Godina që duhet meremetuar 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 09.05.2024 10:36 09.05.2024 10:36 Blerim Shala 9 maji është ditëlindja e Bashkimit Evropian. Me 9 maj të vitit 1950, Robert Schuman, Ministri i Jashtëm i Francës propozoi krijimin e Bashkësisë së thëngjillit dhe çelikut në mes të Francës, Gjermanisë Federale (apo, Gjermanisë Perëndimore), Italisë, Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut. Nëse këtu parafrazojmë atë thënien mbresëlënëse të Neil Armstrongut, astronautit amerikan dhe njeriut që shkeli i parë sipërfaqen e Hënës, ky ishte një hap i vogël i një njeriu (Schumanit), dhe hap i madh i Evropës, të cilën vetëm pesë vjet e ndanin nga tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Ishin këto pesë vjet të një paqe të parehatshme në Evropë. Aleatët e deridjeshëm, apo SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, tashmë kishin hyrë në epokën e ‘Luftës së Ftohtë’. Evropa perëndimore, me një Gjermani të ndarë dhe të bërë rrënojë në të katër anët e saj, me Britaninë e Madhe dhe Francën të shkatërruar fort nga kjo luftë, nuk ishte në gjendje të mbrohej vet nga invazioni eventual i Ushtrisë së Bashkimit Sovjetik. Amerika do t’i ndërmerr dy veprime jetike për mbijetesën e Evropës perëndimore: Do ta përgatis Planin Marshall (të emëruar sipas Sekretarit të shtetit, George Marshall), të një përkrahjeje të jashtëzakonshme financiare dhe ekonomike, dhe do ta themelojë Aleancën Veri-Atlantike si një ombrellë ushtarake të Evropës. Në këtë mënyrë, Evropa perëndimore i shpëtoi agresionit fare real të Lindjes (Bashkimit Sovjetik). Megjithatë, këto dy veprime madhore të Amerikës (në vitet 1948, 1949), të cilat ofruan paqen, sigurinë dhe stabilitetin themelor për Perëndimin në Evropë, duhej të pasoheshin me një akt ekuivalent të vet të evropianëve, për ta hequr qafe, një herë e përgjithmonë, kërcënimin e ‘shfarosjes së brendshme’ të Evropës, pas dy luftërave evropiane të cilat me të drejtë u kualifikuan si luftëra botërore. Vetëm bashkimi i shteteve dhe popujve evropianë, në një organizatë të veçantë, do ta pamundësonte një tjetër luftë ku do të rrezikohej me themel kontinenti më i vjetër. Schuman e kishte kuptuar këtu. Ai poashtu e dinte që ‘Roma nuk mund të ndërtohet brenda një dite’, apo që kjo organizatë mbarë-evropiane do të kërkon përpjekje të mëdha, me atë modelin hap pas hapi, për të mbërri në atë cakun e synuar dhe të dëshiruar. ‘Lufta e Ftohët’ u fitua në vitin 1989, falë supremacisë ushtarake dhe politike të SHBA-së mbi Bashkimin Sovjetik, falë unitetit të Perëndimit në Evropë dhe partneritetit trans-atlantik, si dhe në vijim të gatishmërisë së liderit atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, që kontestet e mëdha historike me Perëndimin t’i zgjidhë në mënyrë paqësore dhe politike. U mendua, asokohe (në decenien e fundit të shekullit XX, dhe në atë të parën të shekullit XXI), që Evropa e bashkuar (në gjirin e të së cilës u kthyen kush më parë e kush më pas, shtetet e okupuar më parë nga Bashkimi Sovjetik), do të hyjë në një epoke të stabilitetit afatgjatë politik dhe ekonomik. Që paqja evropiane do të qëndrojë pafundësisht. Madje, që së paku kur bëhet fjalë për Evropën, historia kishte marrë fund (megjithëse kishte mendimtarë të tillë si Francis Fukuyama që supozonte që në përgjithësi, historia ishte përmbyllur, sepse rendi liberal-demokratik u tregua sipëror në Botë). Natyrisht, nga perspektiva e 9 majit të vitit 2024, apo, të thuash tre çerek shekulli pas deklaratës së Schumanit, gjërat në Evropë kanë ndryshuar shumë dhe më nuk ka kund entuziazëm të vjeshtës së vitit 1989 kur me rënien e Murit të Berlinit llogaritej që do të ngritet një Rend ndërkombëtar paqësor, me Evropën e bashkuar në qendër. Perëndimi amerikan dhe ai evropian janë në luftë, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, në Ukrainë, duke e përkrahur në të gjitha mënyrat e mundshme (pos me praninë direkte ushtarake), këtë shtet në përballje me Rusinë e Vladimir Putinit. Perëndimi në përgjithësi është i sfiduar nga Lindja politike dhe historike e përfaqësuar nga Rusia dhe Kina. Perëndimi në Evropë, është i sprovuar thellësisht nga popullzimi, nga dobësimi i vlerave tradicionale evropiane, nga depërtimi politik dhe ekonomik i Rusisë dhe Kinës, nga hezitimi për ta përmbyllur harën e vet me shtetet pretendente për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Mbase, më së shumti nga rënia e ‘energjisë politike’ të vet Bashkimit Evropian. Të gjitha këto po i vëren dhe po i pëson në kurrizin e saj Kosova, madje, më së shumti në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.