga Serbia, veçanërisht në dialog. Pra, a është ky përparim i ndërsjellë? Po kërkoni më shumë nga Kosova apo ku po qëndron Kosova? U/S: Ne kemi marrëdhënie me Prishtinën dhe kemi marrëdhënie me Beogradin dhe kur flasim me homologët tanë në çdo vend, ne flasim për fushat ku ka përparim dhe fusha ku mund të ketë më shumë përparim. E bëmë këtë në Serbi, ashtu siç po e bëjmë edhe këtu në Kosovë. Sigurisht që mbajtja e marrëdhënieve me të dy vendet vetëm sjell mundësi më të mira për integrimin në të ardhmen. AK: I keni vizituar edhe trupat në veri. Siguria është një nga shqetësimet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Çka mendoni për sigurinë në këtë rajon? U/S: Ishte kënaqësi të vizitoja dhe iu jam vërtet mirënjohëse trupave amerikane që më mundësuan të shoh me helikopter zonën e veriut të Kosovës. Sigurisht që jemi thellësisht të përkushtuar për sigurinë e veriut të Kosovës. Ne po punojmë si me qeverinë këtu dhe po flasim me qeverinë e Serbisë për mënyrat se si të ulim tensionet; si të rrisim integrimin rajonal; për mënyrat se si para së gjithash të kemi parasysh sigurinë e njerëzve dhe prandaj isha mirënjohëse për mundësinë për ta parë vendin. AK: E përmendët se sot në mëngjes, të dielën, e keni nënshkruar një Marrëveshje të Mirëkuptimit me presidenten Osmani për dezinformim. Pra, çfarë veprimi po ndërmerr zyra juaj për të luftuar dezinformimin e Kremlinit? Cilat janë obligimet e Kosovës? U/S: Epo, më erdhi shumë mirë që pata rastin të nënshkruaja këtë MM. E dini që Shtetet e Bashkuara kanë punuar me partnerë anembanë botës për të identifikuar me të vërtetë problemet që dezinformimi dhe ndikimi i huaj keqdashës paraqet për të gjithë ne. Ne e shohim këtë si një kërcënim të sigurisë kombëtare. E shohim këtë si një fushë politike që ka nevojë për zgjidhje kohezive rreth saj, dhe kështu Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një kornizë për t’iu kundërvënë ndikimit të huaj keqdashës, dhe kjo përfshin disa mënyra në të cilat qeveritë mund të punojnë së bashku për të trajtuar këtë problem të dezinformimit dhe ndikimit të huaj keqdashës. Kjo Marrëveshje e Mirëkuptimit bazohet në atë kornizë dhe përfshin gjëra të tilla si rritja e aftësisë sonë për të analizuar narrativat e dezinformatave; ajo rrit aftësinë tonë të ndërsjellë për të gjetur zgjidhje kundër dezinformimit nga pikëpamja e politikave. Këtu përfshihen shoqëria civile, sepse asnjë diskutim për të luftuar dezinformimin dhe ndikimin keqdashës të huaj nuk është i plotë nëse flasim vetëm për veprimet që mund të ndërmarrë qeveria, por edhe mbështetjen e mediave të pavarura, duke siguruar që të kemi kontroll të fakteve, duke u siguruar vërtet se bota akademike, media, shoqëria civile dhe qeveria po punojnë të gjithë së bashku për të trajtuar këtë problem, sepse t’i kthehemi pikës suaj, Rusia nuk është e interesuar për një rajon të lirë e të begatshëm të Ballkanit Perëndimor. Ata po kërkojnë të mbjellin kaos dhe ndarje dhe të dekurajojnë përparimin demokratik dhe kështu një pjesë e Marrëveshjes së Mirëkuptimit që nënshkruam sot përfshin përpjekjet për të forcuar parimet demokratike, për të rritur besimin në institucione dhe për të luftuar ato fushata të ndikimit keqdashës të huaj. AK: Dje patët një ngjarje edhe me nxënës të shkollave të mesme të Kosovës që po ndjekin arsimin në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Cilat ishin porositë tuaja për ta apo cilat ishin reagimet? U/S: Isha e emocionuar që i vizitova – pjesërisht sepse në fakt unë kam studiuar në Roçester të Nju Jorkit. Pra, me të vërtetë ishte kënaqësi që e vizitova kampusin e Institutit të Teknologjisë në Roçester këtu në Kosovë. Mendoj se arsimi dhe partneritetet arsimore, transatlantike apo të tjera janë pikë e vërtetë krenarie në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe takimi me gjimnazistët dje ishte me të vërtetë sikur të kisha para vetes brezin e ardhshëm dhe të shihja potencialin e tij. E dini, ata nuk ishin pjesë e historisë së viteve 1990 që jeton mbi ta dhe që të gjithë e kanë trashëguar, kështu që ata e shohin botën pak më ndryshe dhe çka dëgjoj prej tyre është dëshira për të punuar me njëri-tjetrin, pavarësisht përkatësisë etnike, pavarësisht historisë, për të ndërtuar një të ardhme më të begatshme dhe për të gjetur mundësi për vete, jo vetëm për të përmirësuar veten, por për t’i ndihmuar njëri-tjetrit që të përmirësohen së bashku. Dje e patëm një diskutim mjaft të mirë mbi edukimin në fushat STEM dhe përmirësimin e arsimit në fushat shkencore dhe të teknologjisë në zhvillim për t’u dhënë atyre një të ardhme me prosperitet ekonomik, por edhe për rëndësinë për tu takuar me njëri-tjetrin. Pra, të ulesh në një sallë me të rinj nga bashkësi shumetnike këtu në Kosovë, ishte thellësisht frymëzuese. AK: Gjithashtu, e keni vizituar edhe lokalitetin arkeologjik të Dresnikut. Cilat janë përshtypjet kryesore nga atje? U/S: Si qeveri amerikane, jemi shumë krenarë që po kontribuojmë në restaurimin e zonës së Dresnikut. Ne kemi një fond – Fondin e ambasadorëve për ruajtjen e kulturës – dhe kështu po punojmë me Ministrinë e Kulturës, Sportit dhe Rinisë së Kosovës, po punojmë me udhëheqësit komunalë, me arkeologë dhe pronarët e tokave për të përforcuar dhe restauruar kolektivisht këtë lokacion të lashtë romak. Dhe është një nga të paktat në rajon. Do ta shoh një më vonë sot edhe në Maqedoninë e Veriut. Ju e dini që ne e bëjmë këtë sepse kujtimi i historisë, rivendosja e historisë, u jep njerëzve një ndjenjë të së kaluarës. Në këtë rast, të të kaluarës evropiane të Kosovës dhe u jep atyre një ndjenjë se si ta lidhin atë me të ardhmen. Na vjen shumë mirë që jemi partnerë në këtë. Është me të vërtetë një çështje për t’i dhënë popullit kosovar diçka për identitetin dhe historinë e tyre për ta çuar përpara në të ardhmen. AK: Ju mbuloni sektorin e diplomacisë publike. Isha i lumtur që isha një nga njerëzit që përfitova nga programet tuaja të ndryshme sepse kam qenë në SHBA në një nga programet. Pra, cilat janë prioritetet kryesore që duhen identifikuar në fushën e diplomacisë publike në Ballkanin Perëndimor? SHBA: Diplomacia publike po luan një rol të madh në ndërtimin e marrëdhënieve mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe tërë thelbi i diplomacisë publike është se e ardhmja nuk formohet vetëm përmes marrëdhënieve ndërmjet qeverive, por edhe përmes marrëdhënieve mes njerëzve. Dhe kështu ne jemi të interesuar dhe kemi prioritet për të investuar në njerëzit këtu për të realizuar potencialin e tyre dhe për të krijuar takime për njerëzit që të punojnë me njëri-tjetrin. Unë mendoj se ndonjëherë ekziston një supozim se ne po i bëjmë njerëzit bashkë për të kërkuar marrëveshje me njëri-tjetrin, por ka shumë për të bërë vetëm për të rritur mirëkuptimin sepse rritja e mirëkuptimit mes njerëzve çon në përparim më të mirë dhe aftësi për të menaxhuar çështjet në vazhdim. Pra, ne jemi shumë krenarë që jemi sponsorizues të programeve që jo vetëm investojnë te të rinjtë përmes gjërave të tilla si arsimimi, trajnimi profesional, por edhe që të bëjmë njerëzit bashkë. Para se të vija në Kosovë, isha në një konferencë në Sjenicë të Serbisë. Ne e kemi një program që quhet Bold dhe është për të rinjtë ballkanikë nga i gjithë rajoni. Dhe kështu kishim të rinj, liderë të rinj, sipërmarrës, pronarë biznesesh, akademikë të gjithë së bashku në një sallë për tre ditë me radhë duke menduar për mundësitë që ata kanë për të formuar të ardhmen së bashku. Dhe jemi shumë krenarë që ishim pjesë e asaj konference. Po ashtu, ne jemi të përqendruar në programet tradicionale si programi Fulbright, programi Access për gjuhë angleze, programi i bursave të vogla, ne kemi një bursë për edukimin mediatik këtu në Kosovë dhe kështu gjëra si trajnimi për gjuhë, takimet edukative, këto janë me të vërtetë prioritetet tona afatgjata. Përveç këtij prioriteti afatshkurtër të ndërtimit të një hapësire informacioni më të shëndetshme dhe më elastike për të cilën folëm. AK: Nënsekretare Allen, ishte kënaqësi që ju patëm në studion tonë. U/S: Ishte kënaqësi edhe për mua. Faleminderit për ftesën. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.