Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Harresa politike e kujtesës historike

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 23.04.2022 10:00
blerim shala

Historia nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës. Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi.

Këto ishin fjalët e Charles Michel, Presidentit të Këshillit Evropian, gjatë vizitës së tij në Ukrainë, pak ditë më parë.

Nuk ka vend më të mirë, fatkeqësisht, se Ukrainë e këtyre ditëve, kur përditë po dalin në shesh varre masive të cilat i lanë prapa si gjurmë të pushtimit dhe si autorësi të krimit, Forcat ushtarake të Rusisë, për të dhënë deklarata të tilla.

Këto fjali të shkurtëra, krejtësisht domethënëse, të të parit të Bashkimit Evropian, i duhen popullit të Ukrainës thuaja njësoj si armatimi ushtarak dhe përkrahja politike e SHBA-së dhe e BE-së.

Kemi të bëjmë këtu me anën njerëzore, qytetëruese të kësaj lufte, e cila si rrallëherë, spikatë në mënyrën më të qartë dhe më brutale të mundshme atë skemën bardh dhe zi, për fajin e një pale për këtë luftë, për përgjegjësinë e një shteti dhe të një lideri për të gjitha tmerret që po shkaktohen në Ukrainë.

Krimet e këtij lloji në Evropë për herë të fundit kanë ndodhur në Kosovë, në luftën e viteve 1998, 1999.

Teksa krimet e bëra nga Serbia e Slobodan Miloševićit në Kosovë, nuk i harrojnë shqiptarët e Kosovës, drejtësia e mirëfilltë kurrë nuk arriti të vendoset në përmbyllje të kësaj lufte. Sot e kësaj dite ka shumë të pagjetur të cilët si të tillë, janë një lloj konfirmimi për drejtësinë e munguar, për pendimin dhe kërkimfaljen e pathënë dhe të pashfaqur të autoriteteve më të larta të Serbisë për tragjedinë e bërë në të katër anët e Kosovës.

Historia e krimeve, mbamendja e tyre, e përmasave të tashme në Ukrainë, apo e atyre në Kosovën e para gati një çerek shekulli, nuk ka si të mos qëndrojë përjetë, në format e ndryshme. Por, politika si e tillë, siç e dimë të gjithë ne këndejpari në Kosovë, nuk ka këtë vlerën e historisë dhe të kujtesës kolektive. Çfarë ka bërë Serbia e atëhershme në Kosovë, sot nuk paraqet një validitet në përpjekjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut të Brukselit, për ta bërë një Marrëveshje Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, ky normalizim, edhe nëse njëmend do të kishte vullnet nga Beogradi zyrtar për ta kodifikuar ate në trajtë të një Marrëveshje ligjërisht obligtaive, nuk ka si të bëhet dhe si të funksionojë, përjetë e mot, në këto raportet në mes të dy shteteve dhe dy popujve, nëse në vet Serbinë e sotme nuk do të ketë normalizim në marrëdhëniet e saj me historinë e re të kësaj ane të Evropës. Kosova dhe Serbia mund edhe të nënshkruajnë një Marrëveshje të mirëfilltë, madje edhe me njohen formale reciproke, dhe ky akt do të shënojë atë nivelin suprem të njohjes së realitetit në Kosovë që nga 17 shkurti i vitit 2008, por fqinjësi të mirë dhe marrëdhënie miqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë, realisht, nuk do të ketë derisa në Serbinë e sotme të mos kuptohet dhe të pranohet historia e luftës në Kosovë.

Zatën, Serbia aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Lidhja e synuar e Serbisë me BE-në, nuk do të duhet të jetë e mundur pa këtë ballafaqimin e saj politik dhe historik me të kaluarën e rëndë dhe tragjike të shkaktuar në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci.

Në rastin e luftës në Ukrainë dhe të gjithë tragjedisë që nuk ka të ndalur ende në këtë shtet, ka fare pak gjasa që ajo thënia e Michelit për paqen që duhet të ndërtohet mbi drejtësi, të bëhet ndonjëherë realitet. Si në rastin e Kosovës, në vitet 1998, 1999, si këtu, në shembullin e Ukrainës, në dritë të diellit  (si thuhet), mund të shihet se kush është përgjegjës për krimet e luftës dhe për krimet kundër njerëzimit. Teksa morali në luftë mbahet edhe me bindjen që lidershipi i sotëm i Rusisë do ta paguajë çmimin më të lartë të mundshëm, për të gjitha tmerret e bëra në Ukrainë, është tej çdo imagjinate të besohet që njëmend do të jetë kështu.

Por, nëse drejtësia, me gjasë, nuk do të përmbushet kurrë, së paku politika, në këtë rast e SHBA-së dhe e BE-së, do të duhej t’i përmbahej asaj mbamendjes historike e cila kurrë nuk i harron krimet e luftës.

Marrëdhëniet në mes të Perëndimit dhe të Rusisë së Vladimir Putinit, prej 24 shkurtit e këndej, janë prishur një herë e përgjithmonë. Ato janë të pariparueshme. Për më shumë, duket që këto raporte, do të marrin trajtën e një Orientimi strategjik politik, ushtarak, ekonomik  (shkëputja nga varëshmëria prej gazit dhe naftës ruse), i cili do të mbetet në fuqi në Perëndim për dhjetëvjetësha të tërë, në mos edhe më tepër, edhe atëherë kur Putin nuk do të jetë më lider i Rusisë.

Mbase askush nuk ka mundur ta detyrojë Perëndimin për të bërë këtë ndryshim rrënjësor në këtë Orientimin e tij strategjik. Pos Putinit dhe Rusisë.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme