Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjenealogjia e bllokimeve në kuvend; të intervenojnë Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese

123
string(15) "Muhamet Mustafa" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/02/mustafa_bio.jpg"
nga Muhamet Mustafa 28.10.2023 17:15
Muhamet Mustafa

Ndoshta edhe më herët, por nga perspektiva ime gjithçka filloi në pranverën dhe vjeshtën e vitit 2012. Unë dhe disa kolegë të mi, atëherë deputetë të pozitës, pra koalicionit qeverisës , u stepëm kur deputetët nga ky koalicion me disa përjashtime, kur e vlerësuan se do të humbnin në vota krijuan artificialisht mungesë forumi për të pamundësuar debatin dhe votimin në Kuvend.

Atëherë gjithçka filloi me debatin lidhur me një vendim që kishte marrë Qeveria për rritjen e akcizës së çimentos për 35% me arsyetim se po e mbrojnë Sharrcemin e që natyrisht nga vetë niveli i akcizës shihej se kjo nuk ishte arsyeja dhe e vërteta. Kjo i sillte në pozitë të vështirë ndërmarrjet ndërtimore që kishin punët të kontraktuara duke u bazuar në çmime 35% më të lira të këtij materiali.

Ky vendim krijonte favore të padrejta për një prodhues që nuk do të mund t’i plotësonte gjithë kërkesat për çimento. Kur koalicioni qeverisës vlerësoi se Kuvendi do të merrte vendim për anulimin e këtij vendimi, pjesa dërmuese dolën nga salla duke e pamundësuar Kuvendin që të ushtrojë funksionin e tij dhe krijuar një precedent e praktikë që dëmton rëndë demokracinë.

Debati vazhdoi natyrisht, por pa mundësi të marrjes së vendimit. Dhe atëherë u tërhoq vërejtja se dalja deputetëve nga pozita për ta penguar marrjen e vendimeve në Kuvend është precedent, sa absurd pa aq i pakuptimtë dhe i rrezikshëm për demokracinë pasi që Organi Suprem i demokracisë parlamentare (që do të duhej të jetë gardian i demokracisë) e bllokon në punën e tij.

Kjo u përsërit pastaj edhe në vjeshtën e atij viti kur opozita dhe disa deputetë të pozitës po e kundërshtonin privatizimin e paligjshëm të Valas, përkatësisht Telekomit të Kosovës. (Rasti i njohur si dështim i rëndë me AXOS).

Kjo pastaj vazhdoi të përdorej gjithnjë e më shumë nga opozita, por edhe nga pozita, dhe vit për vit ka ardhur duke u trashur.

Pozita kur nuk i pëlqen debati për ndonjë çështje ose kur e ka punën pisk me vota, kurse opozita gjoja duke ju “hakmarrë” pozitës për injorim duke bllokuar marrjen e vendimeve sidomos lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ose kur kërkohen vendime në pjesëmarrjen në votim te 2/3 të numrit të deputetëve.

Natyrisht që mund të ketë raste kur disa deputetë , po ndonjë grup parlamentar në shenjë proteste e lëshon seancën dhe atë nga opozita. Por të dilet nga seanca në bllok, sidomos nga pozita, kjo është shenjë i një “sëmurje” të rëndë, që ka filluar më shumë se dhjetë vjet më parë e ndoshta edhe më herët. Dhe duket se tani kemi ardhur në një situatë kur kjo duhet të trajtohet seriozisht. Një praktikë e tillë e shpërfaq një shembull ekzemplar të intolerancës dhe kulturës së ulët të debatit dhe i asaj që unë e quaj lufta primitive politike për pushtet nga pozita e interesave grupore dhe partiake.

Kjo tanimë është bërë e vështirë për t’u parë dhe për t’u dëgjuar. Është mirë që forcat politike në Kuvend ta shohin këtë dhe t’i japin fund kësaj praktike absurde. Kjo do të ishte më së miri. Por nëse kjo nuk ndodhë , siç edhe mund të pritet nga sjelljet përgjatë një dekade, këtë çështje duhet ta marrin në shqyrtim Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese me një rast ka dhënë një interpretim se deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seanca dhe të votojnë (ishte fjala më duket për bllokadat në krijimin e forumit për të votuar për President). Më duket se Gjykata Kushtetuese gjithsesi duhet të intervenojë këtu pasi që është e qartë se kjo praktikë e konsumuar kësisoj po e rrezikon interesin publik, efektivitetin e demokracisë parlamentare dhe stabilitetin institucional.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme