Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Hartat e vjetra të Cristofor Colombos

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.05.2025 09:37
Blerim Shala
Blerim Shala

Botëkuptimi marksist i cili sundoi në thuaja gjysmën e Botës për gati gjysmë shekulli në qindvjeçarin paraprak në trajtë të organizimit shtetëror komunist, u rrënua vet prej vete, për pesë muaj  (në vitin 1989) në atë garën e pakursyer dhe të pakompromis me Botëkuptimin e demokracisë liberale, i cili ishte asokohe mbizotërues në thuaja gjithë Perëndimin.

Ishte kjo luftë për jetë a vdekje në mes të Demokracisë dhe Komunizmit.

Njëmend ishte luftë për jetë a vdekje, kur dihet që te dy palët kishin në duart e tyre shkatërrimin e shumëfishtë të njeri-tjetrit dhe të gjithë Botës së mbarë, përmes armëve bërthamore.

Dihet se si mori fund Lufta e ftohtë. Dhe dihet, nga të gjithë, pse dështoi Botëkuptimi marksist, i cili edhe nëse vegjeton ende diku, ka marrë trajtën e një mendimi fare të margjinalizuar, tek i cili shumë pak politikanë dhe publicistë kërkojnë sqarim dhe shpëtim a shtegdalje nga krizat e shumta shoqërore dhe politike.

Për këtë shkak, në ato rrethanat e sapokrijuara pas disfatës së hidhur të këtij Botëkuptimi, ndodhi një arkivim masiv i gjithë literaturës marksiste, njëlloj siç ngjau ai dërgimi i gjithë një sistemi politik dhe shtetëror në muzetë e shumtë në kryeqytetet e tij.

Humbja ishte totale. Në të gjitha aspektet e mundshme. Nuk kërkonte më kush ‘hartë rrugore’ atypari për tu gjetur në Botën post-komuniste dhe pas-Luftës së ftohtë.

Kjo ishte njësoj sikur që në ato hartat e vjetra të Cristofor Colombo-s të kërkoheshin udhët për rrugëtimin e sotëm prej Evropës në Amerikë.

Prej viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar e tutje, dukej që demokracia liberale do të marshojë në të katër anët e Rruzullit tokësor së bashku me ekonominë e tregut të lirë dhe globalizmin si model universal, i cili mbi të gjitha u shfaq në trajtë të neo-liberalizmit ekonomik.

Dukej që të gjithë njerëzit, kudo që jetojnë, do ta marrin atë ‘buletën fituese’ e cila do të ndikonte që të jetohet më mirë, më qetë, në një paqe e cila do t’i ngjante asaj të parathënë nga Kanti.

Mendohej pra që fati i të gjithëve gjinden brenda këtij Botëkuptimi të demokracisë liberale.

Zaten, Nazizmi dhe Fashizmi dështuan keq në gjysmën e parë të shekullit XX, dhe Komunizmi njëlloj keq në atë gjysmën e dytë.

Nuk ka vakum në politikë. Mësa në natyrë. Prandaj, nuk kishte gjë tjetër në atë ofertën historike dhe politike. Ashtu së paku dukej. Por, doli të jetë ndryshe.

Ndodhi kthimi te politikat dhe te botëkuptimet identitare. Ato që nuk do të zhduken kurrë. Siç kuptuam veçmas në njëzet vitet e fundit.

Për më shumë, këto politika nuk u përqafuan vetëm prej popujve që ishin larg, shumë larg demokracisë liberale dhe një ekonomike të mirëfilltë kapitaliste, por u kthyen mbrapsht edhe tek shtetet e Perëndimit, mbi të gjitha në formë të një popullizmi djathtist, i cili goditi në mënyrën më të keqe të mundshme Botëkuptimin e demokracisë liberale.

Arsyet për këtë dukuri që solli tronditje të mëdha dhe krejtësisht të paparapara dhe madje, të pabazuar në tërmetet ekonomike dhe sociale  (siç ndodhi në Evropën e viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar, që u bë sebep për pushtimin dhe pushtet-imin e Fashizmit në Itali dhe të Nazizmit në Gjermani), janë të shumta.

Kjo përmbyse e Demokracisë liberale duket që nuk është finale dhe e pariparueshme, siç ishte shumë decenie më parë në rastin e Komunizmit. Apo, kjo mund të jetë edhe një shpresë e kotë që nuk ka themele racionale.

Por, çfarë po shihet viteve të fundit  (veçmas), është që gërryerje a Demokracisë liberale është e madhe, dhe që ajo ka edhe këtë dimensionin ndërkombëtar, i cili ka arritur kulminacionin pikërisht në këtë vit të cilin po e jetojmë tani, kur më askush i gjallë  (siç thuhet), nuk merr guximin që të parashikojë rrjedhën e zhvillimeve në Botë.

Asgjë nuk mund të përjashtohet. Ky është formulimi i vetëm që ka vlerë.

Dhe për më keq, nuk ka ‘harta rrugore’, të vjetra apo të reja, të Cristofor Colombo-s apo të kujdoqoftë, të cilat do të tregonin se çka duhet bërë për t’i shmangur rreziqet më sfiduese për paqen dhe sigurinë në Botë.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme