Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Historia dhe Futbolli

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 22.11.2024 09:05
Blerim Shala
Blerim Shala

Kosova humbi ndeshjen me Rumaninë në futboll pas ndëshkimit formal që iu bë aktit të largimit të futbollistëve të saj nga terreni, në minutën e 92-të të lojës, vetëm dy minuta para se të merrte fund ky dyluftim me rezultatin e bardhë  (si thuhet), zero me zero.

Kosova dhe Rumania u përballën në kuadër të Ligës së Kombeve, në Nivelin C të saj.

Nuk ka kurrfarë dyshimi, dhe këtu pajtohemi që të gjithë, si shikues të kësaj ndeshjeje, që Kosova ishte më e mirë, shumë më e mirë madje, dhe që meritonte të fitonte, qoftë edhe me rezultat minimal.

Kjo fitore nuk do të ndryshonte gjë sa i përket renditjes finale në grupin e Kosovës dhe Rumanisë. Megjithatë, ajo  (fitore), do të ishte me peshë të veçantë dhe do ta konfirmonte një varg të suksesshëm të lojërave të kombëtares kosovare.

Të gjithë ne e kemi parë  (dhe dëgjuar), se çfarë kanë përjetuar futbollistët e Kosovës, dhe atë, për herë të dytë, brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke qenë mysafir të Rumanisë.

Herën e parë ka qenë befasi, por tani jo.

Këtë e kanë ditur të gjithë në reprezentacionin e Kosovës.

Hakmarrja më e mirë e mundshme ndaj një shpërthimi të këtillë të urrejtjes do të ishte fitorja e Kosovës në fushën e blertë.

Kjo nuk ndodhi, sepse ishim pa fat atë mbrëmje.

Sidoqoftë, të irituar dhe më mërzitur me sjelljet e tifozëve rumunë, futbollistët e Kosovës vendosën të largohen nga fusha dy minuta para fundit dhe të mos kthehen më.

Për më shumë, ata mbetën këmbëngulës në vendimin e tyre, edhe pse kryegjyqtari i ndeshjes i thirri disa herë të kthehen në lojë për ato dy minutat e mbetura.

Ky, realisht ishte ai momenti decisiv që vendosi fatin e kësaj ndeshjeje edhe para se të shqyrtohej ajo nga instancat relevante të UEFA-s.

Lojtarët e Kosovës ishin emocionalisht të raskapitur me të gjitha fyerjet që i përjetuan nga tribunat e stadiumit, dhe natyrisht, ishin të dëshpëruar që nuk shënuan një fitore të merituar.

Ata si dhe i gjithë stafi profesionist i kombëtares së Kosovës, ishin të bindur që kishin të drejtë që të reagojnë në këtë mënyrë, mbi të gjitha, sepse ky përjetim i tyre nuk po ndodhte për herë të parë.

Por, një e drejtë, edhe kjo çfarë u ushtrua prej lojtarëve të Kosovës në këtë rast, në këtë shembull, nuk ka vlerë dhe nuk ka rezultat nëse nuk konfirmohet prej atij që është vendimmarrës apo arbitër, e ky ishte kryegjyqtari i ndeshjes.

Ai duhej të bindej që ne kemi të drejtë, e pastaj epilogu i kësaj përballjeje do të ishte krejt ndryshe. Megjithëse edhe në ato rrethana, do të ishte vështirë të pritej ndërprerja e kësaj ndeshjeje vetëm dy minuta para fundit.

Sidoqoftë, ajo çfarë ndodhi në një lojë sportive, nuk është diçka e re për ne, kur flasim për fatin tonë kolektiv si shqiptarë të Kosovës, në atë shekullin e gjatë të okupimit të Kosovës nga Serbia  (në vitet 1912-1999).

Krahasimi këtu del të jetë shumë i qëndrueshëm.

A nuk kishim të drejtë ne, si shqiptarë të Kosovës, me atë strukturën e përgjithshme të popullatës në vend, (gjithmonë ajo ka qenë e favorshme për shqiptarët), që të vendosnim vet për fatin tonë, pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani?

A nuk ishte e drejtë, në çdo aspekt të mundshëm, që Kosova të ishte pjesë e shtetit të Shqipërisë, me shpalljen e tij, në nëntorin e vitit 1912?

Por, ne e dimë të gjithë  (dhe e kemi përjetuar të gjithë, gjeneratë pas gjenerate, në të gjitha mënyrat e mundshme), që kjo e drejtë nuk ka pasur asnjë ndikim dhe asnjë vlerë derisa shumë decenie më vonë, në vitet e nëntëdhjeta, veçmas në ato vitet e luftës  (1998, 1999), arritëm që t’i bëjmë hisenik të kësaj të drejte edhe shtetet kryesore të Perëndimit, në rrethanat kur Perëndimi njihej tashmë si ngadhnjyes i pakontestueshëm i ‘Luftës së Ftohtë’.

Kur e bëmë për vete ‘Gjyqtarin’ suprem politik dhe historik, ishte e mundur që fatin dhe të drejtën tonë ta ndërlidhim me epilogun e çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës.

Ky është mësim që vlenë për ne, edhe në vitin 2024. Edhe gjithmonë, në fakt.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme