Good Morning “Little Britain” - Klan Kosova

Good Morning “Little Britain”

123
string(8) "Jon Leka" NULL
5 years më parë
Brexit është kësti i fundit i shuarjes së një ish- superfuqie. Dora vetë do të sjell Britaninë e Vogël nga një anëtare me të drejta të plota edhe të refuzimit të proceseve të shumta brenda BE-së në një penge bilateralesh jotransparente (si Zvicra) për të mbijetuar!

Pas votimit, njëri nga promotorët e idesë së shkëputjes, ikjes së britanikëve nga Unioni, Nigel Farage u tha votuesve të tij: «Good Morning Britain – ju kam mashtruar»! Analistët kundër braktisjes së BE-së mezi pritën: «Ja ç’të bën veprimi irracional i masave, tirania e shumicës tocquevilliane».

Për ta trashur tezën e tyre të drejtë, autorët i publikuan mediave të botës argumentet e veta, aq shumë sa një enciklopedi: a nuk ishte irracionale shumica e Hitlerit; ajo e Musolinit; ajo e Millosheviqit që edhe sot kësaj dite nuk jep shpirt; ato masa heshtëse lartë e poshtë tiranive të sotme që me frikën e tyre irracionale mbajnë gjallë diktaturat vetëasgjësuese, a nuk janë këto fakte të mjaftueshme për të folur edhe për psikologjinë aq destruktivisht të manipulueshme të masave sa herë që nga muzetë të dalë ndonjë misionar i armatosur me mite, legjenda, që rindezin emocionet këtij apo atij kombi për cilindo qoftë synim politik?

Tjerët, ata me tezën rreth hyjnisë së gishtave të demosit, po aq të flaktë thirrën në ndihmë parimin bazë të demokracisë si koncept: verdikti i shumicës duhet të respektohet! Më shumë nuk kanë ç’ka thonë.

Të dyja palët kanë të drejtë. Veçse të parët kanë më shumë argumente, ngase shumicat nuk mbijnë si fije bari shkëmbinjve të mendësisë humane; ato bëhen! Kush e bëri këtë shumicë kundër Bashkimit Europian? Assesi ultranacionalisti gënjeshtar Farage. Ai vetëm mllefin anti–BE (që mbizotëron edhe në vende tjera) e kanalizoi si zë për ta çliruar një ish-perandori nga një bashkësi ku ajo de facto dhe seriozisht as që kishte qenë kurrë.

 

REAGIMET

Reagimet më të ashpra, gati apokaliptike apo triumfuese, erdhën nga kandidatët që presin anëtarësimin në Bashkësi. Gjersa ata të linjës me sy kah Rusia si neoqendra e pansllavizmit kërcenin tango, të tjerët demonizuan tradhtarin e idesë së madhe europiane. Si e përbashkëta e reagimeve të këtyre poleve dominonte mosnjohja e BE-së, e zanafillës së saj, zhvillimit, identitetit dhe gjendjes së saj dje e sot. Në grupin e të fundëve ulërinë edhe shqiptarët.

Kryeministri shqiptar e shkroi një kolumne – si mesazh për rolin e Shqipërisë në këtë “krizë”.

Deputetë lapsashkretë e gjetën fajtorin: gjermanocentrizmin! Në sferën e kandidatëve sundonte frika se me daljen Anglisë nga BE erdhi përgjigja ndaj pyetjes së publicistit holandez Geert Mak: “Wat als Europa klapt – Çka nëse dështon Europa?” (2012).

Edhe më brutalisht reagoi kampi i intelektualëve të majtë lartë poshtë oksidentit: Oswald Spengler me teorinë e tij të “Përmbysjes së Oksidentit” paska pasur të drejtë. Po aq vizionarë paskan qenë edhe Paul Valery me “Krizën e Frymës”, Martin Heidegger, Hofmannstal, Mann, Unamuno, Toynbee dhe gjithë skeptikët e mëdhenj të idesë së një Europe të bashkuar. Radhitja edhe e autorëve rusofilë në këtë listë do të ishte e tepërt.

Po për ç’ide dhe ideal europian e kemi fjalën? Për cilat vlera?

 

BE – HISTORIA

Çeliku dhe qymyrguri janë të mira materiale për zhvillimin e industrisë dhe kapitalit të një vendi apo një bashkësie. Mirëpo, ato nuk janë as humanizmi, as iluminizmi, as demokracia, as barazia sociale, as paqja.

Kjo BE u ngrit mbi një projekt 38-rreshtash të skicuar në tren nga biznesmeni Jean Monnet e të prezantuar (si kërkesë nga britanikët dhe amerikanët) si “Plani i Shumanit” më 10 Maj 1950, që për esencë kishte: “Qeveria franceze propozon që prodhimi francez dhe gjerman i çelikut dhe qymyrgurit t’i nënshtrohet një administrate të lartë të përbashkët, një organizate e cila do të jetë e hapur edhe për vende të tjera, kështu për të krijuar bazat e përbashkëta të zhvillimit ekonomik – etapën e parë drejt një federate europiane”. Një federate ekonomike, tregtare, si fillim bashkëpunimi për të parandaluar, siç kërkonin amerikanët dhe britanikët, “mundësinë e përsëritjes së ndonjë lufte si ajo e dyta”.

Projektet më të suksesshme të Unionit që nga Walter Hallstein (1955-1969) e deri tek aksioni “Merkozy” i shpëtimit të Greqisë dhe tjerëve nga kolapsi, paskan qenë të karakterit ekonomik, tregtar – kështu thonë kritikët më të zëshëm të saj.

Ndërkaq në aspektin ideor të demokratizimit, humanitetit, barazisë sociale, luftimit të varfërisë, luftimit të korrupsionit tek kandidatët, identitetit, kushtetutës – Unioni paska dështuar totalisht, ashtu siç e përshkruan po ky Martin Schulz, sot kryetar i Parlamentit Europian në studimin e tij “Gjiganti në pranga – Shansi i fundit i Europës” (2013).

 

BE SOT

Është e vërtetë – siç thotë Schulz dhe kritikët tjerë – se BE ka dështuar ta materializojë idenë përtej mendësisë së çelikut dhe qymyrgurit. Mirëpo, kjo vlen vetëm sa u përket vendeve të zhvilluara dhe deri në mesin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Në vendet kryesore të BE-së organizata ka imazhin e një zhvatëseje për të paguar burokratë nga gjithë kontinenti dhe për të shërbyer si ent social për shtetet “dembele” si Greqia e të sojit. Imazhi natyrisht nuk është i drejtë, mirëpo ki tillë është. BE as që ka punuar që ta ndryshojë këtë imazh ne Gjermani, Francë e gjetiu.

Vendimi i BE-së për t’u zgjeruar edhe në vende të tjera të ish-bllokut socialist e detyroi atë që kontratën e Maastrich-ut (07.02.1992), po aq tregtare e monetare si gjitha tjerat para, ta konsiderojë madje vetëm si një shtyllë, kurse konventat tjera të lirive, të Drejtave të Njeriut, e sidomos të vlerave të përbashkëta europiane duke i vënë në plan të parë e si kusht– veçanërisht për shtetet kandidate, të dala nga sisteme të çoroditura dhe me potencial kolosal konfliktesh që mund ta demolonin në rrënjë bashkësinë. Që nga koha e aderimeve të para, BE tashmë disponon me një katalog kushtesh të qarta kush meriton mirëseardhje në klub e kush jo.

Dështimi vërtet ndodhi, mirëpo tek implementimi i kushteve të paracaktuara, të cilat fatkeqësisht shpesh janë të njëanshme (Kosova) ngase strukturat burokratike më shumë bazohen në interesat nacionale nga vijnë sesa në dispozitat e Komisionit Europian. Po aq e vërtetë është kritika rreth demokratizimit të Bashkësisë përtej qendrës – shtetet duhet të kenë më shumë informacion se ç’ndodh atje dhe më shumë të drejta bashkëvote në çështje që ndikojnë në jetën e tyre.

 

BRITANIKËT

Në asnjë proces që ka pasur të bëjë me qarkullimin e lirë të europianëve, në asnjë marrëveshje për valutë të përbashkët apo për krijim të një kushtetute paneuropiane, Britania nuk ka marrë pjesë. Përkundrazi, ajo ia ka vjedhur disa vite organizatës me luftën e saj të rezistencës.

Se Gjermania duhej të marrë timonin në shpëtimin e Greqisë dhe vendeve tjera, se ajo duhet të liderojë në kontratat e qarkullimit të lirë dhe zgjerimit nuk është dëshirë e saj, por ajo është zënë peng – si e vetmja me kapital dhe resurse bartëse të çdo kontrate të bërë nga BE.

Tjerët o s’kanë kapital as për vete, o nuk kanë nënshkruar asgjë kontraktualisht detyruese. Si Britania dhe vendet tjera skandinave.

Politikisht, Britania e Madhe gjithmonë ka qenë e orientuar me SHBA-të dhe ka refuzuar (me të drejtë apo jo) politikat e BE-së në drejtim të Lindjes së Mesme e të llojit.

Që nga fillimi e deri sot ajo e ka konsideruar BE-në si klub për shpëtimin e marrëdhënieve franko-gjermane dhe si zonë tregtare ku mund të operojë, por jo më shumë.

Është pikërisht ky qëndrim permanent i Britanisë së Madhe që e solli rezultatin e të ashtuquajturit “Brexit” e jo ai Farage që nuk besojmë të dijë se çka iu bë Britanisë me këtë votë: ajo nga anëtarja me të drejta të plota refuzimi të proceseve të caktuara pardje u shndërrua në penge të BE-së dhe para zhbërjes nga forma siç është. Irlanda dhe Skocia tashmë e thanë fjalën se ç’do të bëjnë.

Për të mbijetuar e përfituar brenda kontinentit ku jeton, Anglisë do t’i ndodhë fati i Zvicrës, e cila tashmë i ka mbushur disa mijëra hektarë deposh me kontrata të detyruara nga BE për të mbijetuar jo vetëm ekonomikisht edhe nesër, por edhe për t’u mbrojtur në shumë drejtime tjera.

Tregu përtej Europës është me fabrikë në Kinë dhe konsumentë në Bangladesh, çka do të thotë papunësi dhe standard drejt humnerës.

Jashtë BE-së mund të mbijetosh vetëm duke qenë edhe më e detyruar ndaj BE-së, kështu tregon praktika e derisotme. Qeveria e dinte këtë, prandaj as që dëshiron të marrë më përgjegjësi pas këtij votimi.

 

ZGJERIMI

Euforia e shkaktuar në vendet kandidate ishte e kotë, ngase doli nga mosnjohja e problemeve me Britaninë e Madhe.

Brexit ka rëndësi për BE-në dhe kandidatet aq sa ka Zvicra apo ndonjë shtet tjetër që nuk dëshiron të jetë anëtare e Unionit, por që derdh gjak duke dorëzuar me këste reliktet e fundit nacionaliste drejt marrëveshjeve që bazohen në “dokumentet më të mirat të mundshme“ deri më tani sa i përket sigurimit të paqes në rajon e më gjerë.

BE-j nuk rrezikohet nga Brexit, por nga vetvetja nëse nuk bëhet edhe më rigoroze ndaj anëtarëve të saj për të ecur drejt shteteve ligjore, demokracisë pluraliste dhe barazisë sociale.

I duam apo jo “perandoritë” e këtilla si BE nuk është çështja, realiteti është ky dhe tjetër rrugë hë për hë nuk ka!