Garantuesi i rrëmujës 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 16.08.2023 15:55 16.08.2023 15:55 Blerim Shala A është Aleksandar Vučić, Presidenti i Serbisë, garantues i paqes dhe stabilitetit në këto anë të Ballkanit Perëndimor, apo ai është në të vërtetë zjarrëvënës, në tentativë të vazhdueshme? Duket se disa prej mediave më me nam të Perëndimit, së fundit edhe CNN, po merren me kërkimin e përgjigjes në këtë pyetje, gjithnjë e më shumë duke anuar kah ky shpjegimi i dytë, madje, duke e portretizuar ate, udhëheqësin e Serbisë (dhe liderin në tentativë të gjithë serbëve kudo që jetojnë këndejpari), si një ‘Kal Troje’ të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit. Megjithatë, ka të ngjarë që shumë më mirë do të ishte, poqëse në analizat dhe vlerësimet ndërkombëtare që përqëndrohen në figurën e Presidentit të Serbisë, do të kërkohej përgjigjja në pyetjen: Pse ky, pra, pse Vučić duhet të jetë garantues i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor? S’ka fjalë që nëse Vučić ka në duartë e tij një fuqi që nuk i takon, ajo e varëshmërisë së thuaja gjithë një rajoni nga Zyra e tij, në qendër të Beogradit, ai, këtë ’mandat’ do të mund ta shfrytëzojë për të mirë apo për të keq të kësaj ane të Evropës Juglindore, apo, thënë më mirë, për përfitimin e tij personal dhe të shtetit në ballë të të cilit është, të Serbisë. Mbase, do të mund të shtojë dikush, është e natyrshme që një lider synon ta grumbullojë tek vetja, sa më shumë forcë politike (dhe jo vetëm politike), për ta përdorur ate në përputhje me interesat e tij. Historia e njohur, shumë tragjike e viteve të nëntëdhjeta në hapësirat e ish-Jugosllavisë, është dëshmia më e mirë e mundshme se çka mund t’i ndodhë popujve të tërë, nëse në duart e një lideri (çfarë ka qenë atëherë Slobodan Milošević, Presidenti i Serbisë), koncentrohet një fuqi enorme politike dhe ushtarake, me një vendimmarrje e cila nuk i subordinohej dot Perëndimit. Piromani i Ballkanit, madje, pas Konfrencës së Paqes në Dayton (nëntor, 1995), nisi të portretizohet si ‘Njeri i paqes’ dhe si garantues i stabilitetit në Bosnjë dhe Hercegovinë, teksa as tre vjet më vonë, në Kosovë, ai iu kthye identitetit të tij të mirëfilltë, atij të ‘Kasapit të Ballkanit’. Dihet çka ndodhi më pas. Vučić dhe akëcili lider i Serbisë (kjo këtu nuk ka fare rëndësi), nuk do të duhej më të kishte asnjë rol të dorës së parë kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ky, megjithatë, ende e ka këtë fuqi në mandatin e tij politik, për shkak të situatës së brishtë, madje edhe të rrezikshme në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në vijim të marrëdhënieve të njohura, shumë problematike, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai, për më shumë, pretendon të ketë një rol edhe në procesin e krijimit të Qeverisë së re të Malit të Zi. Vučić, pa kurfarë dyshimi, dëshiron të jetë faktor në rajon, teksa Beogradin e sheh si kryeqendrën e kësaj pjese të Ballkanit. Njëkohësisht, ai mëton të pyetet për fatin dhe të drejtat e serbëve në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Nga ky pozicion pastaj, ai negocion me Perëndimin për pozitën e tij dhe të Serbisë në rrethanat ndërkombëtare, të cilat që nga shkurti i vitit të shkuar (kur Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën), kanë pësuar një ndryshim kapital. Nuk mund të ketë paqe, siguri dhe stabilitet në këto anë të Evropës, derisa Vučić (apo cilidoqoftë lider i Serbisë, sërish duhet shtuar këtu), ka aq shumë potencial për ta kontestuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, teksa këtu duhet shtuar që Serbia e sotme ende nuk e di, apo, nuk dëshiron ta dijë se ku janë kufijtë e saj shtetëror. Si mund të jetë, tek e mbrama, garant i çfarëdo qëndrueshmërie të rajonit një lider i cili nuk i njeh akoma kufijtë e shtetit të vet? *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.